Kulturë

Aktori Xhevdet Ferri kujtohet si ikonë kinematografie

Në ceremoninë përkujtimore u ekspozuan fotografi nga krijimtaria artistike e Xhevdet Ferrit duke mbledhur familjarë, miq dhe artistë të ndryshëm, nën muzikalitetin e një kuarteti muzikor, në mjedisin e hollit protokollar

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) ka kujtuar aktorin Xhevdet Ferri nëpërmjet ceremonisë së titulluar “In memoriam – Xhevdet Ferri”.

Kjo ngjarje është organizuar në nderim të kujtimit të aktorit të mirënjohur shqiptar Xhevdet Ferri, i cili u nda nga jeta më 16 janar 2020.

Në ceremoninë përkujtimore u ekspozuan fotografi nga krijimtaria e tij artistike duke mbledhur familjarë, miq dhe artistë të ndryshëm, nën muzikalitetin e një kuarteti muzikor, në mjedisin e hollit protokollar.

“Xhoda”, sikurse e thërrisnin miqtë dhe kolegët, gjatë karrierës së tij artistike interpretoi rreth 30 role në teatër dhe kinema, por ishte pikërisht kjo e fundit ajo që e konsolidoi figurën e tij në sytë e publikut shqiptar.

Aktori i mirënjohur, Xhevdet Ferri, kishte vdekur në moshën 59-vjeçare nga një sëmundje e rëndë.

Xhevdet Ferri lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960. Ai ishte bashkëshort i aktores Rozeta Ferri me të cilën ka luajtur në shumë filma si: “Dhe vjen një ditë”, “Vitet e pritjes”, “Gjoleka djali i Abazit”.

Qysh në fillimet e tij aktori Xhevdet Ferri me forcën e tij interpretuese karakteristike për role me peshë, duket se qe i destinuar për role protagoniste. Që në rolin e tij të parë kryesor, si Arjani në filmin “Skëterrë”, ai spikati duke bërë që regjisorët ta thërrisnin për të tjera misione të filmit shqiptar. Po atë vit Ferri interpretoi në “Vëllezër dhe shokë” me rolin e Markos, ku konfirmoi edhe një herë talentin e tij.

Roli i Agronit në “Hije që mbeten pas” pesë vjet më vonë do ta konsolidonte edhe më shumë figurën e Ferrit si aktor. Për interpretimin e Gorit te filmi “Dhe vjen një ditë” do të nderohej me çmim në 1986-n.

Role të tjera të spikatura për aktorin Xhevdet Ferri janë edhe ai i Palit në “Besa e kuqe” (1982); Sandri në “Vendimi” (1984); Trimi në “Përrallë nga e kaluara” (1987); Martini në “Treni niset në 7 pa pesë” (1988); Gjon Kadri në “Vitet e pritjes” (1990); Me rolin e Sakos, në filmin “Dasma e Sakos” (1998), Xhevdet Ferri arrin sërish në një pikë të lartë artistike të interpretimit.