“Ekspozitë për të papërfunduarën” do të ishte përshkrimi i thjeshtëzuar, që organizatorët e “Autostrada Biennale”, nga fundi i qershorit thjeshtazi e përkufizuan edicionin e sivjetmë, kur po i jepnin formë. Dhe kjo ka marrë kuptim të shtunën në hapjen zyrtare në Prizren. “Çka nëse një rrugëtim…”, siç është titulli i “Autostradës…” së tretë, është një pushtim artistik, por që nuk mëton të përfundojë. Lë pyetje të hapura, të vazhdueshme bashkë me ftesën për ta zbërthyer një alamet bote artistike. Në fakt, një ngjarje e tillë tashmë ka përmasa botërore. Ish-baza e KFOR-it gjerman është njëri nga stacionet e pushtimit me art, por rrugëtimi vazhdon
“Unë nuk do të isha ku jam sot pa edukimin mahnitës të arteve publike”, është thënie e Matthew Morrisonit, një bashkëdyzim shpirtëror midis emocionales krijuese dhe hapësinores, si diçka e prekshme dhe e qasshme.
Monumentet, rrugët, kalaja, bibliotekat, stacioni i autobusëve, shtëpitë e vjetra, hapësirat e papërdorshme mund të jenë funksionale dhe mund të ndihet në to fryma e kulturës.
Kjo ishte ajo çfarë u ndje në edicionin e tretë të “Autostradës Biennale”, e cila pas ndërhyrjes urbanistike “Fushat e Lulediellit” nga Agnes Denes dhe instalacionit “Lule Mosmëharro” të Petrit Halilajt e Alvaro Urbanos, vazhdoi shtrirjen artistike të shtunën në Prizren, ku u bë edhe hapja zyrtare.
Në ish-bazën e KFOR-it gjerman, e cila tashmë është shndërruar në hapësirën për edukim dhe prodhim të “Autostrades Biennale”, u shpalosën në hapjen zyrtare punimet e artistëve të Kosovës e të atyre ndërkombëtarë të kuruara nga Övül Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.
Një pikë e ëndërruar që u bë realitet
Edhe
“Autostrada...” rrymon trashëgiminë me art bashkëkohor
“Ne sot po qëndrojmë këtu, në një pikë të cilën e kemi ëndërruar dhe u bë realitet”, ka thënë organizatori Leotrim Fishekqiu, në ceremoninë e hapjes zyrtare.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka çmuar organizimin e tillë pas një viti të vështirë pandemik.
“’Autostrada Biennale’ mbledh artistët nga e gjithë bota në Prizren, qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë në galeri, por artin e shohin në rrugë, në kala, në mure”, ka thënë Haskuka.
Përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka thënë se ky organizim nuk ka fokusin vetëm te krijimi artistik, por edhe te frymëzimi i të tjerëve përmes saj.
“Është shumë e rëndësishme që 20 vjet pas luftës kur ka ndodhur demilitarizimi, ne shohim se është krijuar art në hapësira publike”, ka thënë Giacobbe.
Shija e traditës në një version tjetër
Gjithçka nisi me tone tradicionale në një version ndryshe. “Cooking Sections” është duo e themeluar në Londër në vitin 2013 nga Daniel Fernandez Pascual dhe Alon Schwabe, i cili ka fokusin te prezantimi i mënyrave të reja të të ushqyerit. E të njëjtin mesazh e dha edhe shefi i kuzhinës, Fejsal Demiraj me projektin e tij kërkimor “Ekspedita e Gastronomisë Shqiptare”.

Gjithçka nisi me tone tradicionale në një version ndryshe. Shefi i kuzhinës, Fejsal Demiraj erdhi me projektin e tij kërkimor “Ekspedita e Gastronomisë Shqiptare
“Receta e gatuar dhe e shërbyer është thirrje për zhvendosje kulturore dhe bujqësore në mënyrën se si njerëzit lidhen me tokën”, thuhet në katalogun e “Autostrada Biennale”.
E pas njohjes me një ushqim tradicional shqiptar me një format të shëndetshëm, të pranishmit me udhëzimin e kuratoreve kanë kaluar te instalacion brenda hapësirës e cila është në shfrytëzim të “Autostradës Biennale”.
Frymë e re për ndryshim
Instalacioni gjigand i Flaka Halitit merr vëmendjen e të pranishmëve. Roboti i katërt i krijuar nga artistja kosovare, u realizua njësoj si ata paraprakët, prej materialeve të gjetura në ish-kampet e KFOR-it e copëzave ricikluese. E në formatin e krahëve në ajër dhe gërshetimit të saj me një pamje digjitale, ajo iu kthye ‘shtëpisë’ së vet, pikërisht njërit nga vendet prej ku kishte brumin formues. Piktura ishte përshtatje vizuale e periudhës së Renesancës dhe një adaptim i hapësirës hibride që definohet nga një rrjet gjeometrik.

Instalacioni gjigand i Flaka Halitit merr vëmendjen e të pranishmëve. Roboti i katërt i krijuar nga artistja kosovare, u realizua njësoj si ata paraprakët
E përveç këtyre dy pjesëve artistike, në hapësirën e njëjtë u ndjenë tingujt e kolonës zanore nga grupi në përbërje prej Marishka Soekarna dhe Ken Zefanya nga Xhakarta dhe Kassel, të cilat e quajtën grupin e tyre si “Iramamama”. Meloditë e krijuara autentikisht për këtë organizim flasin artistikisht për përdorimin e muzikës në përpjekjet kundër kolonializmit së Azisë Juglindore në periudhën e viteve 1950.
E në qoshen përballë, zinte vend hulumtimi i kolektivit artistik nga Spanja, “INLAND”, me idenë e Fernando Garcia-Dory, lidhur me kulturat baritore e malore të bjeshkëve të Sharrit, duke përfshirë fotografi të prodhimeve vendore.

Hulumtimi i kolektivit artistik nga Spanja, “INLAND”, me idenë e Fernando Garcia-Dory, lidhur me kulturat baritore e malore të bjeshkëve të Sharrit, duke përfshirë fotografi të prodhimeve vendore
Kuratorja me prejardhje turke, e cila jeton në Berlin dhe ka shtrirë veprimtarinë kuruese në Austri, Bullgari, Gjermani e Turqi, Övül Durmuşoğlu në prononcimin e saj për KOHËN ka thënë se ndihet mirë sa herë që punon në Ballkan.
“Të punoj me një organizim si “Autostrada Biennale” që ka një frymë të re, që dëshiron të ndryshojë rrethanat e kohës dhe të krijojë rrëfime të reja, ka qenë një ndjesi e veçantë”, u shpreh Durmuşoğlu.
“Rrugë” në tri stacione
Ka shpjeguar se për të “Autostrada Biennale” njësoj si emërtimi, ka qenë një “rrugë” dhe kështu edhe kanë krijuar “tri stacione”, në Prishtinë, Prizren e Pejë.
Rrugëtimi i nisur në maj të vitit të kaluar i ka lënë tejet mbresa profesoreshës në Universitetin e Arteve në Berlin, teksa me vështirësi ndan një moment nga të gjitha kujtimet në Kosovë.
“Në çdo moment që kemi gjetur një hapësirë të re, në çdo dialog kemi shumë kujtime, por njohja me ustahët e filigranit këtu në Prizren ka qenë një ndjesi ndryshe”, shprehet kuratorja.
Ndërkaq organizatorja Vatra Abrashi, ka theksuar për KOHËN se 90 për qind e këtij edicioni është zhvilluar në hapësira publike, e në Prizren kryesisht me fokus te Lumbardhi.
“E gjithë ekspozita është kuruar në atë formë që artistët ndërkombëtarë e vendorë së bashku me organizatat e ndryshme t’i trajtojnë temat me interes dhe t’i shtjellojnë këtu”, ka thënë Abrashi.
Edhe
“Autostrada Biennale” ia mësyn dekadës së dytë me art si thirrje për paqe
Ajo ka theksuar se ndihet mirë që kanë arritur të sjellin në një vend vepra të llojllojshme, teksa ka theksuar se “Autostrada Biennale” do të vazhdojë me punëtori e diskutime.
“Ne e kemi filluar organizimin në një qytet që s’ka galeri me idenë që të shtrihemi në tërë qytetin dhe të shfrytëzojmë hapësira të ndryshme alternative që na përkasin neve”, ka thëne Abrashi.
“Demokracia” kritike
Në anën tjetër, Prizreni jetoi gjallërimin kulturor me shumëngjyrshmërinë e instalacioneve e artit në hapësira publike nëpër dromca të qytetit. Njëra nga to ishte edhe objekti i Lidhjes së Prizrenit, i cili doli nga heshtja e pluhurit kohor dhe jetoi gjallërimin artistik në të.
Që në oborrin e tij, karriget e kthyera përmbys reflektonin një mesazh shumëdimensional, teksa si një “simbolikë” e natyrës, shiu i madh i bëri të duken edhe më kumbuese.
“Demokracia” mban emrin instalacioni i Agron Blakçorit, për të cilin vazhdon të jetë fjalëpak, për të mos e prishur mundësinë e kuptimeve të ndryshme nga audienca.

“Demokracia” mban emrin instalacioni i Agron Blakçorit
“Është një ide që e pata në mendje qe një kohë të gjatë dhe i erdhi koha ta realizoj te Lidhja e Prizrenit”, thotë ai.
Tre rrathë me karrige prej druri të huazuara nga njëra nga shkollat e rrethit, prezantojnë kritikë për vendimmarrjen lokale e ndërkombëtare.
“E kam instaluar në formën e takimeve apo tubimeve, sepse flet për një grup njerëzish të cilët marrin vendime për shumicën e njerëzve”, u shpreh Blakçori.
Kur pyetet për më shumë detaje thotë se demokracia është e brishtë. Ndërkaq, pavarësisht aspektit kritikues të politikës përmes artit, ka tone pozitive brenda saj.
“Të kthesh karriget me kokë poshtë, të ulesh mbi to dhe të marrësh përgjegjësi për një të ardhme tjetër është e mundur”, thuhet në katalogun e “Autostrada Biennale”.
Kujtimi për kohën e shkuar
E mundësi për rikthim në kohë ka pasur edhe me veprat e Valbona Zherkës, të cilat ishin punuar me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Me një hollësi artistike e gërshetim të motiveve të tradicionales në to, dy veprat në formën e tapicerisë janë një kujtim “bardh e zi” për kohën e shkuar, duke e bërë lidhjen me të tashmen.

Mundësi për rikthim në kohë ka pasur edhe me veprat e Valbona Zherkës, të cilat ishin punuar me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit
Të quajtura “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës” e të krijuara me delikatesë para 43 vjetësh, u restauruan në bashkëpunim me “Autostradën Biennale” dhe Komunën e Prizrenit.
“Për mua është një privilegj që veprat e mia qe shumë vjet qëndrojnë në një muze të tillë”, ka thëne Zherka për KOHËN.
Ajo pohon se kjo e ktheu shumë në kohë, duke ia kujtuar periudhat e shkuara.
“U ktheva 43 vjet pas, atëherë kur isha 22-23 vjeçe”, ka thënë artistja veprat e së cilës janë ekspozuar në Sarajevë, Beograd, Maribor e Zagreb.
Mirëpo, ajo e ka pranuar se nuk ka qenë e lehtë ndërhyrja në to.
“Ishte pak problem përgjatë restaurimit për shkak që artisti kalon nëpër disa ide të tjera, mirëpo jam e kënaqur që restaurimi ka shkuar mirë dhe pa asnjë ndërhyrje”, ka thënë Zherka.
Çelës për imagjinatë
E njëri ndër aktivitetet më të mëdha të edicionit të sivjetmë ishte “Bebëza e syrit tim është çerdhja jote” e artistes turke, Hera Buyuktasçiyan. Për të kushtet e jetesës së tanishme nuk mbeten në suaza të kufizimeve, mirëpo janë çelës për imagjinatë. Kështu, kaltërsinë e ujit të Prizrenit, ajo e ‘rikthen’ përmes një formacioni ndryshe. Përmes shiritave të gjatë e të kaltër, Buyuktasçiyan tenton ta hartëzojë një shteg tjetër të lumenjve, duke përfshirë derdhjen e dikurshme të degëve si Kasem Begu, Kukli Begu, Suzi Begu e Begzadja.
Edhe
“Autostrada Biennale” zgjerohet e fuqizohet me hapësirë të re

“Bebëza e syrit tim është çerdhja jote” nga artistja turke, Hera Buyuktasçiyan
E dita e parë e hapjes zyrtare përfshiu edhe performancën e grupit “Have it” në Mullirin e Pintollit, monumentin në lëvizje të Alban Mujës, e cila është një risjellje e së ‘zhdukurës’ së Mitrovicës, shenjës identifikuese “Punë, art dhe dije”, përmes së cilës, ai pasqyroi gjendjen e monumenteve nga periudha e Jugosllavisë; prezantimi i veprës së Sezgin Boynik dhe Tevnik Rada në shtëpinë e Shani Efendiut; prezantimi i veprës së Rossella Biscotti në Kinemanë “Lumbardhi”; bashkëpunimi mes Punëtorisë së Filigranit dhe Camilla Rocha në Urën e Kaltër; te shtëpia pranë lumit është prezantuar vepra e Malgorzata Mirga-Tas dhe Edis Galushit e shumë të tjera.
Të dielën “Autostrada Biennale” do të vazhdojë me prezantimin e përfshirjes së artit në hapësira publike në Prizren në disa lokacione të mbetura, teksa të hënën do të vazhdohet në qytetin e Pejës.