Kulturë

“Arsenie: An amazing afterlife” prej tmerrit komunist te besëtytnia

Regjisori Alexandru Solomon arrin të kapë çdo entuziazëm, emocion të natyrshëm për të shpalosur se sa të verbër janë ndaj besimit në priftin e ndjerë, Arsenie Boca

Filmi i gjatë dokumentar, që publikut vendor iu shfaq për herë të parë në festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”, rrëfen për një popull që ka idhull një njeri – Arsenie Boca. Ai ishte prift teolog e artist rumun. U lind më 1910 dhe u vra më 1989. Vlerësohet në mesin e 100 figurave më të mëdha rumune

“Arsenie: An amazing afterlife” shpërfaq figurën paradoksale të rumunëve, që nga populli konsiderohet shenjtor. Hetohet nëpër dokumentar, por as përgjigjja përfundimtare nuk e bën të qartë pyetjen për statusin e tij. Është përplot kundërshtime e përplasje. Regjisori rumun, Alexandru Solomon, e bën pelegrinazhin e çuditshëm kryefjalë të filmit të tij dokumentar. Lidh historinë e errët të së kaluarës dhe të së tashmes, me në qendër pyetjet për ngritjen në piedestal dhe bërjen idhull të mistikut rumun, Arsenie Boca.

Filmi i gjatë dokumentar, që publikut vendor iu shfaq për herë të parë në festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”, rrëfen për një popull që ka idhull një njeri – Arsenie Boca. Ai ishte prift teolog e artist rumun. U lind më 1910 dhe u vra më 1989. Vlerësohet në mesin e 100 figurave më të mëdha rumune.

Në dokumentar tregohet se u arrestua në korrik të vitit 1945 nga policia sekrete dhe u mbajt disa ditë. Pasi ishte vendosur regjimi komunist, ata që e konsiderojnë shenjtor thonë se Boca ishte persekutuar nga policia sekrete e komunizmit. Ishte arrestuar e burgosur disa herë me pretekstin se kishte ndihmuar lëvizjen e rezistencën antikomuniste rumune.

Me gjithë veprimtarinë, kjo nuk ishte shkak i shpalljes së tij shenjtor dhe madje në dokumentar thuhet se as nuk është i tillë. Zërat kundërshtues të adhuruesve të Bocas thonë se ishte ndëshkuar veç me disa muaj burgim dhe se kishte vdekur nga pleqëria.

Pelegrinë nga e gjithë Rumania dynden për t’u lutur te varri i tij në Manastirin e Prislopit. Në dokumentar besojnë se pelegrinazhi kishte nisur të përhapej në popull tek në dy dekadat e fundit.

Me qëllim dokumentimin dhe shpalosjen te publiku, regjisori Solomon nga Rumania mbledh njerëz që kanë këndvështrime dhe qëndrime të ndryshme. Shumica prej tyre janë fanatikë në besimin e tyre për Bocan. Regjisori arrin të kapë çdo entuziazëm, emocion të natyrshëm për të shpalosur se sa të verbër janë ndaj besimit në priftin e ndjerë, Arsenie Boca. Sa nisen për në destinacionin e tyre, vendosin fotografinë e tij në pjesën e përparme të autobusit. E konsiderojnë vend të shenjtë dhe emocionohen sa mbërrijnë në Manastirin ku është i varrosur.

Derisa për publikun shpjegohet gjithçka nëpërmjet leximit të letrave, njerëzit që e rrethojnë lexuesin i konfirmojnë të dhënat. Në njërin prej raporteve thuhet se Arsenie Boca kishte thënë se tufa e deleve mund ta mund ujkun, duke e përshtatur maksimën e tij me gjendjen e asaj kohe në regjimin komunist. Pikërisht kjo praktikohet edhe në pelegrinazh. Ata veshin kapele dhe rroba që duken si kafshë. Duket tejet skandaloze. Ngjan në një shfaqje teatrale, veçanërisht kur akrobacionet e tyre çojnë në vërsuljen e krejt atyre në njërin burrë që vishet si ujk e ky i fundit bën sikur frikësohet.

Grupi viziton edhe shtëpinë e klerikut Arsenie Boca, për të cilën shpjegohet se ishte shkatërruar e rindërtuar. Njërit prej pjesëmarrësve në pelegrinazh i jepet detyrë të vishet sikur ai me veladon. Ka mjekër të lëshuar sikurse figura që portretizon.

Grupi lutet mbi varrin e tij dhe beson se ai i plotëson dëshirat e tij. Me fanatizëm i ruajnë gjërat që posedojnë me shenjat e tij, sikurse edhe dëgjohen këngët që populli ia ka dedikuar. Njëri prej priftërinjve, pjesë e këtij pelegrinazhi, thotë se Boca nuk vdiq nga pleqëria, porse policia sekrete e kishte marrë me vete për ta rrezatuar dhe shpejtuar nga vdekja. Sipas tij, meqë kjo nuk kishte funksionuar, e kishin vrarë në një pyll. Të rrethuar në tryezë ata shpesh hedhin argumente e kundërargumente për mistikun Arsenie Boca.

Fotografitë e tij nëpër dyqane shiten shtrenjtë. Shpesh këmbehen edhe me ushqim e bagëti në rast të kushteve më të rënda të atyre që i blejnë. Thuhet se ato shërojnë sëmundjet fizike e gjendjet shpirtërore dhe se për këtë shkak janë të gatshëm të ofrojnë gjithçka. Nga arkivi i mediave jepen pamje prej atyre ku njerëzit besonin se arsyeja e vizitës së tij, pas vdekjes, në njërin prej spitaleve, ishte arsyeja e ngritjes nga koma gjashtëjavore e një personi dhe shërimit nga sëmundja e kancerit të shumë të tjerëve.

Siç ka treguar edhe vetë regjisori Alexandru Solomon, mendime të tilla vinin edhe pas pelegrinazhit te varri i Bocas.

“Disa nga ta kanë histori se kanë qenë në spital për trajtim, sikurse njëra prej tyre që thotë se ishte shpëtuar nga Arsenie Boca, sepse ishte në pelegrinazh. Doktorët thonë se pas operimit ishte në situatë shumë të rëndë dhe se ishte shpëtuar nga një mrekulli”, ka thënë regjisori Solomon, sipas të cilit ky manifestim është kthyer edhe në një trend në vendin e tij.

“Mendoj se është trend, por gjithashtu mënyra se si shoqëria zhvillohet mund të shohësh njerëz që shkojnë drejt dimensioneve mistike çdoherë më shumë. Politika sjell paksa një frymë të tillë, sepse edhe ashtu kemi një parti ortodokso-nacionaliste që synon të sjellë idenë e fashizmit”, është shprehur Solomon.

Ata që nuk praktikojnë a besojnë në këtë pelegrinazh, thonë se vetë Arsenie Boca kishte nisur t’ua mbushte mendjen njerëzve për kinse fuqinë e tij. Njëra prej grave rrëfen historinë e saj të problemeve në familje dhe se pas lutjes para varrit ato ishin zgjidhur. Në anën tjetër, disa prej tyre shprehen se e urrejnë faktin se njerëzit besojnë se ai ka bërë diçka të jashtëzakonshme pa pasur prova për këtë gjë. Thonë se ato janë veç legjenda.

Njëra prej skenave për shumëkënd mund të duket edhe absurde. Në dokumentar një grua tek vështron njërën prej kamerave që po xhironte, thotë se po e sheh atë, se po e ndiente praninë e tij, bashkë me disa etër të tjerë. Edhe forma e praktikimit të këtij besimi e ritualet janë të pazakonta. Ata mbulohen për të krijuar errësirë dhe flasin me të madhe derisa luten.

Në dokumentar tregohet se Arsenie Boca kishte qenë edhe piktor. Në vitin 1967 kishte nisur të pikturonte në njërën prej kishave. Njëri prej priftërinjve të saj tregon se populli shkon aty dhe gjurmon pikturat e tij. Se nuk ngopet së shikuari dhe se thellimi në to e forcon besimin.

Në dokumentar paraqitet një lloj urgjence e lëvizjes ortodokse e përzier me nacionalizëm dhe shpërfaq ndikimin e kishës e gjithçka që ndërlidhet me të. “Po mundohesha të gjeja historinë dhe ta shpërfaqja atë me rrëfime të ndryshme. Pas performancës pranë katedrales veçse fillova të marr sinjalet se për çfarë saktësisht do të flas. Qëllimi im është të shoh se si njerëzit shkojnë drejt këtyre mendimeve mistike në ditët e sotme. Mendoj se është diçka universale, e shohim në Amerikë, Evropë e Azi, gjithkund. Po mundohesha të kuptoja se çfarë po ndodhte me popullin, çfarë do të thotë kjo për ta”, ka thënë regjisori Alexandru Solomon, të cilit dokumentari i kishte marrë kohë tre vjet të realizohej.

“Isha i mrekulluar se nga po shkon drejtimi i dokumentarit, pasi u xhirua për një kohë të shkurtër. Po mundohesha të grumbulloja sa më shumë njohuri nga njerëzit dhe të ndërtoja lidhje me ta. Është pjesë e së kaluarës që ndikon edhe sot, sepse ne kaluam nëpër fashizëm dhe komunizëm dhe njerëzit harruan për të. Do të thotë se zhvillimi i kulturës dhe institucioneve është model i këtyre regjimeve e ideologjive. Edhe pse jemi shkëputur prej saj, ajo kthehet sërish”, ka thënë Solomon.

Në njërën prej skenave ekspozohet edhe vetë ai para katedrales me ritualin e tij të shpikur duke prerë duart dhe hedhur para. “Në të bërit e këtij filmi për mua ishte kusht të ekspozoja veten në të njëjtën shkallë sa bëjnë të tjerët, kështu që duhej të isha transparent se kush jam, përndryshe marrëdhënia në punë nuk do të ishte e drejtë. Duhej të vendosja gjithçka në tavolinë për ta bërë këtë edhe të tjerët dhe gjithashtu të jetë gjithçka natyrale në të bërit e dokumentarit”, është shprehur Solomon.

Solomon u shfaq si një drejtor i ri fotografie në fillim të viteve ’90 sipas biografisë së tij. Filloi të bënte dokumentarë, përveç xhirimeve të filmave artistikë. Solomon ishte ndër kineastët e parë rumunë që iu përkushtuan këtij zhanri dhe është një nga kineastët kryesorë politikë nga Rumania dhe aktiv në skenën ndërkombëtare të dokumentarit. “Puna e tij e fundit nxiti debate publike rreth funksionit të filmit dokumentar brenda sferës publike dhe kontribuoi në rivendosjen e filmit dokumentar si një arenë për riformulimin e historisë së fundit të Rumanisë”, shkruhet për regjisorin.

Në shfaqjen e “Arsenie: An amazing afterlife” ka qenë edhe producentja e dokumentarit Ada Solomon, e cila ka shpalosur perspektivën e saj për ngjarjen në filmin dokumentar.

“Nëse i lëmë mënjanë këto gjëra që janë të çuditshme për mua, të gjitha këto pjesë të errëta të historisë, mendoj se duhet të diskutojmë me qëllim që të shërojmë. Është gjithmonë mirë të pastrojmë atë, përndryshe do të bëhet më e thellë dhe plaga do të jetë më e shëmtuar. Kur e pastrojmë, heqim ndyrësinë. E shoh si mision më shumë se gjithçka tjetër, sepse e konsideroj filmbërjen si mjet të rezistencës dhe me të cilin i kontribuoj shoqërisë për një botë më të mirë”, ka thënë producentja e dokumentarit, Ada Solomon.

Rumunia është shprehur se të njëjtin mision e ka momentalisht kinematografia në vendin e saj në përgjithësi. “Mund të shihni në filmat e shumë rumunëve që ngritin zërin për realitetin e vendit dhe problemet. Po mundohem të vë në tavolinë këtë dialog pasi jemi ngulfatur me monologë dhe e lirojmë kulturën e dialogut. Mendoj se filmi i Alexandru ka të bëjë me të dëgjuarit e të tjetrit nëse duam të na kuptojnë të tjerët dhe të na dëgjojnë, nëse duam të përfshihemi”, ka thënë ajo më tej në “DokuKino”, ku është shfaqur puna e tyre.

Dokumentari ishte dhënë premierë në Rumani shtatorin e kaluar. Diskutimet mbi antisemitizmin, ndjenjat antirome, homofobinë dhe për “mrekullitë” në të, gjithashtu kombinohen si një pasqyrë e zakoneve ortodokse.