Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka hapur ekspozitën “Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar” me ballinat e gazetave të para 17 vjetëve, ku ky institucion ka kthyer vëmendjen te raportimet për Ditën e Pavarësisë.
Janë ballinat e gazetave të asaj kohe. Po raportohej për ditën më të madhe të Kosovës, atë kur u bë shtet i pavarur. Fotografitë ilustruese në shumicën e rasteve tregojnë për festën. E lajmi i madh e emërues i përbashkët i krejt raportimeve është Pavarësia. Qe koha kur shteti më i ri atëherë në botë kishte dhjetëra gazeta të shtypura. Në ekspozitën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar” janë edhe dy numra të gazetës “Koha Ditore”. Një tjetër me ballinën “Kosova shtet” mungon. Akademik Bardh Rugova, asokohe zëvendëskryeredaktor i “Kohës Ditore” e tash kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ka kujtuar kohën kur përgatiteshin numrat e gazetës që jepnin lajmet për Pavarësinë.
“Pata shkruar një ditë më parë një shkrim për Kushtetutën e vitit 1974 dhe një tjetër për historinë e Kosovës. Të dyja do të gjenin vend në atë numër special të gazetës që do ta shpërndanim falas. Në mëngjes me kryeredaktorin Agron Bajrami patëm vendosur për titullin: ‘Kosova shtet’ për numrin special dhe ‘Shteti pret njohjen” për numrin e zakonshëm’”, tha Rugova.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se Dita e Pavarësisë qe një ëndërr e madhe e shumë gjeneratave. Sipas saj, ekspozita rikujton të kaluarën.
“Prandaj sot me këtë ekspozitë duam të rikujtojmë një të kaluar të afërt dhe përpjekjen e madhe të një vendi në luftën e tij për pavarësi dhe ëndrrën e madhe për paqe. Ekspozita përqendrohet në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje historike nëpërmjet pamjeve nga shtypi shqiptar i kohës si një mënyrë efektive dhe e fuqishme për të shprehur ngjarjet historike të asaj periudhe dhe për të pasuruar kujtesën kolektive”, tha Rogova-Gaxha.
Ballinat e asaj kohe ilustrojnë shumë ngjarje, prej leximit të Deklaratës së Pavarësisë në Kuvend, që prej asaj dite të 17 Shkurtit ishte bërë Kuvend i Republikës, e deri te festa e qytetarëve në kryeqytet. Pas 17 vjetësh Kosova nuk posedon më asnjë gazetë të shtypur. E, ekspozita e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës midis të tjerash ka kthyer vëmendjen edhe te rëndësia e shtypit.