EXPRESS

“Ballkan Bordello” me rrëfimet e gadishullit të luftërave

Janë aktorë shqiptarë, serbë e shtetas amerikanë të etnive të ndryshme. Përpara kanë sfidën që ta nxjerrin në skenë një copë historie të Ballkanit sipas versionit të dramaturgut Jeton Neziraj. Në një ambient kafeneje “Balkan Bordello”, të mërkurën, bazuar në trilogjinë “Orestia”, nëpërmjet humorit të zi, ka prekur temperamentin ballkanas dhe naivitetin e një epoke që ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes.

E bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, shfaqja është kthyer në Kosovë si bashkëproduksion ndërkombëtar, gati pesë vjet pas versionit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Boshti i trajtimit të situatave kur luftëtarët e kthyer nga fronti dhunojnë gjithçka mbetet i njëjtë. Por rrëfimi ka shkuar në nivel më universal pasi do të shfaqet gjithandej Ballkanit e deri në Amerikë.

Tradhtia, zaptimi i hapësirave, vrasjet e deri te ndërkombëtarët që ndërhyjnë për përmirësime situatash janë linja e shfaqjes së punuar si bashkëpunim midis teatrit “La MaMa” nga New Yorku, qendrës “Multimedia” nga Prishtina, teatrit “Atelje 212” nga Beogradi dhe fondacionit “My Balkans” nga New Yorku dhe Beogradi.

Në vitin 2017 dramaturgu Jeton Neziraj qe kërcënuar me vrasje duke e akuzuar se po njollos vlerat e luftës. Por lufta që paraqitet në shfaqje s’ka të bëjë me një vend. Është ajo e bordelit që, sipas dramaturgut, quhet Ballkan.

Aktori Svetozar Cvetkoviq thotë se Ballkani mund të jetë realitet edhe më i rëndë sesa ajo që tregohet në shfaqje.

“Ndoshta edhe më keq. Kjo është një shfaqje. Për ne është kënaqësi t’i prezantojmë e tregojmë diçka audiencës. Por kjo është vetëm një shfaqje. Jeta në Ballkan është më e vështirë se kjo shfaqje”, thotë ai.

Aktori Adrian Morina, që ishte pjesë e kastës kosovare të shfaqjes në vitin 2017, thotë se tash Ballkani vjen me ngjyra të tjera.

“Balkan Bordello” ua heq maskën shteteve e shoqërive të këtyre anëve.