Kulturë

“Audienca” me ironi zhvesh pushtetin e burokracinë

auud

Personazhi kryesor Ferdinand Vaněk (Bujar Ahmeti), që shpesh perceptohet si alter-ego i vetë Havelit, është një shkrimtar, të cilit i ndalohet të merret me problemet e tij përmes shkrimit dhe është i detyruar të punojë në birrari. I ftuar për një “audiencë” nga shefi i birrarisë, Cervecero (Afrim Kasapolli), atij i ofrohen “lehtësira”, me kushtin që ai të tregojë besnikëri ndaj pushtetit

Sa herë që inskenohet, i flet së tashmes. “Audienca” e Václav Havelit është një dramë e dyshimit dhe e vetëreflektimit, ku çdo fjalë rrotullohet rreth asaj se kush e bart pushtetin, ai që komandon apo ai që hesht. Probleme aktuale, i ka quajtur regjisorja Melihate Qena ato që trajtohen në këtë shfaqje me lojën mjeshtërore të Bujar Ahmetit e Afrim Kasapollit, i cili, ndër të tjera, përmbush edhe një premtim që ia kishte thënë kaherë Havelit

Parulla “Ku zihet birra, njerëzit jetojnë të lumtur”, e vendosur mbi skenë, është dukur si një shaka e ëmbël në fillim, por sa më shumë zhvillohej shfaqja, aq më shumë tingëllonte si një ironi e hidhur. Ka qenë fjalia që kap syri me të hyrë në absurditetin e “Audiencës” së çekut Václav Havel. Në bashkëprodhim me teatrin e qytetit të Prishtinës “Dodona”, Teatri Kombëtar i Kosovës të mërkurën ka sjellë premierën e kësaj shfaqjeje nën regji të Melihate Qenës dhe interpretim të Afrim Kasapollit e Bujar Ahmetit. Publiku prishtinas është përballur me një reflektim ironik dhe plot tension mbi pushtetin, burokracinë dhe absurdin që lind kur individi vishet me burokratizëm.

Skena e zhveshur e pa zhurmë të madhe ka takuar dy aktorë përballë njëri-tjetrit, tek kanë ndërtuar një univers të vogël, por plot tension, atë mes një punëtori dhe shefit të tij, mes një njeriu që përpiqet ta ruajë dinjitetin dhe një sistemi që përpiqet ta përpijë. Disidenti Havel, dramaturg e ish-president i Çekosllovakisë, e ka shkruar këtë dramë në vitet ‘70, kur ndalimi, censura dhe frika kishin qenë pjesë e jetës së përditshme. Por absurdi i tij mbetet i përjetshëm, në përballje me forma të reja të nënshtrimit dhe heshtjes.

Personazhi kryesor Ferdinand Vaněk (Bujar Ahmeti), që shpesh perceptohet si alter-ego i vetë Havelit, është një shkrimtar, të cilit i ndalohet të merret me problemet e tij përmes shkrimit dhe është i detyruar të punojë në birrari. I ftuar për një “audiencë” nga shefi i birrarisë, Cervecero (Afrim Kasapolli), atij i ofrohen “lehtësira”, me kushtin që ai të tregojë besnikëri ndaj pushtetit, të dorëzojë informacion, të heshtë, ose të bëjë kompromis me vetveten. Ky moment kristalizon dilemat morale midis kompromisit dhe dinjitetit, midis fjalës dhe heshtjes. Me anë të kësaj, Haveli tregon mënyrën se si pushteti e prish shpirtin njerëzor dalëngadalë, pa dhunë, me një gotë birrë, një ofertë, e me një bisedë që s’ka fund.

Është shfaqje përplot komedi. Gotat mbushen një pas një, mjeshtri dehet, ndërsa Ferdinandi,  duke mos dashur t’i nënshtrohet dehjes, fshehurazi i hedh tutje gotat. Gjuha është e pasur me absurditet: fjalë që përsëriten, ligje pa fund, rregullore, amendamente, dokumente që krijojnë një labirint ligjor ku individi ndihet sikur është gabim, pavarësisht veprimeve të tij.

Skena e zhveshur e pa zhurmë të madhe ka takuar dy aktorë përballë njëri-tjetrit, tek kanë ndërtuar një univers të vogël, por plot tension, atë mes një punëtori dhe shefit të tij, mes një njeriu që përpiqet ta ruajë dinjitetin dhe një sistemi që përpiqet ta përpijë

Skenografia e shfaqjes është realizuar nga Elma Azemi, e si kompozitor ka shërbyer Memli Kelmendi. Ndërkaq, puna dramatike në shfaqje nuk është vetëm regjisoriale. 

Sipas regjisores Melihate Qena, puna e saj ka qenë më shumë në rolin e vëzhgueses, si mbështetëse, duke i lënë aktorët të eksplorojnë. Kjo edhe e reflekton temën kryesore të shfaqjes: “autonomia” individuale brenda një sistemi që dëshiron kontroll.

“Me thanë që i kam bërë regji Afrim Kasapollit dhe Bujar Ahmetit – dy aktorëve të shkëlqyeshëm – nuk është e vërtetë, sepse ata e kanë bërë shfaqjen vetë, kanë punuar vetë. Unë herë pas here kam shkuar, vetëm jam mrekulluar nga provat e tyre, sepse gjetjet e tyre, ato kryesoret, janë të atyre vetë. Prandaj, me u lavdëru unë, me thanë që e kam bërë një shfaqje të mrekullueshme, kish me qenë jo e vërtetë. Shfaqjen e kanë bërë dy aktorë të mrekullueshëm e unë kam qenë vetëm ndoshta ndihmëse”, ka thënë ajo pas shfaqjes.

Në fakt, kjo mënyrë pune duket se i përshtatet frymës së Havelit. “Audienca” është një dramë e dyshimit dhe e vetëreflektimit, ku çdo fjalë rrotullohet rreth asaj se kush e bart pushtetin, ai që komandon apo ai që hesht. Probleme aktuale i ka quajtur regjisorja ato që trajtohen në dramë.

“Sonte jam shumë e lumtur që ka ardhur Afrimi ashtu qysh e meriton me qenë, me shkëlqimin e plotë. Normal që përvoja në skenë e vitet në skenë janë vetëm një pasuri e madhe që me secilën lëvizje, me secilën fjalë e tregon. Haveli është bashkëkohor, luhet në krejt botën. Janë probleme tonat, gjithmonë është tregimi i atyre njerëzve të vegjël, ata që njëherë bashkëpunojnë me pushtetin, mandej e shohin që kanë mbetur edhe pa pushtet, edhe në të vërtetë të shfrytëzuar, të keqpërdorur dhe zhgënjimet vijnë në fund”, ka shtuar regjisorja Qena.

Aktori Afrim Kasapolli ka theksuar një premtim që dikur nuk mund ta realizonte për shkak të moshës, por që tani, duke pasur përvojë, mund ta sjellë tekstin ashtu siç e meriton: të plotë, të fortë, të kohës.

“Këtë shfaqje e kam punuar me një pasion të veçantë, kam pasur nderin të njoftohem me Havelin para shumë vjetësh dhe i kam thënë se do ta punoj këtë tekst. Më ka thënë ‘Pse s’po e punon?’ I kam thënë ‘S’e kam moshën’. Tash e kam moshën. Këtë shfaqje e kam bërë edhe një herë, me Alfred Trebickën, një aktor prej Shqipërie, por s’patëm fat me shku në Çeki, na thirrën, Fredi pati do obligime, e me një fjalë nuk arritëm. Jam shumë, shumë i gëzuar që e arrita momentin ta mbaj fjalën që ia kam dhënë Vaclav Havelit dhe e bëmë një shfaqje, më duket të lakmueshme, të pranueshme, të lexueshme, të kohës”, ka thënë ai.

Për aktorin, kjo është një mënyrë për ta mbajtur një premtim artistik, por edhe moral ndaj një autori që besonte se teatri mund të tregojë të vërtetën më mirë se çdo fjalim politik. Ka treguar historinë e Napoleonit që gjatë një delegacioni në Rusi, kalon pranë një teatri ku jepej një shfaqje e Çehovit. Aty, i kamufluar, ai hyn dhe e sheh shfaqjen, për të cilën flitet gjithkah. Përmes kësaj metafore, Kasapolli ka treguar rëndësinë e teatrit.

“Teatri është pasqyrë e një shteti. Kështu që kemi punuar ne këtu, e shpresojmë që ta bëjmë një teatër, e bëjmë shumë teatro, për me qenë pasqyrë e shtetit”, ka shtuar ai.

Edhe aktori Bujar Ahmeti, që për herë të dytë ndan skenën me Kasapollin, e ka përshkruar procesin si të lodhshëm, por të bukur.

“Jam shumë i lumtur që e kemi kapërthyer një proces të këtillë të kësaj shfaqjeje. Uroj që kjo shfaqje të ketë jetë të gjatë, e dua shumë këtë rol, këtë shfaqje, më pëlqen shumë teksti, autori po ashtu. Aktorët dhe regjisorja na kanë ndihmuar shumë ta kemi procesin më të lehtë. Teksti është shumë i mirë, por vështirësia e tekstit është që përsëritet vazhdimisht, të kthen nganjëherë prapa dhe nuk e di më a je aty në mes, mandej jemi detyruar të punojmë me shenja regjisoriale, se cili moment është kur përmendet për herën e dytë e të tretë e njëjta fjalë. Jam shumë i lumtur”, ka thënë aktori Ahmeti.

“Audienca” e Havelit, si produksion i teatrit të qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, qe dhënë premierë në maj të vitit të kaluar nën regjinë e Bashkim Ramadanit dhe me aktorët Ernest Malazogu dhe Alban Krasniqi. Shfaqja me këtë produksion ishte dhënë edhe në edicionin e atij viti të “EtnoFestit”.

 

Folegjenda: