Në Atelienë e Pallatit të Rinisë, për më shumë se dhjetë ditë, orkestra e Filharmonisë së Kosovës bashkë me Korin dhe solistë nga Kosova e Shqipëria bënë prova për koncertin e përvjetorit të pesëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës. Orë të tëra provash e ushtrimesh fshihen prapa koncerteve madhështore të cilat Filharmonia i sjell para publikut. Për një të tillë u bën bashkë si pjesëza që do ta formësojnë koncertin artistik të Pavarësisë.
Fillimisht janë dirigjenti me orkestrën, më pas u bashkohet kori, tutje edhe solistët për të shpërthyer me energji dhe emocione.
Rëndësi gjatë provave iu dha “Thirrjes për unitet dhe harmoni” për katër korno, timpane dhe orkestër të kompozitorit nga Malta, Joseph Vella. Kjo vepër do të vijë para publikut si premierë. E mesazhi të cilin e përçon e bën pesëmbëdhjetëvjetorin e Pavarësisë momentin e duhur për t’ia prezantuar atë publikut kosovar.
Përpos saj, vjen edhe “Hyland” për zë djali soprano, soprano, alt, tenor dhe bas, kor të përzier dhe orkestër, ku krahas gjuhës latine, dëgjohet edhe gjuha hebraike e ajo gjermane. E kompozuar në vitin 1994 ka të shkrira në vete edhe elemente të folklorit maltez. Vepra karakterizohet me një lloj përplasjeje tingujsh jo fort të zakontë dhe me harmoni komplekse. Është vlerësuar për përshkrimin e gjallë dhe përsosmërinë teknike.

Për dy javët e para të shkurtit vëmendja e orkestrës së Filharmonisë, korit dhe sopranos Adelina Paloja, altos Françeska Pjetri, tenorit Klodian Kaçani, baritonit Erion Sheri, basit Xhieldo Hyseni dhe sopranos Arta Jashari ishte te këto vepra dhe provat në mënyrë që para publikut t’i shpalosin mjeshtërisht.
Publiku sheh produktin final. Deri te koncerti, prapaskena është një tjetër shfaqje. Aty shihet se si merr formë interpretimi i veprave, se si harmonizohen muzikantët.
Para pesëmbëdhjetë vjetëve vepra e Rexho Mulliqit ishte vepra me të cilën Filharmonia festoi shpalljen e Pavarësisë. Visar Kuçi e kujton paraqitjen e 17 shkurtit të 2008-s si njërën nga më të rëndësishmet pikërisht për këtë fakt.
“Përgjegjësi shumë e madhe ka qenë. E di që e kemi luajtur Simfoninë e Rexho Mulliqit se kemi dashtë me qenë diçka e jona, ka pasur edhe vepra të tjera. Përgjegjësia është rritur në momentin që e kemi ditur se koncerti transmetohet drejtpërdrejt edhe mijëra shikues në krejt botën e shohin. S’ka qenë e lehtë, por për ne çdo koncert është me përgjegjësi shumë të lartë”, ka thënë Kuçi.
E për koncertin e 16 shkurtit, Kuçi është i lumtur që do të paraqiten me një koncert artistik, me ndryshe nga herët e tjera.
“Është një vepër shumë karakteristike, shumë interesante edhe po më pëlqen fakti që Filharmonia ka vendosur për këtë koncert të mos jetë në formën protokollare qysh zakonisht koncertet janë të bëra. Është një koncert i tëri artistik, ku është një vepër e re, e cila nuk luhet për herë të parë në botë, por në Kosovë vjen si premiere”, ka vazhduar tutje ai, duke treguar për qetësinë dhe durimin që kërkohen për interpretimin e tyre.
“Është diçka e veçantë. Edhe dirigjenti është shumë i mirë sidomos për realizmin e kësi lloj vepre, ku duhet një qetësi, një durim i madh, pasi që janë të përfshirë kori, solistët, Filharmonia, elemente këto që besoj se do ta bëjnë të veçantë krejt këtë koncert. Njerëzit që do të jenë prezentë po besoj që do ta shohin një tjetër lloj koncerti për manifestimin e Pavarësisë”, përfundoi Kuçi.
Ai nuk la anash lëvdatat për dirigjentin David Hayes nga SHBA-ja, nën drejtimin e të cilit vjen i tërë koncerti. Është hera e parë për Hayes që vjen në Kosovë. Ai thotë se ndihet i nderuar që u ftua ta drejtojë këtë koncert pikërisht në këtë përvjetor të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“I kam thënë orkestrës dhe gjithë ekipit dhe stafit të Filharmonisë së Kosovës se jam tejet i nderuar të jem këtu. E di sa e rëndësishme është kjo ditë, jo veç për muzikantët, po për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kështu që jam shumë i lumtur të jem këtu ta mbështes festimin. E kemi krijuar një lidhje të mrekullueshme në këto dhjetë ditët e fundit. Po punojmë shumë, por edhe po kalojmë kohë të mirë derisa po bëjmë muzikë. Mendoj se rëndësia e këtij koncerti për orkestrën është se vepra të cilën do ta luajmë është një thirrje për paqe”, ka thënë Hayes
Veprën “Thirrje për unitet dhe harmoni” e përafron me “Rekuiem Lufte” të Benjamin Brittenit.
“Ideja është se ka poetikë në vete, pak a shumë si ‘Rekuiem Lufte’ i Benjamin Brittenit. I tëri ky tekst, e tëra kjo muzikë është një thirrje që njerëzit të bashkohen në unitet dhe paqe dhe mendoj se kjo me të vërtetë shkon dorë për dore me ndjenjat krenare për pavarësinë dhe dëshirën e madhe për paqe”, u shpreh ai për veprën e Vellas.

Nuk dallon shumë organizimi i këtij koncerti me atë të para pesëmbëdhjetë vjetëve. Sallat e improvizuara si për ushtrimet, ashtu edhe për koncertet kanë mbetur sfida në vete. Ani pse data e themelimit të Filharmonisë si institucion prin për vite prej asaj të Pavarësisë.
Këtë e thotë edhe organizatori i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.
“Më vjen mirë që jemi këtu ku jemi, Filharmonia ka kaluar nëpër një zhvillim nëpër këto pesëmbëdhjetë vjet, por natyrisht që mbetet shumë për t’u bërë, sidomos për kushtet në të cilat punon Filharmonia, për sallat nëpër të cilat koncerton ajo dhe jo vetëm Filharmonia, por edhe institucionet e tjera të kulturës dhe shpresoj që ndoshta në një përvjetor të ardhshëm të njëzetin ose të njëzetepestin ta kemi një sallë madhështore që besoj se kishte për t’i shtuar edhe më shumë madhështinë koncerteve që organizohen në përvjetorë të rëndësishëm të Republikës”, ka thënë Selimaj.

Ai e kujton ditën e shpalljes së Pavarësisë me interpretimin në koncert si pjesë e korit të Filharmonisë. Në mendjen e tij ajo ditë është ndër kujtimet më të bukura që ka.
“Më kujtohet gjithçka si një ëndërr sepse ne kemi kaluar gjithë ditën me shumë entuziazëm, shumë e vështirë me lëvizë nga një vend në një tjetër nëpër qytet për shkak të turmave të njerëzve që festonin. E mbaj në mend si një prej kujtimeve më të bukura në jetë interpretimin në atë koncert, i cili ka qenë madhështor. Koncerti i Pavarësisë së Kosovës ka qenë një moment në të cilin përvjetorin e pesëmbëdhjetë nuk e kam parashikuar që do të organizohej në të njëjtat rrethana, në kuptimin që përsëri do të jemi në një sallë e cila duhet improvizuar”, përfundoi ai.
Koncerti do të shfaqet këtë mbrëmje në sallën AMC në Obiliq.
Filharmonia në këtë përvjetor të pesëmbëdhjetë pritet të ketë edhe një paraqitje me program të veçantë në sallën plenare të Kuvendit, aty ku është shpallur Pavarësia. Kjo performancë do t’i paraprijë mbledhjes solemne të Kuvendit të Kosovës. Në programin e paraqitjes në Kuvend do të interpretohen: uverturë nga opera “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit, dueti nga baleti “Shotë e Azem Galica” e Nikolla Zoraqit, “Baresha” e Rexho Mulliqit dhe “Oda e gëzimit” e Beethovenit me dirigjent Gridi Kraja.