Prishtinë, 6 shkurt – Ministria e Kulturës ka dhjetë ditë që ka hapur zyrën në Prizren. Por i vetmi aktivitet publik i ministrit të Kulturës në zyrat e reja është takimi me regjisorin e dokumentarit “Në mes”, Samir Karahoda, dhe producentin Eroll Bilibani, me të cilin Kosova për herë të parë është në garë zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, që hapet të enjten. Premiera “Në mes”, në edicionin e 69-të të “Berlinales”, do të jepet të martën e javës që vjen.
Zyrat e hapura në ish-objektin e Rektoratit të Universitetit të Prizrenit, në qendër të qytetit, do të shërbejnë për kabinetin e ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi. I pari i kulturës në vend ka bërë edhe një orar për praninë e tij në dy selitë. Katër ditë do të qëndrojë në Prishtinë e vetëm një në Prizren, zakonisht ditën e premte.
Me trendin e tanishëm vetëm kostoja e gjashtë muajve të parë, sa i përket angazhimit të stafit shtesë, e tejkalon shumë prej 15 mijë eurosh. Tashmë MKRS-ja ka angazhuar pesë zyrtarë në zyrat në Prizren. E për tre të tjerë në janar ka hapur konkurse. Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor MKRS-ja ka angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta Elira Saramatin si zyrtare administrative në zyrat në Prizren. Bashkë me të ka angazhuar edhe Bekim Thaqin, si zyrtar për buxhet e financa, Arbër Krasniqin, zyrtar të depos, e Reshit Kallabën si zyrtar financiar. Angazhimi i tyre është bërë nëpërmjet konkurseve publike. Kanë marrë kontrata për gjashtë muaj shërbim. Si punonjës i rregullt në Prizren është pranuar Fidan Shala, në cilësinë e zyrtarit të lartë ligjor. Aktualisht Ministria e Kulturës për zyrat në Prizren kërkon që të angazhojë për nga gjashtë muaj një zyrtar për promovimin e turizmit kulturor, një për arkiv e një asistent administrativ. Shtatë të angazhuar me ata që njihen si kontrata mbi vepër për gjashtë muaj do t’i kushtojnë MKRS-së 15 mijë e 120. Përderisa punonjësi i rregullt do të ketë pagë prej 420 eurosh bruto.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")
{gallery}