“Rizgjimi në vlerat kombëtare, Kosova Republikë” mban emrin ekspozita e hapur në shënim të 16-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Marrëveshje bashkëpunimesh shkencore, fotografi takimesh ndërmjet udhëheqësve institucionalë të Kosovës e Shqipërisë kanë qenë prej materialeve të shpalosura në ekspozitën dyditore në Kalanë e Tiranës.
Ekspozita në shënim të festës së Kosovës mblodhi institucionet homologe të Kosovës e Shqipërisë. E përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, më 17 e 18 shkurt shpalosi materiale që ilustrojnë një pjesë të historisë së vendit.
Mes të tjerash, materialet e ekspozuara përfshinin marrëveshjet e bashkëpunimit shkencor në fillim të viteve ’70, fotografi nga marrëveshjet dhe takimet e grupeve punuese midis Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe institucionit nga Kosova, grupet kulturore të Kosovës në Shqipëri në fundvitet ’70 e shkrime letrare nga Kosova në periodikun “Fatosi”. Aty ilustrohet me imazhe edhe demonstrata e studentëve, si dhe analiza shtypi, të radios dhe të televizionit shqiptar mbi tematikat e ndryshme për Kosovën deri në vitin 1979.
Në këtë ekspozitë të përgatitur me materiale historike të Arkivit Qendror Shtetëror publiku në Tiranë pati mundësitë të njihet mbi përpjekjet në emër të kauzës “Kosova Republikë”.
Të pranishëm në këtë aktivitet që u mbajt në hapësirën e Kalasë së Tiranës ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, dhe zëvendësambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Burim Susuri.
Në fjalën e tij, Bido u shpreh se pavarësisht kufijve shtetërorë, elitat nuk i kanë ndalur përpjekjet për hegjemoni kulturore.
“Kjo ekspozitë rrëfen preludin e Kosovës së pavarur. Me këtë rast dua të uroj të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, për këtë ditë të rëndësishme, për një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës nuk është ngjarje e një dite, është rrugëtim, nis që në vitet ’20, kur shqiptarët e Kosovës nuk e pranuan zgjedhën serbe”, ka thënë Bido derisa shpalljen e Pavarësisë së Kosovës e ka konsideruar si ngjarjen e dytë kombëtare më të rëndësishme.
“Është ngjarja kombëtare e dytë më e rëndësishme, pas Pavarësisë së Shqipërisë. Nuk ka qenë ëndërr Kosova e pavarur, por bashkimi me Shqipërinë. Megjithatë, përpjekjet për të arritur hegjemoninë në drejtim të kulturës nuk janë ndalur nga elitat shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido
Zëvendësambasadori i Kosovës në Shqipëri, Burim Susuri, e ka vlerësuar ekspozitën të rëndësishme për shpalosjen e angazhimit të kontribuesve në arritjen e pavarësisë së Kosovës.
“Faleminderit DPA-së për ftesën dhe për këtë ekspozitë voluminoze me materiale nga periudha të ndryshme kohore, duke përfshirë të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në Pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Susuri.