Arkeologët u tronditën kur zbuluan një kompleks varresh të lashta me 11 të varrosur pranë qytetit të famshëm Luxor.
Autoritetet egjiptiane treguan se ekipe nga Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës zbuluan varrin në nekropolin jugor të Asasit, pranë Tempullit të Hatshepsut në Bregun Perëndimor të Nilit në Luxor.
Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit tregoi nëpërmjet një deklarate se varri daton në Mbretërinë e Mesme, 1938 -1630, para erës sonë.
Misioni i përbashkët egjiptiano-amerikan që gërmon nekropolin gjeti arkivole për burra, gra dhe fëmijë, duke sugjeruar se ishte një varr familjar i përdorur për breza të tërë gjatë Dinastisë së 12-të dhe fillimit të Dinastisë së 13-të, tregoi Mohamed Ismail Khaled, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Antikiteteve në Egjipt.
Ai tregoi se përmbytjet e lashta shkatërruan shumicën e arkivoleve prej druri dhe mbështjellësve.
Megjithatë, disa gjëra si bizhuteritë në varrosjet e grave u gjetën të paprekura, duke përfshirë një gjerdan të punuar imët me 30 rruaza ametisti dhe dy rruaza cilindrike.
Catherine Blakeney, kryesuesja e arkeologëve amerikanë në mision, tregoi se ata gjetën dy pasqyra bakri, njëra me një dorezë në formë zambaku dhe e dyta me një dizajn unik të Hathor, perëndeshës së qiellit, grave, pjellorisë dhe dashurisë në Egjiptin e Lashtë.
Zbulimi erdhi pasi Egjipti ka dyfishuar përpjekjet për të tërhequr më shumë turistë, një burim i rëndësishëm i valutës së huaj për vendin e Afrikës Veriore me para të kufizuara. Turizmi, i cili varet shumë nga artefaktet e pasura faraonike të Egjiptit, pësoi një rënie të gjatë pas trazirave politike dhe dhunës që pasuan një kryengritje të vitit 2011.
Muajin e kaluar Muzeu i Madh Egjiptian, një mega projekt pranë Piramidave të famshme të Gizës, hapi 12 salla që ekspozonin artefakte faraonike për vizitorët si një provë përpara hapjes zyrtare ende të paparalajmëruar.
Një vit më parë një aeroport i ri “Sphinx International” u hap në lindje të Kajros. Ai lejon qasje të lehtë në Giza, në piramida dhe në hapësira të tjera arkeologjike pa udhëtuar nëpër kryeqytetin egjiptian.
Disa turistë të mundshëm kanë qëndruar larg për shkak të tensionit në rritje në Lindjen e Mesme. Por Philip Breckner, drejtor i operatorit turistik të specializuar “Discover Egypt”, tregoi për “The Independent” në fillim të këtij viti: “Jeta egjiptiane në rrugë, në dyqane, hotele, në lundrime është krejtësisht normale – dhe mjaft e pavëmendshme ndaj ngjarjeve jashtë dhe në vendet fqinje”.