Familjarë, miq e kolegë të Xhevat Qorrajt janë bashkuar mesditën e së hënës, në sallën e improvizuar të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në komemoracionin e organizuar nga ky institucion, Qorraj, pesë ditë pas vdekjes, është vlerësuar si aktor rolet e të cilit përtej profesionalizmit kanë sjellë edhe edukim kulturor. Kolegët e tij e kanë përshkruar Qorrajn si njeri kontributi i të cilit është themeltar në artin dhe kulturën e Kosovës.
Xhevat Qorraj vdiq të enjten e javës së kaluar në moshën 78-vjeçare.
Dramaturgu e regjisor Fadil Hysaj ka thënë se ka tri ditë që është munduar të shkruante për Qorrajn, por assesi nuk ka mundur ta përmblidhte kontributin e tij në artin e Kosovës.
Ka thënë se fatkeqësisht shfaqjet i vrasin pasi te ne zhduken pas një a dy sezonesh.
“Është shumë e padrejtë dhe lënduese jeta e një aktori të skenës, i cili për të gjallë varros shumë e shumë personazhe. Brezi i ri i artistëve të skenës nuk ka pasur mundësi ta shohë si ka qenë Xhevat Qorraj në skenë. Tash e shoh sa e rëndë është kjo”, ka thënë ai. Sipas tij, disa shfaqje duhet të kenë jetë më të gjatë sesa që është bërë traditë dekadave të fundit. Ka folur për Qorrajn si mik. Ka thënë se ai kishte një vend të veçantë në bufenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku bashkë me miq e bashkëpunëtorë diskutonin tema të ndryshme. E ka çmuar për humor të hollë e edukativ, por është ndalur edhe te virtytet e tij prej artisti.
“Nëpër shfaqjet e teatrit ku ka luajtur ka pasur figurën e tij pompoze. Te filmi ‘Proka’ ka qenë një zbulim i një heroizmi tjetër. Krejtësisht ndryshe nga ajo që ne kujtojmë se duhet të jetë një hero. Jo gjithmonë heronjtë luftojnë për lirinë e masave. Hero janë edhe ata që në jetën e tyre demonstrojnë se si duhet të jetë një njeri i mirë. Proka ka pasur këtë manifestim. Ai krijon pavarësinë e tij në një shoqëri që i serviloset një pushteti të caktuar”, ka thënë Hysaj.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka përshkruar Xhevat Qorrajn si profesionist që shkëlqeu si një yll i pashembullt në skenën teatrore. Sipas tij, kontributi i tij i veçantë në artin e Kosovës ka bërë që emri i tij të mbetet shembull frymëzues për të ardhmen.
“Xhevat Qorraj, anëtar i gjeneratës së parë të aktorëve të Kosovës, është një emër i njohur dhe i respektuar nga të gjithë ata që kanë pasur kënaqësinë të përjetojnë veprat e tij, ndërsa karriera e tij e gjatë dhe e pasur ka përfshirë dhjetëra role të ndryshme në shfaqje teatrore të shumta, po aq sa edhe rolet të cilat i kemi përcjellë përmes ekranit”, ka thënë ai.
Sipas Çekut, përveç anës së artistit të jashtëzakonshëm, Xhevat Qorraj ishte një figurë e respektuar dhe aktivist i përkushtuar për kulturën dhe për arsimin.
“Përmes angazhimit të tij për të promovuar vlerat e artit dhe edukatës, ai ka ndikuar në ndërgjegjen kulturore të të gjithë shoqërisë sonë”, ka thënë ministri Çeku.
Kolegu i Qorrajt, aktori Selman Lokaj, ka interpretuar para të pranishmëve një monolog të “Mbretit Lir”, që flet bash për vdekjen. Më pas me të pranishmit ka ndarë disa kujtime. “E ka pranuar kritikën dhe kemi qenë miq prej fëmijërisë”, ka thënë ai.
E udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, ka përmendur rolet e shumta të Qorrajt, derisa ka thënë se drita që ai ka përçuar në teatër do të vazhdojë të ndriçojë.
I biri Qorrajt, Luan Qorraj, ka thënë se për babanë e tij mund të flitet shumë e prapë në fund të mos thuhet asgjë.
“Kush e ka njoftë nëpërmjet punës apo personalisht e din se çfarë po foli. Nuk mundet me u përmbledh shkurt Xhevati. Kush nuk e ka njohur shpresoj e din se çfarë kanë humbur”, ka thënë ai.
Xhevat Qorraj u lind më 1945 në Carrabreg të Deçanit. Kishte kryer studimet në Akademinë për Teatër, Film dhe Televizion në Beograd, kurse nga viti 1972 ishte punësuar si aktor i ansamblit rezident në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që asokohe njihej si Teatri Popullor Krahinor.
Në karrierën e tij ka 60 role në teatër dhe në film. I takon plejadës së gjeneratës së parë të aktorëve kosovarë. Ka luajtur në: “Kur pranvera vonohet”, “Rojat e mjegullës” “Era dhe lisi”, “Binarët”, “Kulla” “Tre veta kapërcejnë malin”, por edhe në filmat e realizuar pas luftës, si në “Tri dritare dhe një varje”, “Kodi i jetës” e disa të tjerë. Qorraj ishte laureati i çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” në vitin 2015.
Në ditën e vdekjes së Qorrajt, regjisori Agim Sopi, i cili ka bashkëpunuar me të në shumë projekte, përfshirë edhe në filmin e tij të parë “Njeriu prej dheu”, kishte thënë se me pikëllim të thellë duhet ta thotë se lajmi për vdekjen e Qorrajt “është një ditë zie për artin e Kosovës”. E ka vlerësuar atë si një ndër kolosët e galerisë së aktorëve të mëdhenj të Kosovës.
“I galerisë së viteve të arta ku bashkë me Abdurrahman Shalën, Bekim Fehmiun, Istref Begollin, Faruk Begollin, Melihate Ajetin, Shani Pallaskën, Xhevat Qenën e mos t’i numëroj të gjithë, ishin pa dyshim kasta më e mirë e Ballkanit dhe më gjerë”, kishte thënë ai. Kishte kujtuar se vitet ’80, kur ishin me “Makbethin” në Lojërat Verore të Dubrovnikut dhe i gjithë ansambli i Teatrit Mbretëror Anglez ishte rreshtuar për të marrë autograme nga aktorët e kastës së Kosovës si shëmbëlltyrë absolute e aktrimit modern dhe një shfaqje e përmasave të jashtëzakonshme që asokohe ndodhi në Kështjellën e Dubrovnikut.
“Xhevat Qorraj pa dyshim se është ndër më të mëdhenjtë e kësaj gjenerate. Aktor i shkolluar në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd nga gjeneratat e para që u kthye në Kosovë dhe kontribuoi në ngritjen e teatrit dhe filmit kosovar”, kishte thënë Sopi.