Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Akademikja ujgure e burgosur në Kinë, shpallet shkrimtarja e guximit

Profesorja dhe ekspertja botërore në folklorin e kulturës ujgure, Rahile Dawut, është raportuar se u dënua me burgim të përjetshëm, pas zhdukjes së saj prej 6 vjetësh. Profesorja ujgure, Rahile Dawut, u shpall shkrimtarja më e guximshme për këtë vit. Dawut është zgjedhur nga Michael Rosen, i cili si fitues i çmimit “PEN Pinter” ndan çmimin me një shkrimtar të guximshëm, të përzgjedhur nga një listë e ngushtë e shkrimtarëve ndërkombëtarë

Profesorja e njohur ujgure Rahile Dawut u shpall shkrimtarja më e guximshme për këtë vit. Pas zhdukjes së saj prej gjashtë vjetësh, muajin e kaluar u raportua se Dawut u dënua me burgim të përjetshëm nga autoritetet kineze, nën akuzat e kërcënimit të sigurisë së shtetit.

Dawut është zgjedhur nga Michael Rosen, i cili si fitues i çmimit “PEN Pinter” ndan çmimin me një shkrimtar të guximshëm, të përzgjedhur nga një listë e ngushtë e shkrimtarëve ndërkombëtarë që kanë mbrojtur aktivisht lirinë e shprehjes, shpesh duke rrezikuar edhe sigurinë e tyre.

Rosen zgjodhi Dawut, një eksperte botërore në folklorin ujgur, sepse ia “kishte dedikuar shumë orë kënaqësisë së studimit të folklorit” dhe “ishte shtyrë nga zemërimi se dikush mund të burgoset vetëm për shkak të interesimit që ka”.

Si profesore e asociuar në Universitetin e Xinjiang dhe si themeluese e Qendrës hulumtuese për folklorin e minoriteteve, Dawut ishte e paraparë të udhëtonte në Pekin për një konferencë akademike në dhjetor të 2017-s. Megjithatë, tani 57-vjeçarja nuk arriti kurrë në destinacion, dhe vendndodhja e saj mbetet ende e panjohur. Tre vjet pas zhdukjes së saj, bashkëpunëtorët e mëparshëm të Dawut konfirmuan se autoritetet kineze e burgosën atë nën akuzat se promovonte “përçarje”. Muajin e kaluar grupi për të drejtat e njeriut “Dui Hua Foundation”, me bazë në SHBA, të cilët u përpoqën të lokalizonin vendndodhjen e saj, raportuan se ajo humbi në apelin kundër burgimit të përjetshëm.

Shpërblimi i Dawut, “PEN Pinter Award” u pranua në emër të saj nga Rachel Harris, profesore e etnomuzikologjisë në Universitetin SOAS në Angli. Vajza e Dawut, Akleda Pulati, ka thënë: “Nëna ime është një akademike e dalluar. Ajo do të duhej të vazhdonte hulumtimet e saja, dhe të shijonte pensionimin, por ajo tani është në burg”.

Edhe Irani e dënon fituesen e Nobelit për Paqe me mbi 7 vjet burgim Botë Irani e dënon fituesen e Nobelit për Paqe me mbi 7 vjet burgim

“Lajmet për burgosjen e saj nuk më goditën vetëm mua, por të gjithë ata që admirojnë kulturën ujgure dhe ata që e duan nënën time”. Pulatti shtoi se “nëna ime po dënohet për punën e saj të palodhshme dhe për dashurinë e saj për kulturën”.

Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Londër, Rosen ka thënë: “Nga Biblioteka britanike këtu, nuk mund të mendoj gjë tjetër përveç faktit se sa shumë lloje lirish kam unë, të cilat shpesh i marr si të mirëqena, liri këto që mungojnë për shumë të tjerë në botë”.

Rosen, i njohur më shumë për librat për fëmijë, shpreh admirimin e tij për Dawut, duke shtuar se “shpresoj që çfarëdo që po bëjmë sot këtu për të, t’i ndihmojë rastit të saj”.

“I uroj asaj fuqi psikike dhe gjithë forcën fizike që i nevojitet, ose siç do të thoshin shumë prindër: ‘Sh’Koyech’ – Një shprehje hebraike që nënkupton diçka të ngjashme me vlerësimin dhe dhënien e kurajës për dikë”.

Edhe Kina dënon me 7 vjet burgim për spiunazh një ish-gazetar Botë Kina dënon me 7 vjet burgim për spiunazh një ish-gazetar

Rasti i Dawut paraqet një shqetësim për PEN-in, dhe si e tillë kampanja e shkrimtarëve PENWrites solidarizohet me shkrimtarët e rrezikuar nëpër botë ose me ata që janë të burgosur. Kjo organizatë jofitimprurëse e konsideron burgosjen e Dawut si një shkelje të qartë të lirisë së shprehjes dhe kërkon lirimin e saj të menjëhershëm dhe pa kushte.

Marrë nga “The Guardin”. Përktheu: Enis Bytyqi