Si pushtet fitimtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e morën kontrollin në zonat e okupuara në tokën gjermane, pranverën e vitit 1945, bashkë me Francën, Britaninë e Madhe dhe Rusinë.
Trupat amerikane ishin po ashtu prezente në sektorin amerikan të qytetit të Berlinit, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”.
Mbi gjithë Gjermaninë, forcat ushtarake amerikane ishin vendosur nëpër kazermat e projektuara enkas për ta sikurse edhe në baza ushtarake. Këto vendbanime njiheshin si “Amerika e vogël” dhe ishin një copëz shtëpie për ushtarët në kohën e pasluftës në Gjermani.
Okupimi i Gjermanisë Perëndimore përfundoi në vitin 1955, por ushtria amerikane kishte vazhduar t’i mbante bazat ushtarake. Fotografi të realizuara nga fundi i vitit 1940 deri më 1980 aktualisht janë të ekspozuara në një ekspozitë në “Allied Museum” në Berlin.
Fotografitë janë të përzgjedhura nga koleksione private dhe disa koleksione që posedon historiani i artit John Provan. Ai ishte rritur në “Amerikën e vogël” dhe kishte kaluar rininë e tij në bazën “Sembrach Air Base” në afërsi të Kaiserslautem, që ishte goxha shumë e izoluar nga popullsia gjermane.
“Këto vendbanime ndodheshin në një vend të largët dhe si fëmijë të ushtarëve, si të ashtuquajtur ‘bratë’ ne ndiheshim shumë të unifikuar”, ka thënë ai në një intervistë me kuratoren Olivia Fuhrich.
“‘Amerika e vogël’ ishte sikur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithçka vinte atje nga ShBA: nuk ndiheshe sikur ishe në ndonjë vend tjetër”, ka shtuar ai.
Provan e kishte ndier njëlloj “thirrjen” që t’i shpëtonte këto thesare historike.
“Për mua, është e rëndësishme të ruhet imazhi që GI e ka lënë këtu në Gjermani: ndikimi i kulturës amerikane, gjuha, demokracia, ushqimi i shpejtë, pop muzika, sportet, veshjet, sikur për shembull xhinset”, ka thënë ai.
Ekspozita përmban rreth 200 fotografi që janë realizuar nga fotografët e ushtrisë dhe që kanë dalë në publik për herë të parë.