Të dhënat e përgjithshme e sipërfaqësore, Fatmir Toçi ka thënë ta kenë shtyrë t’i rreket studimit e gjurmimit të arbëreshëve në plotninë e tyre. Se nuk janë 50, por 534 vendbanime, është njëri prej konstatimeve që sjell ai në librin “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” i përuruar të enjten në Prishtinë. Akademik Rexhep Qosja e ka cilësuar si vepër me peshë, që u ka munguar botimeve në shqip
Nuk janë 50 vendbanime me gjurmë arbëreshe siç njihen zyrtarisht sot, por 534, tashmë të dëshmuara edhe me librin “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” të Fatmir Toçit. Ky është vetëm njëri prej konstatimeve që nxjerr libri, i cili siç shkruan edhe në kopertinë, është “vështrim i shkurtër historiko-kulturor”.
Arbëreshët e Italisë, të cilët u shpërngulën që në shekullin e XV, nga Shqipëria në Itali, vazhdojnë të jenë degë e fortë e trungut shqiptar dhe hapësirë intriguese për studiuesit e fushave të ndryshme shoqërore. Për arbëreshët e veçmas për shkrimtarët arbëreshë janë botuar vepra të shumta, por kjo e Toçit është vlerësuar si një studim gjithëpërfshirës që nëpërmjet dokumentimit dhe fakteve të shumta shkencore dëshmojnë të kaluarën dhe të tashmen e arbëreshëve.
“Qëkur kam shkelur për herë të parë në botën arbëreshe, jam përballur me një fakt shumë tronditës që, të gjithë e dinë, nuk ka shqiptarë që nuk e di çfarë janë arbëreshët dhe ku janë, por shumë pak shqiptarë e dinë historinë dhe kulturën e tyre, të kufizuar vetëm në folklorin e tyre, faktin se kanë ikur në Itali pas kohës së Skënderbeut, qëndresa e tyre heroike e të tjera, gjëra që historikisht janë pjesërisht të vërteta sepse historia është edhe më e dhimbshme se kaq”, ka thënë Fatmir Toçi, në përurimin e librit të tij të enjten në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Sipas tij, historia e arbëreshëve është krenari për popullin shqiptar. “Për një komunitet i cili zhvendoset në një shoqëri tjetër dhe ruan për mbi pesë shekuj, të paprekur, si një muze i gjallë identitetin kombëtar, gjuhën, traditën, zakonet, besimin lindor bizantin, që i përkisnin shqiptarët atëkohë. E kanë sjellë deri në ditët tona si një pasuri jo vetëm shqiptare, por si një pasuri për të gjithë Evropën, të gjithë botën”, ka thënë ai.
Libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit – vështrim i shkurtër historiko-kulturor”, siç përshkruhet, trajton historinë migruese të arbëreshëve, vuajtjet dhe vështirësitë e tyre për t’u ambientuar në vendbanimin e ri, gjendjen e tyre politike, shoqërore, ekonomike e kulturore, që nga koha e migrimit e deri më sot.
Akademiku dhe studiuesi, Rexhep Qosja, i ka dhënë peshë veçmas faktit se autori i kësaj vepre i ka vizituar të gjitha trevat arbëreshe, për të cilat ka shkruar në libër. Sipas Qosjes, një libër kaq i thukët me informacione e dokumentime mbi jetën dhe kulturën e arbëreshëve të Italisë i ka munguar lexuesit shqiptar.
Edhe
Abrneshët e Zarës – tre shekuj në mbrojtje të identitetit
“Veprën e Fatmir Toçit, të cilën po e përurojmë sot këtu, e karakterizon një përkushtim i jashtëzakonshëm ndaj librit. Ne kemi ditur diçka pak për arbëreshët dhe se kemi ditur pak deri më tani e kam kuptuar kur kam lexuar këtë libër të Fatmir Toçit ‘Arbëreshët midis realitetit dhe mitit’. Fatmir Toçi ka përdorur dy mënyrat që mund të shihen në shkrimin e këtij libri. Mënyra e parë është se Fatmir Toçi ka kërkuar, i ka mbledhur, i ka parë, i ka lexuar pothuajse të gjitha ato që janë shkruar për arbëreshët. Ju e dini se historia shkruhet duke shfrytëzuar përvojën e të parëve, atyre që kanë shkruar para nesh, kanë studiuar çështjet para nesh dhe në fakt Toçi shihet se i njeh mirë ata”, ka thënë akademik Qosja. Ndër të tjera, ai ka vënë theksin edhe te rëndësia e njohjes së veprave të studiuesve të tjerë që kanë shkruar për arbëreshët, sepse “një vepër e mirë shkencore duhet të ketë domosdo citate të shumë librave të tjerë shkencorë”.
“Metoda e dytë të cilën e aplikon Toçi bazohet në një përvojë tjetër. Një filozof aziatik ka thënë ‘Më mirë një herë të shohim, se njëqind herë të dëgjojmë’ dhe Fatmir Toçi ka shkruar librin duke parë. Ka parë, ka shkuar shumë herë në vizita në trojet arbëreshe dhe kur e lexon njeriu këtë libër e sheh se ai s’ka lënë fshat ku jetojnë arbëreshët që nuk ka qenë dhe i ka regjistruar edhe në mënyrë pamore, prandaj ky libër i bazuar aq shumë në të parit, sjell çka nuk kanë mundur të sjellin të tjerët. Pra, autori na i paraqet arbëreshët si kanë qenë më herët, si janë tash, çka mendojnë, si vishen, çfarë shprehish kanë, çfarë adetesh kanë, çfarë zakonesh, çfarë kulture, çfarë qytetërimi, çfarë virtytesh, të meta, preokupime, ideale”, ka thënë akademik Qosja.
Studiuesi Emin Kabashi ka thënë se studimi i Fatmir Toçit për arbëreshët përthekon historinë tragjike të kësaj pjese të popullit shqiptar. “Në të njëjtën kohë, ky studim sistemon të dhëna të tilla ende të panjohura deri më tash për studiuesin shqiptar për vlerat e kulturës shqiptare që kanë krijuar arbëreshët tanë edhe pse ishin larg atdheut. Një studim shterues historiko-kulturor për një pjesë të popullit tonë që kishte përjetuar tragjedinë e zhvendosjes në pushtimin e huaj, histori e cila e ka ndjekur popullin shqiptar vazhdimisht”, ka thënë Toçi.
Kabashi ka nënvizuar këmbënguljen kërkimore shteruese, jo vetëm për argumentimin e fakteve, për mënyrën e vendosjes së arbëreshëve në Kalabri dhe Sicilinë e sotme, por edhe për argumentimin e lëvizjeve të mëdha kulturore edhe para krijimit të kolegjeve të famshme arbëreshe të vitit 1732/34.
“Ky studim e dëshmon katërcipërisht se atje ishin krijuar themelet e para të kulturës sonë kombëtare, se atje ishin ruajtur kujtesa historike e përkatësisë kombëtare, se atje ishte krijuar kulti i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe se në fund të fundit, atje ishin krijuar shkollat e para të kulturës shqiptare”, ka thënë Kabashi.
Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ka folur për rëndësinë që kanë arbëreshët e Italisë në kulturën shqiptare, si dhe për rëndësinë e veprës “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” në studimet albanologjike.
“Monografia ‘Arbëreshët midis realitetit dhe mitit – vështrim i shkurtër socio-kulturor’ përbën një vepër me interes për njohjen më të plotë shkencore të arbëreshëve në disa plane. Është fjala për një kontribut historiografik, kulturologjik, enciklopedik dhe bibliografik. Marrë parasysh këtë materie studimore, burimore dhe referenciale, kjo monografi rreth 500-faqëshe do të jetë literaturë e nevojshme për studiuesit, por edhe për lexuesit e zakonshëm, të cilët duan të dinë më shumë për këtë krah të rëndësishëm të botës shqiptare”, ka thënë ai.
Edhe
Rrëfimet e folkloristëve – kujtesë e çmueshme në betejë për të vërtetën
Gjatë promovimit të librit të tij, Toçi ka rikthyer në vëmendje nismën për futjen e kulturës arbëreshe nën mbrojte të UNESCO-s, nën emrin “Moti i Madh” me ritet arbëreshe të pranverës, e nismuar disa vjet më parë nga Francesco Altimari, shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Kozencë, Kalabri dhe Mateo Mandala, shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos. Propozimi ka marrë rrugë zyrtare dhe sipas Toçit, deri më tani të gjitha përgjigjet janë pozitive.
Por, puna për arbëreshët e botuesit Toçi, i njohur si themelues e drejtues i “Botimeve Toena” nuk mbaron me këtë libër. Ai ka thënë se ka në proces të botimit edhe një libër kushtuar arbëreshëve të Italisë, i cili është edhe më voluminoz e më gjithëpërfshirës se ai që e ka sjellë të enjten në Prishtinë.