Kulturë

Asociacioni i Teatrove: Censura, kërcënim për institucionet kulturore

Asociacioni i Teatrove: Censura, kërcënim për institucionet kulturore

Me gjithë sabotimin nga autoritetet komunale, teatri “Adriana” i Ferizajt është zotuar se do ta japë shfaqjen “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” të pacensuruar e sipas konceptit regjisorial

Foto: Driton Paçarada

“Çdo përpjekje për të kufizuar lirinë artistike – qoftë përmes censurës së drejtpërdrejtë apo përmes formave të heshtura e burokratike – përbën një kërcënim serioz jo vetëm për institucionet kulturore, por për vetë parimet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike”, shkruhet në reagimin e Asociacionit të Teatrove Publike të Kosovës, të mërkurën, tri ditë pasi teatri “Adriana” i Ferizajt alarmoi tentimin për censurë dhe sabotimin e shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nga autoritetet komunale dhe Dega në Ferizaj e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së

Kërcënim serioz për institucionet e kulturës e ka cilësuar Asociacioni i Teatrove Publike të Kosovës rastin e teatrit “Adriana” në Ferizaj, ku Komuna nëpërmjet sabotimit e veprimeve të tjera ka synuar të censurojë këtë projekt artistik. Në fillim të javës teatri “Adriana” bëri të ditur se ka pasur tentim për retushim të tekstit e sabotim nga Komuna për shfaqjen me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Agon Myftarit. Të mërkurën Asociacioni i Teatrove Publike të Kosovës ka dalë në mbështetje të lirisë krijuese. 

Asociacioni ka shprehur shqetësimin e thellë dhe solidaritetin e plotë me teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe trupën krijuese të shfaqjes “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”. 

“Çdo përpjekje për të kufizuar lirinë artistike – qoftë përmes censurës së drejtpërdrejtë apo përmes formave të heshtura e burokratike – përbën një kërcënim serioz jo vetëm për institucionet kulturore, por për vetë parimet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike”, shkruhet në reagim. Sipas Asociacionit, teatrot publike janë hapësira të lira dhe të guximshme të reflektimit, kritikës dhe debatit shoqëror. Në reagim shkruhet se arti nuk ka për detyrë të kënaqë, por të sfidojë, të provokojë dhe të nxisë mendimin. 

“Kjo e drejtë është e mbrojtur me Kushtetutë dhe është fituar me sakrifica të mëdha – politike, kulturore dhe njerëzore”, shkruhet në reagim. Duke mbështetur teatrin “Adriana” në përballje me presionet institucionale dhe mungesën e mbështetjes, Asociacioni ua ka bërë me dije të gjitha institucioneve se krijimtaria artistike nuk guxon të cenohet për motive politike, ideologjike apo moraliste.

“Çdo institucion i kulturës ka të drejtë dhe detyrë të trajtojë tema të ndjeshme, edhe kur ato janë të papërshtatshme për pushtetin apo të pakëndshme për një pjesë të opinionit; Sabotimi i projekteve teatrore në emër të ‘vlerave’ është regresiv, i rrezikshëm dhe i papranueshëm; Përpjekja e vazhdueshme për politizim dhe kontrollim të teatrove publike është në kundërshtim me ligjin, me vlerat demokratike dhe me vetë misionin e teatrit”, shkruhet në reagim. Asociacioni u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të reflektojnë menjëherë, t’iu japin fund praktikave penguese dhe të ofrojnë përkrahjen e nevojshme. Ka pasur edhe një tjetër thirrje. Ajo për qytetarët, komunitetin artistik dhe mediat që të jenë të pranishme më 14 qershor në teatrin “Adriana” për të mbrojtur jo vetëm një shfaqje, por lirinë e artit në Kosovë.

Dramaturgu Jeton Neziraj ka kohë që njihet si “belaxhi” i madh në raport me temat dhe mënyrën se si ato trajtohen në dramat e tij. “Belatë” e tij kanë shpërfaqur tentim të sabotimit e censurës në Kosovë dhe përtej. Në Turqi e Bosnjë-Hercegovinë ka pasur alamet debatesh. Madje në Stamboll edhe dorëheqje të një drejtori teatri në mbrojtje të lirisë artistike. Tash është radha e Komunës së Ferizajt bashkë me Degën në Ferizaj të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Tentimin për censurë dhe sabotimin në lidhje me këtë shfaqje i ka bërë të ditura në një deklaratë për media teatri i Ferizajt “Adriana” të hënën e kësaj jave. 

“Është e pabesueshme që në vitin 2025, kur flitet për liri krijuese dhe mbështetje për artin, të përballemi ende me forma të censurës dhe të kufizimeve ndaj shprehjes artistike.  Pikërisht këtë kemi përjetuar gjatë procesit krijues të shfaqjes ‘Fluturimi mbi teatrin e Kosovës’ të Jeton Nezirajt, në regji të Agon Myftarit, që po realizohet në teatrin ‘Adriana’ të Ferizajt”, shkruhet në fillim të deklaratës. Tregohet se teksti i plotë i shfaqjes – pa shkurtime, sipas konceptit regjisorial –  është dorëzuar për verifikim më 15 maj, dhe më pas, më 22 maj, kanë dërguar një reagim zyrtar ndaj vërejtjeve të institucioneve relevante, përfshirë drejtoreshën e Drejtorisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Komunës së Ferizajt.

“Përkundër kësaj, trupës sonë i janë vendosur pengesa të njëpasnjëshme: është kërkuar heqja e pjesëve nga teksti, mungesa e buxhetit për blerjen e materialeve të nevojshme është komunikuar vetëm pak ditë më parë, dhe data e shfaqjes – nga ana jonë një kompromis i sinqertë –  është shtyrë nga 7 qershori në 14 qershor, për të mundësuar gjetjen e një zgjidhjeje institucionale”, shkruhet në deklaratë. Teatri thotë se ajo që kanë përjetuar “është një sabotim i heshtur dhe një formë e censurës indirekte” që synon të shuajë zërin artistik, “jo duke e ndaluar hapur, por duke e bllokuar përmes mungesës së mbështetjes”. 

“Por kjo nuk do të na ndalë. Ne, si trupë teatrore dhe si institucion, kemi marrë vendimin që shfaqja do të ngjitet në skenë më 14 qershor 2025, ashtu siç është planifikuar. Edhe nëse kjo do të thotë të riciklojmë kostume e skenografi nga prodhime të mëhershme, edhe nëse duhet të sigurojmë vetë blerjet minimale të materialeve. Sepse kjo nuk është më vetëm një çështje e mbijetesës artistike, por një çështje e mbrojtjes së lirisë krijuese që i takon çdo artisti dhe çdo institucioni kulturor”, ka shkruar Teatri. 

Drejtoresha e DKRS-së në Komunën e Ferizajt, Xhemile Shabani – Murati, s’është lajmëruar asnjëherë gjatë këtyre ditëve. Komuna bashkë me Degën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së s’do që shfaqja të jepet më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit të Qytetit. Për dramaturgun Jeton Neziraj kjo është një qasje skandaloze dhe skemë e censurimit me metoda klasike. 

“Dhe kjo vetëm sa e bën edhe më shqetësuese çështjen e censurës. Sepse, faktorë të jashtëm, shoqata e grupacione parapolitike janë lejuar dhe ftuar të përfshihen dhe të diktojnë politikat programore të teatrit”, kishte thënë ai të hënën. 

Në vija të trasha “Fluturimi...” – siç ishte parë në Prishtinë në dhjetorin e vitit 2012 –  flet për një trupë teatrore të Kosovës në prag të shpalljes së Kosovës shtet që po orvatet të krijojë një shfaqje. Por shfaqja e parë e shtetit më të ri dështon, njësoj sikur edhe fjalimi i kryeministrit. Është një satirë politike. Ajo që ngjau edhe asokohe me premierën në kryeqytet, por edhe tash në Ferizaj, është një soj realiteti që reflektohet në shfaqje. Më pas, më 2014, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës i ishte kërkuar Teatrit Shtetëror në Stamboll që ta censurojë një pjesë të tekstit. Drejtori i këtij institucioni, Mustafa Kurt, kishte refuzuar, e për këtë kishte dhënë dorëheqjen. Si arsye ishte përmendur presioni që i kanë bërë autoritetet shtetërore në lidhje me tekstin e dramaturgut kosovar dhe atë të shfaqjes “Dielli edhe kur perëndon është i madh” të Kasim Aksharit.

Lexo edhe: