Kur përmenden emrat e aktorëve të brezit që vunë themelet e artit dramatik në Kosovë, Xhevat Qorraj është ndër të parët në atë listë. Kontributi i tij shkonte përtej një aktori të përkryer. Ndikonte fort edhe si model prej artisti. E modestia bashkë me filtrimin që iu bënte vlerave, preknin anën njerëzore të tij. Zbrazëtia që ka lënë ai në projektet teatrore e kinematografike do të vërehet, ashtu sikurse rolet e tij të shumta. Varfërim i skenës kulturore e ikje e një aktori që midis të tjerash vuri themelet e aktrimit në Kosovë, është përshkruar lajmi për vdekjen e Qorrajt
Në ditën e 28-të të korrikut të vitit 2015, Xhevat Qorraj kishte rolin kryesor në kabinetin e ministrit të Kulturës, asokohe Kujtim Shala. Vetë prania e Qorrajt bashkë me qëndrimin e tij e bënin atë hapësirë modeste të dukej si skenë teatri e sheshxhirim filmi. Qorraj e kishte këtë veti. Deri atëherë numëronte dhjetëra role kryesore në teatër e film. S’kishte si të ishte ndryshe edhe atë ditë, veç kryepersonazh. Qe ftuar për ta pranuar çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”. Gjatë pranimit të Çmimit për një moment i kishte ndërprerë fjalët. Nuk kishte mundur t’u shmangej emocioneve derisa kishte folur për aktorin, emrin e të cilit e mbante Çmimi. Me krejt modestinë që kishte, Qorraj – pavarësisht se nuk pati karrierë si të Fehmiut – ishte prej emrave më të mëdhenj të aktrimit në krejt ish-Jugosllavinë. I tillë është vlerësuar edhe të martën, kur luajti aktin e fundit të jetës. Xhevat Qorraj vdiq në moshën 78-vjeçare. Kumtin e dha nipi i tij Betim Qorraj. Zbrazëtia që ka lënë ai në projektet teatrore e kinematografike do të vërehet, ashtu sikurse rolet e tij të shumta. Varfërim i skenës kulturore e ikje e një aktori që, midis të tjerash, vuri themelet e aktrimit në Kosovë, është përshkruar kumti për Qorrajn.
Personazhi i mbi 60 roleve
Xhevat Qorraj u lind më 1947 në Carrabreg të Deçanit. Kishte kryer studimet në Akademinë për Teatër, Film dhe Televizion në Beograd, kurse nga viti 1972 ishte punësuar si aktor i ansamblit rezident në Teatrin Kombëtar të Kosovës, që asokohe njihej si Teatri Popullor Krahinor.
Në karrierën e tij ka mbi 60 role në teatër dhe në film. I takon plejadës së gjeneratës së parë të aktorëve kosovarë. Ka luajtur në “Kur pranvera vonohet”, “Rojet e mjegullës” “Era dhe Lisi”, “Binarët”, “Kulla”, “Tre veta kapërcejnë malin”, por edhe në filmat e realizuar pas luftës, si në “Tri dritare dhe një varje”, “Kodi i jetës”, “Përjetësisht fëmijë” e disa të tjerë. E në teatër zor të inskenohej ndonjë shfaqje pa qenë edhe ai pjesë e projektit. Njihej për humorin e hollë e tip “ngucakeqi” me kolegët.
“Ka pasur një humor fantastik. Na ngucte shpesh. Por ishte dashamirës e aktor i madh”, ka kujtuar regjisori i filmit dhe teatrit, Agim Sopi.
“Ditë zie për artin e Kosovës”
Regjisori Agim Sopi, i cili ka bashkëpunuar me Qorrajn në shumë projekte, përfshirë edhe në filmin e tij të parë, “Njeriu prej dheu”, ka thënë se me pikëllim të thellë duhet ta thotë se lajmi për vdekjen e Qorrajt “është një ditë zie për artin e Kosovës”. E ka vlerësuar atë si një ndër kolosët e galerisë së aktorëve të mëdhenj të Kosovës.
“I galerisë së viteve të arta ku bashkë me Abdurrahman Shalën, Bekim Fehmiun, Istref Begollin, Faruk Begollin, Melihate Ajetin, Shani Pallaskën, Xhevat Qenën e mos t’i numëroj të gjithë, ishin pa dyshim kasta më e mirë e Ballkanit dhe më gjerë”, ka thënë ai. Ka kujtuar se vitet ‘80 kur ishin me “Makbethin” në Lojërat Verore të Dubrovnikut dhe i gjithë ansambli i Teatrit Mbretëror Anglez ishte rreshtuar për të marrë autograme nga aktorët e kastës së Kosovës si shëmbëlltyrë absolute e aktrimit modern dhe një shfaqje e përmasave të jashtëzakonshme që asokohe ndodhi në Kështjellën e Dubrovnikut.
“Xhevat Qorraj pa dyshim se është ndër më të mëdhenjtë e kësaj gjenerate. Aktor i shkolluar në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd nga gjeneratat e para që u kthye në Kosovë dhe kontribuoi në ngritjen e teatrit dhe filmit kosovar”, ka thënë Sopi. Sipas tij, asokohe ishin ditët e arta të teatrit të Kosovës që ishte ndër më të mirët në gjithë ish-Jugosllavinë dhe më gjerë.
“Kam qenë i privilegjuar të punoj me të që nga filmi im i parë ‘Njeriu prej dheut’ dhe pothuajse në të gjitha shfaqjet, nga ‘Verbimi i Samsonit’ e deri te ‘Motra e katërt’, Xhevati ishte gjithmonë strumbullar i projekteve. Ishte aktor i emocioneve të thella, një shëmbëlltyrë ekstreme e teorisë së Lee Strasberg në aktrim, një shëmbëlltyrë e aktrimit modern, teatrit dhe kinematografisë moderne”, ka thënë Sopi. Sipas tij, Qorraj do të mbetet i tillë bashkë me disa njerëz që përjetuan katrahurën, luftën, tmerret dhe panë ëndrrat se në liri do të realizonin ato veprat e mëdha që iu kishin mbetur peng diku në jetë. Sipas tij, fatkeqësisht ndodhi e kundërta, liria nuk u solli hapësirën për të realizuar vepra jetësore, sepse klasa politike e viteve të pasluftës ishte pozicionuar armiqësisht karshi artit dhe identitetit kulturor.
“Për fatin tonë të keq këta njerëz mbetën në margjina, mbetën të parealizuar, të harruar, për të mos thënë edhe të poshtëruar, u detyruan të jetonin me pensione prej 100 eurosh në pozicione të lypsarëve dhe realisht shfaqja e tyre e fundit ishte pikërisht akti i tyre i vdekjes”, ka thënë Sopi.
“Artist deri në vdekje”
Aktori Afrim Muçaj, si koleg e mik i Qorrajt, ka thënë se edhe pse më i ri se ai në moshë, afërsinë e kishin të madhe. E ka përshkruar si një njeri që ishte gjithmonë i ri.
“Në karrierën time ka qenë goxha ndikues, forma e tij e menaxhimit të karrierës qysh ka mbetur artist deri në vdekje është për çdo lëvdatë dhe unë sot ndiej dhimbje goxha të madhe, sepse skenës kulturore në Kosovë i ka ikur një artist i jashtëzakonshëm dhe një mjeshtër i madh, lutem që edhe unë një ditë të vdes me dinjitetin që ka pasur xhaxhi Xhevat”, ka thënë ai.
E ka përshkruar atë si aktor të jashtëzakonshëm.
“Sinqerisht edhe unë kam pasur fatin që jam marrë goxha shumë me film dhe besoni që filmat e tij i kam parë me syrin e asaj që të mësoj si ta bëj një rol”, ka thënë Muçaj. Sipas tij, thjeshtësia e Qorrajt e të luajturit në film ka qenë e jashtëzakonshme dhe mësim në realizimin e roleve”, ka thënë ai. Ka kujtuar bashkëpunimin që kishte me të në serialin “Rrushe”.
“I jashtëzakonshëm, energji fantastike, i qeshur, aktor fantastik, edhe pse kishte ndonjë skenë vetë unë qëndroja mbrapa kamerave dhe shikoja se si Xhevati po e bënte atë rol. Sinqerisht, është humbje shumë e madhe, po më vjen keq që nuk do ta takoj më, edhe si shok, por edhe si artist i madh”, ka thënë ai.
Teatri Kombëtar i Kosovës nëpërmjet një njoftimi e ka përshkruar Qorrajn si aktor, rolet e të cilit në teatër dhe film do mbahen mend gjatë dhe do të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e artit për shumë gjenerata.
“Teatri Kombëtar i Kosovës do ta kujtojë Xhevat Qorrajn për talentin e tij të rrallë, rolet e tij të shumta, kolegialitetin e tij të pashoq dhe kontributin e tij të pafund në kulturën dhe artin tonë kombëtar”, shkruhet në njoftimin e TKK-së.
“Emër që shënjoi vetë historinë e kinematografisë dhe artit”
Vdekja e Qorrajt është vlerësuar si një humbje e madhe për artin dhe kulturën në Kosovë edhe nga udhëheqësit e lartë institucionalë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjes, Teatrit Kombëtar të Kosovës, kinematografisë kosovare dhe komunitetit kulturor me rastin e vdekjes së Qorrajt.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit Xhevat Qorraj. Teatri dhe kinematografia humbën një aktor të madh, publiku të adhuruarin e tyre. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor”, thuhet në mesazhin ngushëllues të presidentes Osmani.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook se me pikëllim e ka lexuar lajmin për vdekjen e Xhevat Qorrajt, artistit të madh të skenës teatrore dhe kinematografike të Kosovës. Siç e ka shpesh zakon është kthyer prapa në kujtesë.
“Kam qenë 10-vjeçar kur pat bërë jehonë në Kosovë dhe rajon aktori Xhevat Qorraj në rolin e Prokës, kryepersonazh te filmi ‘Proka’ i vitit 1985, me regji të Isa Qosjes, film të cilin e kam rishikuar disa herë. Loja mjeshtërore e Xhevat Qorrajt në filmin ‘Proka’ është shembulli ideal i atij paradoksi të artit, ku arti i kinemasë e nxjerr nga harresa dhe mosnjohja një vepër arti tjetër, si në këtë rast novelën ‘Proka’ të shkruar nga doktori prej Elbasani, Filip Papajani dhe të botuar që më 1936, e mbi bazën e së cilës u përshtat ky film”, ka kujtuar kryeministri Kurti.
Ka shkruar se të tjera role filmike në filmat “Rojet e mjegullës”, “Si të vdiset”, “Tri dritare dhe një varje” dhe deri te filmi “Eternally Child”, i kanë përjetësuar figurën dhe lojën e aktorit Xhevat Qorraj në botën e filmit në Kosovë.
“Aktor i gjeneratës së parë të aktorëve profesionistë në Kosovë, me karrierën e tij artistike mbi pesëdekadëshe, Xhevat Qorraj do të mbetet ndër ata emra që e kanë shënjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë”, ka shkruar kryeministri Kurti. Midis kujtimesh për aktorin Xhevat Qorraj nëpërmjet filmave ku ai ka luajtur, iu ka shprehur ngushëllime familjes Qorraj, kolegëve dhe miqve të aktorit, si dhe tërë komunitetit të artistëve në Kosovë.
Kurse ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, po ashtu në Facebook ka reaguar duke shkruar: “Lamtumirë artist i madh!”. Sipas tij, lajmi për vdekjen e Xhevat Qorrajt, një prej aktorëve më të spikatur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, i ka trishtuar të gjithë.
“Një humbje e madhe për artin e kulturën, por me një galeri të pasur rolesh, Qorraj do të mbahet mend gjatë dhe do të vazhdojë të ndriçojë rrugën e artit për shumë breza. Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të gjithë komunitetin artistik”, ka shkruar Çeku.
Komuniteti artistik ka mbetur pa një prej aktorëve që vunë themelet e artit dramatik në Kosovë. Dhe pavarësisht krejt karrierës, Qorraj mbetej njeri që vlerësonte të tjerët. Modest sikurse në ditën kur pranoi çmimin “Bekim Fehmiu”, që ishte një prej vlerësimeve të pakta që i ka bërë shteti i Kosovës. Por Qorraj nuk merrej me këtë anë. Kishte rrugën e tij. Artin.
VIDEO: