Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” me magjinë e tij ka nisur të lërë shenja në kujtesën e publikut. Në qendër janë dokumentarët e metrazhit të gjatë që shtegtojnë nëpër ngjarje e fenomene botërore. Një copëz prej kohës së komunizmit në Shqipëri dhe historia e trishtë e Aleksandër Gruda nga Shkodra është një prej mostrave që shpalosen. Indirekt tregon sa i rreptë, mbikëqyrës e izolues ka qenë sistemi i asaj kohe.
“Alexander” është një lloj “përralle” për guxim dhe vendosmëri të pashoq. Nuk ishin të pakta rastet kur shtetasit shqiptarë tentonin të kalonin matanë kufirit. Të liroheshin nga kthetrat e komunizmit. Aleksandri e bëri atë që nuk bëhej, madje në mes të ditës, me një plan strategjik. Megjithëse të gjithë arritën të arratisen me anijen e grabitur luftarake, një person i dashur i kryepersonazhit në dokumentar u vra. Filmi dokumentar që u dha premierë ndërkombëtare në “DokuFest” është rrëfim në detaje për krejt ngjarjen këtu e mbi tri dekada më parë.
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” me magjinë e tij ka nisur të lërë shenja në kujtesën e publikut. Në qendër janë dokumentarët e metrazhit të gjatë që shtegtojnë nëpër ngjarje e fenomene botërore. Ka prej tyre që prekin edhe inteligjencën artificiale, e ata ndërlidhen me mjete të tilla teknologjike, bash sikurse vjen edhe tema e sivjetme e Festivalit, “I AM IA AM I”.
Një copëz prej kohës së komunizmit në Shqipëri dhe historia e trishtë e Aleksandër Gruda nga Shkodra është një prej mostrave që shpalosen. Indirekt tregon sa i rreptë, mbikëqyrës e izolues ka qenë sistemi i asaj kohe. Aleksandri kishte punuar si mekanik i anijeve. Momenti kryesor i jetës së tij është 11 shtatori i vitit 1990. Kishin hartuar një plan të guximshëm për të grabitur një anije luftarake për të gjetur lirinë ndaj regjimit totalitar.
Aleksandri e shpjegon fije për pe krejt rrugëtimin. Mes plumbash në ajër kishin nisur motorin dhe kishin shkuar rreth 200 metra larg Liqenit të Shkodrës kur kishin hasur në policinë. Zona e ish-Jugosllavisë ishte destinacioni i synuar. Do të vinin tre helikopterë për të ndërhyrë derisa kishin drejtuar armët e rënda drejt tyre për t’i frikësuar. Kur kishin gati gjysmën e rrugës të kryer po hasnin në problem me mekanizmin e anijes. Rreth dhjetë minuta kishte Aleksandri që po mundohej ta rregullonte defektin, derisa jashtë po vijonin breshëritë e plumbave.
Njëri prej tyre do të shponte anijen, kalonte në trupin e Anisës katërvjeçare, dhe në fotografinë e Enver Hoxhës me një rend. Nëna e së ndjerës, Marjana, thotë në dokumentar se “ajo kishte ndjerë se po ndodhte diçka”. Ndërkohë, Aleksandri ishte tronditur sa ishte dalë nga ajo hapësirë e ngushtë ku po merrej me rregullimin e motorit. Por e kishte arritur qëllimin për t’u arratisur nga Shqipëria, bashkë me 18 persona të tjerë përfshirë Anisën e vrarë.
Në pjesën tjetër të Liqenit edhe ishte varrosur vajza e tyre. Shenja është ende aty. Mbetjet e saj ishin rivarrosur në vendlindjen e saj në Shkodër. Ishin zhvendosur nga gjyshi i saj.
Filmi dokumentar “Alexander”, është një lloj retrospektive kujtimesh. Aleksandri viziton hapësirën ku ushtarët qëndronin. Një objekt me mure të zhveshura e pa kulm, tanimë me plot gjelbërim me oborrin e kthyer në vend të koshereve të bletëve. Dikur ajo pjesë po ngulfatej me artileri, siç rrëfehet në dokumentar. Aty grabitja e anijes ushtarake konsiderohet prej ngjarjeve më të guximshme në kohën e komunizmit. Për atë anije nuk dihet se ku është më, porse thuhet se është e sigurt se ishte kthyer në Shqipëri.
Njëri prej punonjësve në atë hapësirë gjatë asaj kohe, tregon se kishte nxjerrë plot 27 kufoma nga liqeni në vitet 1988 dhe 1989. Thotë se ishin të gjithë djem të rinj në tentativë për të ikur nga jeta nën regjim.
Aleksandri ka kohë që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tyre. Kthimi i tyre në Shkodër është shenjë e përballjes me të kaluarën dhe shtimin e dhimbjes për pasojat e veprimit të tyre. Me rastin e përvjetorit të 32-të të vrasjes së Anisës, aty jepen pamjet ku përurohet memoriali për të. Çdo gjë tanimë që e lidh me Shkodrën, përfshin një fragment që e mërzit sa herë përmendet e kaluara. Njerëzit që takon pas shumë vjetësh e mbajnë mend pikërisht nga ai rast, bisedat janë krejt rreth kësaj ngjarjeje.
Aleksandri pas 32 vjetësh e gjeti veten befas, duke gjurmuar bunkerët e hapësirat prej ku po vëzhgoheshin. Po i pastronte me dhimbjen e tij prej dëmeve të kohës dhe po gjurmonte nëpër shënjestrën në të cilën doli të ishte vajza e saj.
Për nga struktura, filmi dokumentar përfshin edhe rrëfime të tjera që e mbështesin deklaratën e Aleksandrit. Janë versione aq të njëjta, sa regjisori madje ka mundur të bëjë një kolazh në shumë prej rrëfimeve ku tjetri e vazhdon pjesën e mbetur. Kjo ka qenë edhe produkt i relacionit të regjisorit Ardit Sadiku me protagonistët në dokumentar.
“Komunikimi me Aleksandrin vërtet ka qenë shumë i mirë, sepse në momentin që i thashë dua të bëj film me historinë tënde, ai filloi të qeshë duke mos ia marrë mëndja. Thjesht kam shkuar në New York edhe i kam thënë se jam aty dhe nuk besoi se jam aty me kamerën me vete. Ma hapi derën duke më uruar mirëseardhje dhe filloi xhirimi. Që nga ai moment deri në përfundim të xhirimit gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe ka pasur asnjë lloj problemi”, ka thënë regjisori Sadiku.
Megjithëse gatishmërinë e Aleksandrit për të ndërtuar rrëfimin e tyre dhe vendosur atë në dokumentar, Sadiku ka thënë se pjesa tjetër e realizimit ka qenë sfiduese. “Ishin personazhe që nuk donin të dilnin në film, sepse kishin disa role specifike, mirëpo kur e kam gjetur Aleksandrin e pata njëfarë lloj lirimi, pasi që po e gjeta personin kryesor, elementet e tjera përreth do të vijnë ngadalë dhe kështu e kam filluar edhe ngjarjen e filmit. Pastaj vinin elementet një nga një që e kanë plotësuar, duke e nxjerrë në pah arratisjen e tyre me anije”, është shprehur regjisori Sadiku, i cili është një prej atyre shkodranëve që është gjendur përreth tregimeve për të bëmat e Aleksandrit.
“Dokumentari ‘Aleksandër’ ka nisur prej historive që i kam dëgjuar. Unë banoj në Shkodër dhe njerëzit kanë treguar se është një histori për një Aleksandër që ka rrëmbyer një anije luftarake, bashkë me të tjerë dhe është arratisur për në ish-Jugosllavi. Ku e kam dëgjuar për herë të parë këtë histori, në fakt kam dashur ta bëj direkt si histori, sepse mua më pëlqejnë historitë që tregojnë edhe luftën e njerëzve për liri personale dhe për liri kolektive, siç e kanë pasur këta me shoqërinë që janë arratisur bashkë”, ka treguar regjisori i “Alexander”, Ardit Sadiku më tej, për të cilin nuk është hera e parë që e jep premierë një dokumentar të tij në “DokuFest”.
Në vitin 2020, Filmi i shkurtër “Sticker” i Sadikut ishte dhënë premierë. “Një i ri me emrin Toni është punësuar nga Simoni, një menaxher i ashpër ndërtimi, për të vendosur reklama pune në të gjithë qytetin. Për pakënaqësinë e Simonit dhe hutimin e Tonit, askush nuk u përgjigjet këtyre reklamave, me gjithë popullatën në rritje të qytetit dhe punëtorëve të papunë”, shkruhet në përmbledhjen e shkurtër të filmit.
Ardit Sadiku filloi të realizonte filma të shkurtër si adoleshent dhe ka drejtuar e prodhuar tre filma narrativë si dhe dy filma dokumentarë. Tematikisht, filmat e tij pasqyrojnë interes në luftën globale njerëzore për liri sikurse edhe ngjan me “Alexander”, për të cilin ka paralajmëruar premiera të tjera jashtë vendit.
Filmbërësi amerikan, Thomas Logoreci, që është edhe përzgjedhës i filmave në “DokuFest” për këtë edicion, ka thënë se filmi është i jashtëzakonshëm pasi veçse ishte njoftuar me rrëfimin paraprakisht. “Filmi përfshin episode të pazakonta dhe të vërteta nga koha e komunizmit në Shqipëri. Është film i mrekullueshëm. Unë personalisht e kam pëlqyer jashtëzakonisht edhe kur e kam parë pa u shtuar muzika, kështu që në një formë kjo është hera e parë që po e shoh të kompletuar. Është arritje e jashtëzakonshme në të bërit dokumentar, veçanërisht për këtë regjion”, ka thënë ai.
“Alexander” i bashkohet garës në kategorinë “Balkan Dox” të “DokuFest” me mesazhet e lirisë dhe mbijetesën ndaj regjimit e gjendjes shpirtërore.