Alarmi i rremë për bombë i ka paraprirë hapjes së “Gjithë lotët tanë” të mërkurën pasdite në “NGO Hub” në Beograd. Para vernisazhit të kësaj ekspozite – e cila vjen një ditë para nisjes së edicionit të nëntë të festivalit “Mirdita, Dobar dan!” – objekti është zbrazur prej vizitorëve, njësitë policore kanë kryer kontrolle, teksa kanë konstatuar se s’ka mjet shpërthyes.
Se do të ketë kësi alarmi, ishte paralajmëruar edhe në faqe grupesh djathtiste serbe nëpër rrjete sociale. Kanë qenë po kësi grupesh që gjatë ditës kanë protestuar kundër festivalit, i cili për synim ka prezantimin e ngjarjeve kulturore nga Kosova në kryeqytetin serb. “Mirdita – laku noć” (Mirëdita, Natën e mirë!) e ka quajtur protestën Rinia e Partisë Demokratike të Serbisë.
Kryetari i Rinisë së DSS-së ka thënë se qëllim i festivalit “Mirëdita, Dobar dan!” është promovimi i “së ashtuquajturës kulturë të rrejshme e joekzistente kosovare”. Ka thënë se në programin e festivalit i pengojnë “paraqitja e Kosovës e Metohisë si shtet neutral” dhe vetë emërtimi kultura kosovare, “sepse ajo nuk ekziston”. Përreth objektit të “NGO Hub”, “rinia demokratike” ka vendosur foto të “dëmeve që shqiptarët ua kanë bërë serbëve”.

Por në ekspozitën “Gjithë lotët tanë” vijnë fotografi dokumentare që dëshmojnë fatet e familjeve të të vrarëve e të zhdukurve gjatë luftërave në Jugosllavi. Ekspozita bën bashkë 34 fotografi të katër autorëve nga Serbia Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Autorë janë: Borislav Peshiq, Atdhe Mulla, Neke Batev dhe Arbnora Memeti.
Përfaqësuesja e Iniciativës Qytetare, Teodora Zahiroviq, ka thënë se qëllimi i këtij organizimi është që të krijohet hapësirë për ndërtimin e paqes së përhershme në rajon, ofrimi i mbështetjes për viktimat dhe gjurmimi i drejtësisë.
Fotografi Borislav Peshiq ka theksuar se gjenerata e tij ka ndier dhimbjen për dikë të vrarë, ka arritur të njohë tragjedinë e viktimave e të dijë se si lufta arrin të shkatërrojë shtete, familje e shpirtra.
“Krejt lotët janë tanët, por vërtet shumë lot janë derdhur në rajon, boll më”, ka thënë Peshiq, raporton “Danas”.
Atdhe Mulla ka thënë se të gjithë i dinë të dhënat nga lufta, por ato janë vetëm numra dhe se fotografitë tregojnë se prapa tyre janë rrëfime njerëzish.
Drejtoresha e programit të Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Sofija Todoroviq, ka theksuar se ekspozita sjell zërin e viktimave dhe jep porosi të qartë se duhet ndërtuar paqe.
Për performancën e Partisë Demokratike të Serbisë ka thënë se ajo flet se si sillen ndaj viktimave serbe ata që për ta flasin më së shumti dhe ka theksuar se me dekada viktimat e luftërave kanë qenë objekt manipulimi. Është zotuar se ata do të mbrojnë kujtimin për çdo viktimë të pafajshme. Në qendër të Beogradit tashmë janë vendosur forcat policore e pritet të jenë aty edhe sot, kur do të hapet zyrtarisht “Mirëdita, Dobar Dan!”. Protestat e grupeve djathtiste serbe, prej edicionit të parë të këtij festivali, kanë qenë “ngjarje paralele” e “Mirëdita...”