Kulturë

“Balkan Bordello” e universalizuar zhvesh gadishullin problematik

Gati pesë vjet pas premierës si produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, “Bordel Balkan” tash vjen si “Balkan Bordello” dhe përveç që është projekt ndërkombëtar, edhe zbërthimi i temës ka gjuhë universale. E dhënë premierë në teatrin “Oda”, në kuadër të edicionit të katërt të “Kosovo Theatre Showcase”, thelbi i shfaqjes me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, mbetet i njëjtë – ana e errët e Ballkanit

Është prej atyre kafehaneve të pista, ku kufizimet nuk ekzistojnë bash për asgjë. Nuk ka shumë klientë pasi të fortit që e frekuentojnë tërë kohën dhe e posedojnë, janë në luftë. Atypari sillen vetëm frikacakët. Atyre që u ka munguar guximi t’ia mësyjnë luftës e që “vdesin” nga dhjetë herë në ditë kur e mendojnë kthimin e ushtrisë. Sidomos të komandantëve. Me publik të shpërndarë në tri anë, premiera e “Balkan Bordello” të mërkurën në teatrin “Oda” ka ardhur si diçka e ngjashme me shfaqjet kamertale, ku nuk ka distancë midis publikut dhe aktorëve. Të gjithë i takonin bordelit, atij që autori i dramës, dramaturgu Jeton Neziraj, e ka përcaktuar të jetë i Ballkanit.

E bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, drama vjen në një frymë krejt bashkëkohore. Është e “kriposur” me detaje e ngjarje që banorët e Ballkanit i njohin mirë. Bile, një pjesë i kanë përjetuar. Por ato janë modifikuar që të marrin kuptim më gjeneral.

Kafehanja e dekoruar për tmerr, në kohë lufte për klientë ka njerëz që frikën e kanë konstante. Midis tyre edhe poetë që ua ha mendja që vlejnë më shumë se mijëra ushtarë. Kasta ndërkombëtare në përbërje të Onni Johnsonit, Svetozar Cvetkoviqit, George Drancet, Eugene the Poogene, Valois Mickens, John Maria Gutierrez, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailoviq, Matt Nasser, Verona Koxha, duket se e kanë kuptuar saktë atë që do të paraqesin. Më lehtë duhet ta kenë pasur serbët e shqiptarët.

Frikacakëve u dalin të sakta pritjet kur hamendësojnë tmerrin pasi luftëtarët të kthehen nga frontet.

Klitemestra (Onni Johnson) lutet fort që bashkëshorti i saj, Agamemnoni, (George Drance) – shkaku i egërsisë që ka – të vdesë në luftë. Por ai kthehet. Madje edhe më i egër. Bëhet alamet feste për kthimin triumfal.

Në versionin e ri të kësaj shfaqjeje që është bashkëprodhim i teatrit “La MaMa” nga New Yorku, qendrës “Multimedia” nga Prishtina, teatrit “Atelje 212” nga Beogradi dhe fondacionit “My Balkans” nga New Yorku dhe Beogradi, situatat janë më universale për dallim nga inskenimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës i vitit 2017. Disa detaje “pastrohen” dhe gjuha është ajo angleze, pasi shfaqja do të shëtisë në rajon e deri në SHBA.

Image
E bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, drama vjen në një frymë krejt bashkëkohore. Është e “kriposur” me detaje e ngjarje që banorët e Ballkanit i njohin mirë. Bile, një pjesë i kanë përjetuar

Dhuna kthehet menjëherë pasi arrin ushtria dhe poetët e tipit të Egistit (Svetozar Cvetkoviq) kërkojnë vrimën e miut. Ushtarakët rrëmbejnë gjithçka dhe nuk kanë mëshirë për askënd. Bënë luftën dhe u takon edhe plaçka. Janë të pangopshëm dhe pushteti i ka shfrenuar mendërisht e fizikisht. Janë situata që në vendet ballkanike njihen. Sidomos ato me pozat ku një komandant mban të vegjlit e tigrit në dorë si shenjë e të fortit. Ndërkombëtarët sillen poshtë e lartë dhe mundohen ta qetësojnë gjendjen, madje edhe me kurse vallëzimi. Ironia prek fort edhe misionet ndërkombëtare në Ballkan. Aludohet se ky vend është normal vetëm kur ka luftë. E realisht në shfaqjen ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, lufta është e përhershme.

Vrasjet që ndodhin pas luftës, përfshirë komandantin, kalojnë nëpër procese intervistimesh që asnjëherë nuk marrin epilog. Por lufta e luftëtaret mbesin në piedestal sikurse kur janë të gjallë, ashtu edhe të vdekur.

Në vitin 2017, dramaturgu Jeton Neziraj qe kërcënuar me vrasje pasi organizatat e veteranëve të UÇK-së konsideronin se ai po njolloste vlerat e luftës. Për ironi, vetë Neziraj ishte pjesë e kësaj guerileje në rrethin që jetonte. Komandant nuk ishte asnjëherë, por sa i përket thumbimit të realitetit nëpërmjet artit, goxha njëfarë eprori.

Duke u ikur shprehjeve e ngjarjeve lokale, regjisorja Blerta Rrustemi-Neziraj e ka “ambalazhuar” shfaqjen për skenë ndërkombëtare. Por, boshti është ruajtur.

Regjisorja Rrustemi-Neziraj ka thënë se ky projekt ka nisur para dy vjetësh dhe është fantastike ajo që ka ndodhur.

“T’i kemi gjithë këta njerëz nga vende të ndryshme për mua është privilegj. Dramën Jetoni e ka shkruar para disa vjetësh dhe shfaqja është realizuar në Prishtinë. Por, këtu ka qenë ideja të kemi një qasje më universale”, ka thënë ajo. Ka treguar se nuk është e lehtë të punohet me njerëz të vendeve të ndryshme për herë të parë.

“Ka qenë e rëndësishme që këta njerëz ta kuptojnë situatën tonë ballkanike dhe ta paraqesin një tornado të Ballkanit, ku këtu ndodh gjithçka dhe historia përsëritet”, ka thënë Rrustemi-Neziraj.

Aktori nga Serbia, Svetozar Cvetkoviq, ka thënë se shfaqja vjen me shumë referenca. Ka treguar se është shumë i kënaqur me krejt bashkëpunimin dhe atë që është bërë për një kohë relativisht të shkurtër. Ekipi ka pasur prova në New York dhe në Prishtinë. I pyetur nëse Ballkani i ngjan shfaqjes, ai është përgjigjur prerazi: “Ndoshta është edhe më keq”.

“Kjo është një shfaqje dhe për ne është kënaqësi ta prezantojmë para audiencës. Por, është një shfaqje dhe jeta në Ballkan është më e vështirë se kjo shfaqje”, ka thënë ai.

Në versionin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, rolin e Egistit, në vend të Cvetkoviqit, e ka luajtur Adrian Morina. Ka thënë se e bukura e teatrit është fakti se një shfaqje mund të vijë në versione të ndryshme.

“Sonte ishte një energji dhe përjetim ndryshe nga ajo që kemi pasur ne”, ka thënë ai. Sipas tij, versioni i ri i “Balkan Bordello” është një eksperiencë jo e zakonshme.

“Vetëm Jetoni dhe Blerta e kanë këtë guxim. Vërehen diferencat dhe ngjyrat midis aktorëve të Ballkanit dhe amerikanëve. Por shfaqja vjen në një frymë dhe në një ngjyrë të përgjithshme”, ka thënë ai.

Me alamet ritmi ngjarjet ikin njëra pas tjetrës në kafene. Lajmi sado i rëndësishëm ngelet në qendër të vëmendjes për pak kohë. Ngelet periferik në raport me zhvillimet e tjera. Krejt në fund bordeli merr flakë. Shumë i gëzohen këtij fakti e të tjerë druajnë nga zhvillimet. Në Ballkan shpesh paralajmërohet flaka. Megjithëse ka më shumë se dy dekada që nuk është parë, baroti gjithnjë është i thatë. Bile, kohëve të fundit edhe më. E “Ballkan Bordello” ua heq maskën shteteve e shoqërive të këtyre anëve.