Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Back to the Gorges of Balkan” riaktualizon artin bashkëkohor të para dy dekadave

Janë disa pyetje që “Galeria 17” ka ngritur derisa është marrë me organizimin e ekspozitës së radhës. Ndryshimi i skenës së artit në Kosovë në dy dekadat e fundit, mundësia e përsëritjes së veprave dhe sa ndikon situata politike në evoluimin e artit emëruesi i përbashkët prej nga është nisur organizimi i ekspozitës, “Back to the Gorges of Balkan”.

Ekspozita që do të hapet sonte (e mërkurë) në “Galerinë 17” në Prishtinë kthen disa vepra të artistëve kosovarë që ishin ekspozuar në Gjermani qysh më 2003.

Para fiks 20 vjetësh kuratori i famshëm gjerman René Block organizoi një ekspozitë të madhe në Kassel, me jo më pak se 90 artistë nga ish-Jugosllavia, Shqipëria, Turqia, Greqia, Bullgaria dhe Rumania. Asokohe, sipas organizatorëve, ekspozita e titulluar “In the Gorges of Balkan”, e mori emrin nga një roman i shkruar nga Karl May në 1892.

“Titulli shërbeu për të theksuar, me ironi, faktin se Evropa Perëndimore më në fund po merrte parasysh pjesë të një skene dhe territori mjaft të panjohur arti”, shkruhet në njoftimin e Galerisë.

E tash “Galeria 17” do të rindërtojë pjesëmarrjen e disa prej artistëve nga Kosova duke prezantuar veprat artistike që u ekspozuan në Gjermani.

Edhe “Back to the Gorges of Balkan” me artin e 2003-s si pyetje e reflektim Kulturë “Back to the Gorges of Balkan” me artin e 2003-s si pyetje e reflektim

“Në veprën e tij “Ballë për ballë” (2003), Dren Maliqi imagjinon takimin e pamundur të Elvis Presleyt (1935-1977) me Adem Jasharin (1955-1998). Ylli i rokut, siç është përshkruar nga Andy Warhol, i drejton armën heroit dhe viktimës së luftës çlirimtare të Kosovës. Dy personalitete përballen me njëri-tjetrin - i pari nga historia e kulturës pop dhe artit amerikan, i dyti nga një realitet i dhunshëm dhe mbulimi mediatik”, ka njoftuar Galeria. Kjo vepër kishte lënë nam edhe në Beograd më 2008. Ishte larguar nga huliganët serbë nga hapësira ku ishte prezantuar për dallim nga qyteti i Novi-Sadit.

“Merita Harxhi-Koci, e cila tani është një stiliste e famshme e modës në Prishtinë, ka krijuar në vitin 2003 një poster për një fushatë fiktive zgjedhore. E veshur në mënyrë zyrtare, si të gjithë politikanët, ajo pozon seriozisht para flamurit shqiptar, duke kandiduar ‘për Presidente të Kosovës’ nën ‘Partinë e Artit Bashkëkohor’”, shkruhet në komunikatë. E asokohe, më 2003, Driton Hajredini bëri një pyetje mjaft të thjeshtë “Kush e vrau pikturën?”. Këtë vepër ai e ka ekspozuar edhe në disa ekspozita të tjera.

“Njëzet vjet më vonë, çështja është ende e hapur dhe askush nuk e di se kush ishte vrasësi apo ku ndodhet trupi, i cili ishte ende në hapësirën e ekspozitës vetëm pak minuta më parë...”, shkruhet në komunikatë.

Më 2003 pak para se të nisej për në Kassel, Jakup Ferri do të regjistronte një video-mesazh të shkurtër nga familja e tij drejtuar René Block.

“Prindërit i kanë uruar suksese në Gjermani, duke i kërkuar: të ketë kujdes... në një vend të panjohur, dhe me shpresë që pas ekspozitës të kthehet në shtëpi. Ajo që mund të kishte qenë një shaka e thjeshtë ishte, sigurisht, një lojë fjalësh për rëndësinë e mbërritjes së kuratorit gjerman në Ballkanin e largët dhe për ta çuar fëmijën e mitur në qytetin e madh, kontinentin e gjerë dhe botën e globalizuar të artit”, shkruhet të komunikatë. Aty sqarohet se një ironi e ngjashme mund të shihet në “Më shpëto, më ndihmo”, një tjetër video në të cilën artisti i ri reflekton mbi punën e tij dhe ua prezanton koleksionistëve apo kuratorëve të mundshëm.

Kuratori i ekspozitës që rikthen veprat Thibaut de Ruyter ka sqaruar se “In the Gorges of Balkan” ishte një shfaqje mbi reputacionin e rrezikshëm që rajoni kishte për pjesën tjetër të Evropës, menjëherë pas luftërave të shumta që pasuan rënien e Jugosllavisë.

“Kjo ekspozitë, e cila solli një brez krejtësisht të ri artistësh në shikueshmërinë ndërkombëtare, është bërë një moment historik në historinë e artit për shkak të cilësisë së kërkimit të saj kuratorial dhe veprave artistike krijuese që përshkruanin ngjarje traumatike, pasiguri politike dhe kritika ndaj botës së artit të globalizuar”, ka sqaruar ai.

Sipas Thibaut de Ruyter, duke parë sot veprat e artit të punuara 20 vjet më parë, është e mahnitshme të shohësh se sa të rëndësishme janë ato ende. Ka shkruar se artistët jo vetëm që krijuan pjesë që pasqyronin situatën e tyre në vendin e tyre, por gjithashtu shprehën kuptimin e tyre për rolin që duhej të luanin në botën e artit perëndimor.

Edhe “Back to the Gorges of Balkan” me artin e 2003-tës EXPRESS “Back to the Gorges of Balkan” me artin e 2003-tës

“Rëndësia e kuratoreve ndërkombëtare (Jakup Ferri), mundësia e pikturës në artin bashkëkohor (Driton Hajredini), estetika e fushatave politike dhe rëndësia e luftës feministe (Merita Harxhi-Koci), apo përballja mes kulturave dhe historive të ndryshme ( Dren Maliqi) - nuk ka ndryshuar shumë në sferën e artit bashkëkohor”, ka shkruar ai. Sipas tij, kjo i bën këto vepra arti më të nevojshme se kurrë. “Ato nuk janë thjesht dëshmi apo thjesht arkiva nga një situatë e kaluar apo një periudhë tranzicioni, vazhdojnë të jetojnë dhe të na pyesin për artin dhe shoqërinë. Ato janë, në një farë kuptimi, të përjetshme, siç duhet të jenë të gjitha veprat e mira artistike”, ka shkruar ai.