Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Balerini që artin e lëvizjeve ua përcolli gjeneratave

Hysen Podrimçaku plotëson një hallkë të rëndësishme sa i përket zinxhirit të themelimit të trupës së parë të baletit në Kosovë. Përkushtimi i tij për artin skenik, e ka gjenezën qysh në fund të viteve ‘60, kur veçse filloi të hetohej pasioni i tij për këtë zhanër artistik. Si e tillë, karriera e tij prej balerini, përthekon një periudhë kohore prej gati gjysmëshekulli, pasi që angazhimi i tij është i shtrirë që nga viti 1972 deri në vitin 2019.

Miq, familjarë e kolegë, të premten janë bërë tok në Teatrin Kombëtar të Kosovës në kujtim të tij. Podrimçaku, lindur më 1953 në fshatin Novosellë të Pejës, vdiq të hënën. Ai ishte 66 -vjeçar. Ishte fundi i viteve ‘60 të shekullit të kaluar kur ai do të përzgjidhej si njëri prej nxënësve të shkollës fillore që do të vazhdonte edukimin për balet. Për katër vjet do të shkollohej në Shkup. E më 1972, bashkë me kolegët do të nisnin punën si balerinë në atë që ishte Teatri Popullor Krahinor, shkruan sot Koha Ditore.

Në takimin përkujtimor në hollin e institucionit kur për shumë vite dha kontributin e tij në skenë, por edhe jashtë saj, mes fjalimesh e bisedash u nxorën në pah veçantitë e Podrimçakut, si artist, mik e familjar. Në kujtimet e atyre që bashkëpunuan me të u cilësua si profesionist e mik i çmueshëm, i cili vlerat e tij i përcillte me modesti.

Kryetari aktual i Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, ka pasur një miqësi rreth gjashtëdhjetëvjeçare me Podrimçakun. Qysh nga fillimi i shkollës fillore ishte në një klasë me Podrimçakun. Bashkë me të, do të vazhdonin shkollimin për balet në Maqedoni.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)