Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Agi me shtatë vepra hap botën e tij sureale

Janë vetëm shtatë vepra, por kaq mjaftojnë për t’u futur në botën sureale të Salih Lutollit – Agit, i cili shquhet për mjeshtërinë e teknikës së tushit, punën filigranike e gjerësinë e temave. Publikut në Prishtinë i rikthehet pas gati tri dekadash, ani pse krijimtaria e tij nuk ka shkëputje. Veprat e ekspozuara mbajnë vite të ndryshme, por janë të tejkohshme. “Gjuha ime që e shpreh në ato motive është më shumë surealiste. Mendoj se përmes kësaj gjuhe, nëpërmjet vizatimit, mund ta shpreh atë që kam dëshirë ta shfaq në një katërkëndësh”, ka thënë ai

Dy lugë të mëdha janë të vendosura në një sofër. Përmes lojës me tush artisti Salih Lutolli - Agi ka paraqitur nuancat e ndryshme në atmosferën përreth një sofre, e cila mirëpret mysafirë. Pret mysafirët dhe ushqimin.

Por zbërthimi i kësaj vepre të 1999-s është i shumëfishtë. Është një prej shtatë veprave të ekspozuara në kafe-galerinë “Hani i 2 Robertëve”, aty ku artisti me punimet e tij pret vizitorët pas një kohe të gjatë. Në punimet e tjera e bën më të theksuar lojën e tij sureale në grafikë. “Gjeli dhe hëna” është një prej punimeve që artisti e kishte realizuar në vitin 1986. Një dinamikë ndërveprimi duket në atmosferën që kujton terrin. Gjeli paraqitet në një formë jo fort të zakonshme. Vija kalon nëpër nuanca të ndryshme për të theksuar pozicionin e formave. “Këngën e këputur” artisti e ka shprehur në një vizatim ku figurat mbajnë sytë e mbyllur dhe duket sikur jetojnë në një realitet të vjedhur. “Zogu me një krah” është tjetër imazh që lidhet me këtë realitet. Artisti Lutolli qëmoti është shpërngulur në Suedi dhe kthehet pas gati tri dekadash me ekspozitë në Prishtinë.

Meqë “Hani i 2 Robertëve” është një vend me traditë sa i përket kulturës, ai pikërisht nga ky ambient artistik u është kthyer vizitorëve e miqve të tij artistë. Kësaj radhe i është përshtatur edhe ambientit me një miniekspozitë, por shpreson që në të ardhmen të shpalosë edhe shumë punime që i ka punuar në më shumë se gjysmëshekulli krijimtari.

“I njoh aktivitetet e ‘Hanit të 2 Robertëve’ qysh moti, kështu që e shfaqa dëshirën që të punoj këtu. Shpresoj në të ardhmen të paraqitem me një ekspozitë shumë më të gjerë”, i ka thënë Lutolli KOHËS. Salih Lutolli diplomoi në Akademinë e Arteve në Prishtinë më 1986. Nisi të punonte në Llapashticë si mësimdhënës i gjuhës frënge. Prej vitit 1975 punoi si ilustrues në TVP, prej ku kaloi në pozitën redaktor artistik në “Zërin e Rinisë”. Nga viti 1984 deri para luftës ka qenë i angazhuar si redaktor grafik-teknik në shtëpinë botuese “Rilindja”. Në vitin 2000 u shpërngul në Suedi, ku jeton edhe sot. Ai është marrë edhe me dizajnimin grafik të librave, ilustrimin e ballinave të librave të autorëve vendas dhe të huaj. Ka ekspozuar në Spanjë, Danimarkë dhe në disa qytete të Francës dhe të Suedisë.

“Motivet janë të llojllojshme. Nuk më mungon frymëzimi. E nxjerr nga gjithçka. Gjuha ime që e shpreh në ato motive është më shumë surealiste. Mendoj se përmes kësaj gjuhe, nëpërmjet vizatimit, mund ta shpreh atë që kam dëshirë ta shfaq në një katërkëndësh”, ka thënë ai. Kohëve të fundit është duke u marrë me pikturë. Trupa të grave në një lojë me natyrën, si simbol i pritjes dhe mbijetesës, janë në dy prej punimeve të tij. Si një pritje për burrat është një prej punimeve që mban vulën e vitit 2000. 16 vjet pas e ka punuar një punim me trup gruaje. Në teknikën e tushit përcjell mesazhin e mbijetesës. Artisti, i cili thotë se ka shumë më shumë punime, në to mbërthehen motive të ndryshme. Surealizmi thotë se e udhëheq punën e tij në letër.

Image

Dizajneri grafik dhe piktori Faik Krasniqi ka thënë se përvoja gjashtëdhjetëvjeçare e Lutollit në këtë fushë e ka bërë që të shquhet për teknikën e tij me tush ku dallohet mjeshtëria e rrallë në formësimin e formave. Përkushtimi ndaj tyre ka thënë se i bën vizitorët që vështirë t’i harrojnë punimet e tij.

“Është artisti i cili punon qe 60 vjet në këtë profesion dhe teknikën e tushit e ka veçanërisht specialitet. Punon si filigran. Disiplina e punës, talenti dhe motivet e dallojnë atë. Stili i veçantë i tij është i njohur, njerëzit që i kanë parë një herë këto kurrë nuk i harrojnë. I ka shumë tërheqëse realizimet, punon me ndjenjë të madhe”, ka thënë Krasniqi, i cili është edhe kurator i ekspozitës.

Edhe “Çrregullimet e sakta” në provokim me lojë ngjyrash Kulturë 3 j. më parë “Çrregullimet e sakta” në provokim me lojë ngjyrash

Kjo është ekspozita e dytë pas rihapjes së “Hanit të 2 Robertëve” që në vitet e okupimit serb ka shërbyer si strehimore urbane kulturore ku, përveç artistëve, mblidheshin edhe intelektualë, veprimtarë e gazetarë. Ekspozita “0220” e artistes Lumturie Krasniqi qe hapur në mars pas një periudhe gati njëvjeçare të pauzës e në qershor të vitit të kaluar ishte promovuar monografia “Hani i 2 Robertëve 1989-2019, Arti i Rezistencës - Rezistenca e Artit”. Me lokacion te “Santea”, me këtë ekspozitë po e dëshmon misionin për ta vazhduar traditën e gjallërimit kulturor duke u fokusuar te artistët me bagazh dhe ata më të rinj.

“Salihu është njeri që nuk bën të harrohet. Më duket se e kanë harruar që 30 vjet nuk ka bërë ekspozitë. Është artist i cili ka depërtuar me punën e tij- punën e tij shumë të zorshme që e ka bërë atëkohë”, ka thënë udhëheqësi i “Hanit të 2 Robertëve”, Fadil Dragaj.

Ekspozita personale e Salih Lutollit - Agit do të qëndrojë e hapur deri më 17 qershor.