Akademik Gudar Beqiraj, figurë e njohur e shkencës shqiptare, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka vdekur të hënën pikërisht në ditëlindjen e 72-të të tij. “Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si ai!”, ka shkruar Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Akademiku i njohur, njeriu i sportit dhe i kulturës është vlerësuar për kontributin e tij shumëvjeçar. Ish-kryetari i ASHSH-së ka punuar si pedagog i matematikës dhe informatikës në Universitetin e Tiranës, ndërsa mbajti një sërë detyrash të rëndësishme si dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, anëtar i KQZ-së, anëtar i ASHSH-së dhe më pas zëvendëskryetar e kryetar i këtij institucioni. Pos si sportist i njohur e më pas arbitër kombëtar dhe ndërkombëtar në peshëngritje, Beqiraj ka drejtuar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes dhe ka qenë zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Shqiptar. Ndër vite ai ka publikuar disa libra të informatikës dhe zbatimit të saj në gjeofizikë, si dhe dy libra për sportin e peshëngritjes. Së fundmi, ka qenë rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Në shtator të vitit 2017 qe rizgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por ka dhënë dorëheqjen vetëm pas dy muajsh të qëndrimit në detyrë. Për dy mandate kishte qenë nënkryetar. Dorëheqja erdhi pas qëndrimeve të kryeministrit, Edi Rama, i cili para procesit të zgjedhjes brenda Akademisë kërkoi reformimin e këtij institucioni, ku kreu i Qeverisë e cilësoi atë si një lloj rudimenti sovjetik në Shqipëri, ndërkohë që paralajmëroi ndërprerjen e fondeve.
“Është një ditë e trishtë për ne sot. Më kujtohen dy vargje të Nolit, që ia dedikon Shqipërisë. Unë do t’ia dedikoj Gudarit: ‘Ai e donte Akademinë, kur s’e deshën edhe qante kur e qeshën”, ka thënë nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Vasil Tole, duke iu referuar ngjarjeve të tre vjetëve më parë.