Kulturë

“A Jingle of Memories” si dhuratë nostalgjie me urimet festive

urta

Sopranoja Urta Haziraj ka thënë se rikthimi në nostalgjinë e kohës së fëmijërisë ka qenë ideja e koncertit. “Përzgjedhja e programit ka qenë kryesisht duke e menduar pjesën e fëmijërisë dhe lidhjen që e kemi me këtë lloj programi, me këtë lloj muzike. Natyrisht, kam pasur një ekip të mrekullueshëm prapa i cili ka ndihmuar të përmblidhet gjithë ky program”, është shprehur ajo.

“A Jingle of Memories” ka qenë dhurata e sopranos Urta Haziraj për festat e fundvitit. E ka sjellë jo veç për miqtë e saj, por për një publik të tërë që admiron këngën e saj, të cilët kanë mbushur plot Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në kryeqytet. Magjia e këngës së saj ka rikthyer kujtesën kolektive të kohës së fëmijërisë me program të bukur, përcjellë nga formacioni orkestral. 

Tema më e zakonshme në një repertor të tillë është nostalgjia. Është në shumë këngë ajo e kthimit në shtëpi për festa, mungesa e të dashurve në momente të tilla gëzimi, a edhe nostalgjia e kujtimit për festat e kaluara. Për nga ana muzikore, kambanat janë kryesisht tingulli që nuk mungon. 

Të ngjashme kanë qenë edhe këngët e përzgjedhura nga sopranoja Haziraj për koncertin “A Jingle of Memories” që u mbajt të enjten mbrëma. Festive e sentimentale, nostalgjike në ton. 

Koncerti ka nisur me pjesën instrumentale “Seeing in believing”, kolonë zanore e filmit “The polar Express” nga Alan Silvestri. Ka qenë pjesë melankolike e paraprirje e paraqitjes së Urta Hazirajt në skenografinë përplot elemente festive. Yjet, fjongot dhe qirinjtë kanë qenë disa prej tyre. E festa ka jehuar edhe nëpërmjet zërit të saj. 

Sopranoja Haziraj ka thënë se rikthimi në nostalgjinë e kohës së fëmijërisë ka qenë ideja e koncertit.  

“Përzgjedhja e programit ka qenë kryesisht duke e menduar pjesën e fëmijërisë dhe lidhjen që e kemi me këtë lloj programi, me këtë lloj muzike. Natyrisht, kam pasur një ekip të mrekullueshëm prapa i cili ka ndihmuar të përmblidhet gjithë ky program”, është shprehur ajo. 

Ka nisur me “It’s beginning to look a lot like Christmas” nga Meredith Wilson. Nuk ka pasur si të mungojë saksofoni, bateritë, kitara e tastiera. Që me këtë pjesë e edhe të tjerat kanë qenë në frymë të jazzit. E kënga në stil lirik e Hazirajt është kombinuar goxha mirë me atë që tingëllon si jazz klasik.

“Kam pasur dëshirë ta mbledh jazzin dhe klasikën me teknikë operistike, të sillet një frymë e tillë”, është shprehur sopranoja Haziraj. 

“O holy night” nga Adolphe Adam ka qenë melankolike ndërsa “Angels we have heard on high” nga James Chadwick, për kah ana muzikore është shquar për lojë të theksuar të perkusioneve. Te “Silver Bells “nga Jay Livingston dhe Ray Evans, tingujt e kambanave janë dominante dhe e përcjellin gjithë koncertin.

Zërat e njomë të dhjetëra fëmijëve të korit “Okarina” janë bërë një për këngën “Christmas star” nga John Williams , që i sjellin mrekullueshëm në një linjë të vetme vokali. 

Më pas, sopranoja Urta Haziraj ka interpretuar edhe “Silent Night” nga Franz Gruber si dhe një prej himneve të festave të fundvitit “Have yourself a Merry Little Christmas” nga Hugh Martn dhe Ralph Blane. 

Më pas kanë jehuar edhe këngët “The Christmas song” nga Mel Trome dhe Rober Wells të cilën Haziraj e ka sjellë fillimisht në duet me Ilir Bajrin në piano ku nën dritën e qirinjve është sjellë ngrohtësia e kësaj kënge para se formacioni të bashkohet në ritëm, si dhe kënga “Let it snow” nga Jule Styne, interpretuar nga kori “Okarina”. 

Kitara, dy violina, një violë, një violonçel, kontrabasi, flauti, saksofoni e klarineta, bateritë dhe tastiera, janë instrumentet që e kanë ndërtuar orkestrën për këtë koncert.

Pjesën muzikore e ka punuar poliinstrumentisti, Visar Kuçi. 

“Unë e kam punuar krejt materialin, e kam aranzhuar për këtë koncert special për këtë formacion. Tri prej pikave që janë luajtur nuk i aranzhuar, por veç i kam orkestruar dhe përshtatur për këtë formacion, të tjerat i kam aranzhuar dhe kanë qenë të bëra special për këtë koncert”, ka bërë me dije ai. 

E ka konsideruar projekt të veçantë koncertin “A Jingle of Memories” nga Urta Haziraj. 

“Është prej iniciativave të para që e ka marrë Urta Haziraj për ta bërë. Ka qenë ëndërr e saj e kamotshme për ta bërë një koncert me këngë të Kërshëndellave, të cilat janë shumë të njohura për publikun në përgjithësi, pasi i dëgjojmë çdo vit. Për mua ka qenë një përvojë shumë e veçantë të ndodh edhe në Prishtinë, sepse nëpër vende të Evropës e të botës, më ka ndodhur të luaj këso koncerte shumë. Por në Prishtinë më duket se është hera e parë, bash me qenë kështu, specifike një miks midis klasikës, muzikës kishtare dhe jazzit. Është njëfarë ‘cross over’”, është shprehur Visar Kuçi, koncert-mjeshtër i Filharmonisë së Kosovës. 

Në koncertin e Hazirajt e ka udhëhequr orkestrën duke luajtur me kitarë. Ka thënë se muzika ka qenë jazz, por sopranoja ka qëndruar brenda linjave të këndimit lirik.

“Urta e ka gjetur një formë të këndimit të cilit i ka qëndruar brenda karakterit operistik të saj, pasi është këngëtare operistike klasike. E kemi gjetur një mes ku kënga, edhe pse përcjellja ka qenë tamam jazz ‘swing’, Urta ka kënduar në atë formën e impostuar, në mënyrë klasike dhe mendoj se ka funksionuar shumë mirë si kombinim”, ka thënë Kuçi. 

Zëri i sopranos Haziraj ka bërë magji edhe në këngët “Winter wonderland” nga Felix Bernard si dhe në “Santa Claus is coming to town” nga Fred Coots dhe Haven Gillespie të cilën e ka kënduar si duet me korin e fëmijëve “Okarina”, udhëhequr nga sopranoja Elikona Hysaj. 

Po ky kor, sipas Hazirajt, “, si çdo performancë dhe shfaqje tjetër, i shton atë zbukurimin dhe fjongon e fundit, sidomos me këtë program festiv. Ideja ka qenë të përzgjidhet ky kor që të performojë bashkë me mua dhe ka qenë një natë e mrekullueshme”. 

Këndimi i saj ka qenë tejet delikat. Ajo ka theksuar vështirësitë teknike në disa prej këngëve që kanë qenë në program. 

“Ka pasur tonalitete dhe nota të caktuara të cilat teknikisht janë të vështira të mbërrihen, por me prova të caktuara dhe me ushtrime të teknikës, besoj që janë realizuar bukur mirë. Çdo aranzhim që sonte është dëgjuar në koncertin ‘Jingle of memories’ është rianzhuar nga Visar Kuçi. Një punë e mrekullueshme dhe jam shumë e lumtur që kam bashkëpunuar me të”, ka thënë Haziraj. 

E vështirësitë kanë qenë të dukshme edhe në interpretimin në kushte të tilla si në sallën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar. 

“Arsyeja pse e kemi vendosur të jetë me zërim është për shkak të akustikës, të cilën nuk e jep kjo sallë. Mirëpo, këto zbukurimet dhe skenografia është dashur të vendosen në një hapësirë të tillë, andaj kemi vendosur të jetë në këtë sallë. Po shpresoj që shumë shpejt do të bëhen skena të tilla në të cilat do ta kemi shumë më të lehtë të performojmë”, ka thënë sopranoja Urta Haziraj. 

Me koncertin e saj, ka sjellë harmonitë e pasura që shfaqin gëzimin e festën, përçojnë mesazhe paqeje, por edhe nostalgjinë e kujtimet e festimeve të kaluara.