“Një rrëfim epik për një epokë të çmendur të cilën jemi duke e jetuar”, është përshkrimi që i bëhet shfaqjes “Balkan Bordello” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, e cila do të ketë premierën amerikane në të famshmin “La MaMa” të New Yorkut.
“Balkan Bordello”, si produksion ndërkombëtar, pesë muaj pas premierës botërore në Prishtinë, do të shfaqet në ShBA, në teatrin prestigjioz “La MaMa” në New York. Lajmin për premierën amerikane e ka dhënë qendra “Multimedia” nëpërmjet një njoftimi për media. Ka bërë të ditur se me shfaqjen me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, ky institucion i pavarur i kulturës rikthehet në skenën me nam me një traditë prej më shumë se gjashtë dekadash, katër vjet pasi po aty dha premierën e shfaqjes “55 Shades of Gay”, po ashtu me tekst të Nezirajt e regji të Rrustemi-Nezirajt.
“Premiera amerikane e shfaqjes ‘Balkan Bordello’ do të jetë më 31 mars, 2022, ndërsa shfaqja do të luhet në ‘La MaMa’ për 10 ditë rresht deri më 10 prill”, thuhet në njoftimin e “Multimedias”.
“Balkan...” është bashkëprodhim i teatrit “La MaMa” nga New Yorku, qendrës “Multimedia” nga Prishtina, teatrit “Atelje 212” nga Beogradi dhe fondacionit “My Balkans” nga New Yorku dhe Beogradi. Premiera në teatrin “Oda” në kryeqytet erdhi si shfaqje e universalizuar, zhvesh gadishullin problematik. Në fakt “Balkan Bordelo” është versioni tjetër prej asaj “Bordel Balkan”, nën regji të András Urbán, e dhënë premierë më 2017, e që bëri bujë ende pa u shfaqur. Dramaturgu Neziraj qe kërcënuar me vrasje pasi organizatat e veteranëve të UÇK-së konsideronin se ai po njolloste vlerat e luftës. Në version ndërkombëtar nuk kishte pasur “paraskena të tilla”.
E bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, drama vjen në një frymë krejt bashkëkohore. Është e “kriposur” me detaje e ngjarje që banorët e Ballkanit i njohin mirë.
“Bile, një pjesë i kanë përjetuar. Por ato janë modifikuar që të marrin kuptim më gjeneral. Kafehanja e dekoruar për tmerr, në kohë lufte për klientë ka njerëz që frikën e kanë konstante. Midis tyre edhe poetë që ua ha mendja që vlejnë më shumë se mijëra ushtarë. Kasta ndërkombëtare në përbërje të Onni Johnsonit, Svetozar Cvetkoviqit, George Drancet, Eugene the Poogene, Valois Mickens, John Maria Gutierrez, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailoviq, Matt Nasser, Verona Koxha, duket se e kanë kuptuar saktë atë që do të paraqesin. Më lehtë duhet ta kenë pasur serbët e shqiptarët”, kishte shkruar “Koha Ditore” për premierën e “Balkan Bordellos”, më 4 nëntor të vitit të kaluar. “Frikacakëve u dalin të sakta pritjet kur hamendësojnë tmerrin pasi luftëtarët të kthehen nga frontet”, kishte shkruar “Koha…”, duke nxjerrë edhe paralajmërimin që bën shfaqje krejt në fund. “...bordeli merr flakë. Shumë i gëzohen këtij fakti e të tjerë druajnë nga zhvillimet. Në Ballkan shpesh paralajmërohet flaka. Megjithëse ka më shumë se dy dekada që nuk është parë, baroti gjithnjë është i thatë. Bile, kohëve të fundit edhe më”, kishte shkruar “Koha Ditore”
Shfaqja – e dhënë në kuadër të edicionit të katërt të “Kosovo Theatre Showcase” – ishte vlerësuar lart nga kritikë e media të njohura botërore.
“Gjuha teatrore është sa alegorike edhe lirike. Qëndrimi ushtarak dhe derdhja e gjakut gjithmonë kërkon hakmarrje”, kishte shkruar “American Theatre”
Edhe
“Balkan Bordello” i rikthehet gadishullit, të cilin e godet
Mediumi gjerman “Deutsche Welle” e kishte vlerësuar si “një shfaqje teatrore e cila ka tërhequr interes të jashtëzakonshëm në tërë Ballkanin”. “Ajo flet për luftërat në ish-Jugosllavi, mirëpo bazohet në tragjeditë greke dhe bart një mesazh universal kundër luftës”, kishte shkruar “Deutsche Welle”.
Në përshkrimin e “Balkan Bordello” ndër të tjera shkruhet se si një avatar i botës moderne, Agamemnoni kthehet triumfues nga fushëbeteja, pasi ka bërë shkrumb e hi qytetin armik. “Por ethet e entuziazmi i fitoreve të palavdishme janë kafshë të gjakut, me gjak ushqehen e nga gjaku jetojnë. Kur kthehet në shtëpi, Agamemnonin e pushtetshëm e pret vdekja. E vret e shoqja, Klitemnestra, gruaja e shtypur që duke vrarë burrin dëshiron të gjejë lirinë”, shkruhet ndër të tjera aty. Po ashtu, shkruhet se demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë, se beteja për të duhet të jetë e vazhdueshme dhe çdo luhatje nga ky synim u lëshon vend fantazmave të luftës, abuzuesve të forcës dhe autokratëve që fatin e shoqërive që i sundojnë e shohin si të ishte lojë e ruletit rus.
“Shembujt i kishim dje – i kemi edhe sot! Ballkani i gjakut i viteve të 90-a dhe Ballkani i etjes për hakmarrje tash. Hungaria e tanishme e autokratit Orbán, ku liria qytetare vidhet pëllëmbë pas pëllëmbe. Amerika post-Trump, me amerikanë të mashtruar që vazhdojnë të shohin ëndrra me mure. Turqia e Rusia me njerëz që jetojnë nën frikën e diktaturës shtetërore. Gjermania, që vazhdon të ndiqet nga fantazmat e gjalla të nazizmit. Ushtarë izraelitë që rrafshojnë qytete palestineze. Palestinezë të Hamasit që gjuajnë me raketa qytetet izraelite. Një Siri e bërë rrafsh me tokë nga… oh, për atë Zot, nga kush, a dihet bile?”, shkruhet në përshkrim që “Balkan Bordellon” e quan “një rrëfim epik për një epokë të çmendur të cilën jemi duke e jetuar”.