Kulturë

Atdhe Gashi – regjisori e dramaturgu që besonte në art

atdhe gashi

Shenjat i janë rikthyer në skenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në atë që dikur ishte Teatri Krahinor Popullor e ku regjisori e dramaturgu i ndjerë dha kontribut të çmueshëm në dekadat e kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi. Fotografia bardhezi ka soditur gjithë publikun. Të hënën pasdite, një ditë pas varrimit të tij, familjarë, miq e bashkëpunëtorë janë mbledhur për ta kujtuar e nderuar jetën dhe veprën e tij (Foto: Ministria e Kulturës)

Fjalëpak, modest, i urtë për nga personaliteti ndërsa mjeshtër i përkushtuar dhe i dashur në profesion. Kështu është kujtuar regjisori e dramaturgu Atdhe Gashi në mbledhjen përkujtimore në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Vepra e tij është nderuar me një minutë heshtje sikurse edhe kontributi i tij në formësimin e institucioneve e të kulturës në vend. Duartrokitjet qenë mirënjohja e publikut në skenën që i dha jetë në kohëra të vështira për vendin

Një prej paraqitjeve të fundit në publik të regjisorit e dramaturgut Atdhe Gashi qe promovimi i plot 11 veprave të tij në vitin 2018. “Dashnori juridik”, “Zoti shoku Gaf” e “Shoku Gaf” ishin midis këtyre titujve. Ato janë dëshmia se largimi nga skena në vitet ’90 kur shqiptarët dëboheshin nga institucionet nuk e kishte ndaluar misionin e tij, atë të të shkruarit. E Gashi, i cili vdiq të shtunën në moshën 84-vjeçare, qe fjalëpak, modest, i urtë e besimtar në art. Ashtu edhe është kujtuar në mbledhjen përkujtimore në nderim të veprës së tij.

Shenjat i janë rikthyer në skenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në atë që dikur ishte Teatri Krahinor Popullor e ku regjisori e dramaturgu i ndjerë dha kontribut të çmueshëm në dekadat e kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi. Fotografia bardhezi ka soditur gjithë publikun. Të hënën pasdite, një ditë pas varrimit të tij, familjarë, miq e bashkëpunëtorë janë mbledhur për ta kujtuar e nderuar jetën dhe veprën e tij. Fillimisht me një minutë heshtje, e më pas të mbledhurit dhanë duartrokitjet e fundit për të në sallën e teatrit, siç bënin në fund të secilës shfaqje të punuar prej tij.

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se vdekja e regjisorit e dramaturgut Atdhe Gashi është humbja e radhës e teatrit dhe artit shqiptar.

“Atdheu, i arsimuar jashtë vendit në kohë shumë të rënda për vendin tonë, solli në Kosovë një frymë të re të të bërit art dhe qasje inovative në mënyrën sesi mund të zhvillohet arti te ne. Si aktor, regjisor, mësimdhënës, figurë transformuese në mënyrën sesi radio mund t’i shërbejë artit dhe kontribuues edhe në fushën e muzikës, ai ka formësuar gjenerata të ndryshme në forma direkte dhe indirekte. Jemi përjetë falënderues jetës së tij kushtuar artit dhe kulturës”, është shprehur ai.

Një muaj më parë, skenës së teatrit iu shua edhe një tjetër figurë e shquar, aktori e regjisori Enver Petrovci. Çeku ka thënë se detyrë e institucioneve është përkujtimi i këtyre figurave dhe të ndikimit të tyre në historinë e artit në vend.

“Me humbjet e fundit të komunitetit të teatrit, detyrë e jona e pazëvendësueshme mbetet përkujtimi i këtyre figurave dhe ndikimit të tyre në historinë e artit të vendit tonë. Kujtimi për ta duhet të shërbejë si akt rezistente kundër harresës, akt i përqafimit të cilësisë dhe vlerave tona kulturore dhe artistike të cilat janë zhvilluar në kushte shumë të vështira”, është shprehur ai.

Kushtrim Mehmeti, udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, që e ka organizuar mbledhjen përkujtimore, ka thënë se përtej një regjisori e autori, Gashi ishte njeri i përkushtuar ndaj teatrit.

“Një krijues që nuk e njeh ndarjen midis jetës dhe artit. Në kohët më të vështira, kur shqiptarët u dëbuan nga institucionet në vitet ’90 ai u detyrua të largohej nga skena, por kurrë nga teatri, sepse për Atdheun teatri nuk ishte profesion. Ishte frymë e jetë. Edhe larg skenës ai vazhdoi të shkruante, të ëndërronte, të mbante gjallë emocionet që vetëm teatri mund t’i japë. Në vitin 2018, kur paraqiti për publikun 11 vepra, ai dëshmoi se krijimtaria e tij nuk kishte pushuar asnjëherë, vetëm kishte pritur momentin për t’u dëgjuar sërish”, ka thënë ai.

Ka thënë se me modestinë, përkushtimin dhe dashurisë ndaj skenës u dha hov dekadave të para të zhvillimit kulturor.

“Atdhe Gashi ishte ndër kontribuuesit e mëdhenj të artit skenik e kulturës sonë kombëtare.  Nga fillimet e tij në atë që dikur njihej si Teatri Popullor Krahinor, në veprimtarinë e tij në Radio Prishtina dhe nëpër shumë teatro tjera të Kosovës. Një jetë e tërë në shërbim të artit, në skenë, në shkrime, në fjalë e në ide. Ai ishte njeri i butë, i urtë, modest dhe i dashur, siç e përshkruajnë miqtë e tij, por njëkohësisht i palodhshëm në kërkimin e bukurisë dhe të së vërtetës së artit”, ka thënë Mehmeti derisa ka kujtuar edhe krijimtarinë e të ndjerit.

“Në regjinë e tij u mishëruan shfaqjet që mbajnë vulën e përjetshme të mjeshtërisë. ‘Dasma e përgjakur’, ‘Njeriu që pa vdekjen me sy’, ‘Mosha e bardhë’ e ‘Besa e madhe’ dhe shumë të tjera që kanë mbetur në kujtesën e aktorëve dhe shikuesve. Në radio-dramë krijoi një univers të tërë fjalësh dhe emocionesh duke lënë pas një thesar prej qindra realizimesh që ende sot dëgjohen”, ka thënë Kushtrim Mehmeti më tej.

Donika Gashi, vajza e regjisorit e dramaturgut të ndjerë, ka thënë se Atdhe Gashi nuk u nda kurrë nga skena. Se shkroi dhe besoi në art deri në frymën e fundit.

“Për ne si familje, kjo është një ditë e vështirë, por praninë dhe përkrahjen tuaj e ndjejmë si ngushëllim dhe nderim të madh. Jemi thellësisht mirënjohës për këtë organizim dhe për të gjithë respektin që i jepet kujtimit të tij. Sot ne nuk jemi vetëm në dhimbje, por edhe të bashkuar në krenarinë për veprën që la pas. Një jetë e tërë dedikuar artit, kulturës dhe krijimtarisë. Për komunitetin kulturor dhe për ne si familje, kujtimi i tij mbetet frymëzim. Ai nuk u nda kurrë nga skena, deri në frymën e fundit shkroi, krijoi dhe besoi në artin që e deshi me gjithë zemër”, është shprehur ajo.

Kur shqiptarët u dëbuan nga institucionet në vitet ’90, Gashi emigroi. Provoi të kthehej në Kosovë por pa sukses. Por nuk iu nda dramës e shkrimit. Në tetorin e vitit 2018, lexuesit në Prishtinë i erdhi me 11 komedi. Në ceremoninë e përurimit, do të thoshte se ato ishin vepra të shkruara në kohë së vështira. Do të paralajmëronte se kishte edhe shumë të tjera në dorëshkrim.

Kontributi i regjisorit e dramaturgut, Atdhe Gashi, mbetet pjesë e çmuar e historisë së teatrit dhe kulturës së vendit në përgjithësi.