Kulturë

“Art Without Limit” si thirrje për gjithëpërfshirje

Nga 327 aplikime, pjesë e edicionit të sivjetmë të Festivalit do të jenë rreth 50 filma të shkurtër të zhanreve të ndryshme. Projektet filmike që do të shfaqen në Prishtinë vijnë nga vende të ndryshme të botë. Megjithatë tematika është ajo që i bënë bashkë. “Art Without Limit” synon të përdorë artin që të vetëdijesojë njerëzit në lidhje me sfidat dhe jetën e personave me nevoja të veçanta

Festivali ndërkombëtar i filmit “Art Without Limit” është gati për edicionin e tij të dytë. Prej sot (e mërkurë), për tri ditë në “Kino Armata” dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, do të shfaqen rreth 50 filma. Për nga tematika, ky festival është i vetmi i këtij lloji në vend por edhe në Ballkan.

“Art Without Limit” synon të përdorë artin që të vetëdijesojë njerëzit në lidhje me sfidat dhe jetën e personave me nevoja të veçanta. Synon që projektet filmike të shërbejnë edhe si nxitje për edukim dhe inkuadrim të këtij komuniteti në shoqëri, duke motivuar, inspiruar dhe inkurajuar personat nevoja të veçanta.

Ganimete Sava, drejtoresha ekzekutive e Festivalit ka thënë se sivjet kanë marrë aplikime nga 80 shtete të botës dhe nëpërmjet atyre që kanë përzgjedhur synojnë edhe të thyejnë paragjykimet që ekzistojnë në shoqëri në raport me personat me nevoja të veçanta.

“Çdo organizim i ka vështirësitë e veta sidomos një festival ndërkombëtar i filmit, por duke qene ngjarje që u frymëzues dhe duke e ditur se në Kosovë jetojnë mbi 255 mijë persona me aftësi të kufizuara, ne e kemi parë të rëndësishme dhe me vlerë një Festival të tillë që bën bashkë këtë kategori”, ka thënë ajo.

Ka treguar se gjatë gjithë kohës kanë gjetur përkrahje edhe nga profesionistë të kësaj fushë të cilët i kanë këshilluar dhe ndihmuar në forma të ndryshme për të realizuar këtë festival.

“Qëllimi dhe gjëja më e rëndësishme e Festivalit është që ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha organizatat kryesore vendore dhe rajonale që punojnë me persona me aftësi të kufizuar siç janë: ‘Disability forum Kosova’, ‘Down Syndrom Ksova’, ‘Handikos’, ‘Shoqata e të verbërve të Kosovës’, ‘Autizmi’, ‘Shoqata e të shurdhërve’, shkollat speciale ‘Përparimi’ në Prishtinë dhe ‘Lef Nosi’ në Prizren, pastaj klubi ‘Dëshira’, ‘Opfakoss’, fondacioni ‘Së bashku’ në Shqipëri e të tjera”, ka thënë ajo.

Sipas përshkrimit në ueb-faqe, festivali organizohet nga një grup i grave artiste dhe organizatës jo-qeveritare “Art Without Limit” me drejtoreshë ekzekutive Ganimete Savën, drejtor artistik regjisorin Burim Haliti dhe drejtorin e programit, producentin dhe kameramanin Michael Stoeger. Treshja ka asistuar edhe në realizimin e dokumentarit të shkurtër “Light Sparks” i cili do bëjë hapjen e festivalit në orën 18:00 në “Kino Armata”. Dokumentari i shkurtër është realizuar nga një grup nga Kosova të cilët janë me nevoja të veçanta. Pjesa tjetër e filmave do të shfaqën me 2 dhjetor gjatë gjithë ditës në “Kino Armata” kurse më 3 dhjetor duke filluar prej orës 18:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve. Data 3 dhjetor po ashtu shënon edhe Ditë Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara.

“Ne shpresojmë që të ngritët vetëdija për të drejtat dhe sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, përmes promovimit të festivalit, shikimit të filmave, hapjes së ekspozitës me fotografi të personave të suksesshëm me aftësi të kufizuara, paneleve të diskutimit që do të mbahen gjatë festivalit”, ka thënë Sava. Ka shtuar se ata shpresojnë që vizitorët e Festivalit të ndryshojnë qasjen ndaj kësaj kategorie të shoqërisë duke parë potencialin, kreativitetin dhe aftësitë e tyre.

“Si rrjedhoje e kësaj mysafirët që do të jenë të fushave të ndryshme të krijojnë edhe hapësira punësimi apo inkuadrimi të këtyre personave si në fushën e artit ashtu dhe në fusha të tjera”, ka thënë ajo.

Këtë edicion, Festivali do të përbëhet nga tri juri të ndryshme. Anëtarë të jurisë kryesore të festivalit janë: aktorja Yllka Gashi, drejtori i festivalit italian “Genova Film Festival”, Cristiano Palozzi, drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Tiranës, Agron Domi, aktorja dhe balerina nga SHBA-ja, Donna Russo e cila është pjesë e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, regjisori, producenti dhe muzikanti nga Anglia, Rolf Killius si dhe aktori dhe aktivisti për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, Lou Figueroa.

Po ashtu do të jetë edhe juria e mediave dhe ajo e organizatave të aftësisë së kufizuar në Kosovë. Nga të gjitha juritë do të ndahen 12 çmime: Filmi më i mirë artistik, filmi më i mirë dokumentar, filmi më i mirë i animuar, skenari më i mirë, regjia më e mirë, kamera më e mirë dhe storia më e mire e cila tregon fuqizimin e gruas. Juria e mediave do të ndajë çmimin për storien më të mirë në film, kurse organizatat do të ndajnë çmimin për storien më e mirë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, çmimi special, çmimin e publikut dhe çmimin “Art Without Limit”.