Kulturë

Logoja e dytë e 10 Vjetorit të Pavarësisë, e ngjashme me atë të Kongresit të BDI-së

Ditë më parë, Këshilli Organizativ për Shënimin e 10-Vjetorit të Pavarësisë mori vendim që të anulojë logon e përzgjedhur për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, pasi që u konstatua se ajo logo ishte plagjiat.

Me këtë rast, u përzgjodh një logo e dytë e punuar nga artisti Zeni Ballazhi, që vjen nga Maqedonia, e cila në vete përmban numrin 10 të stilizuar me disa yje që ndajnë në mes hartën e Kosovës.

Por, tashmë nëpër rrjetet sociale po flitet se edhe kjo logo është e kopjuar nga një rast i mëhershëm. Rasti ka të bëjë me Kongresin Tematik të partisë shqiptare në Maqedoni, BDI, kongres ky i zhvilluar më 2015.

Ky subjekt politik, siç raporton Koha.net, për logo të këtij kongresi kishte përzgjedhur një logo shumë të ngjashme me atë të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dhe autor i logos është po ashtu artisti Zeni Ballazhi.

Koha.net ka kontaktuar me autorin e të dyja logove, Ballazhin, dhe i njëjti ka thënë se kjo çështje nuk ka të bëjë aspak me plagjiaturë.

“Logot janë të miat që nënkupton se janë autorësi personale e imja. Autor i të dyjave jam unë. Unë nuk mund të kopjojë vetveten, d.m.th. është punë e imja dhe autorësi e imja. Autorësinë ia jap kujt dua unë dhe gjithmonë në veprat e mia, qofshin ato dizajne që shihen, është një stil i imi i punës, duke u nisur edhe nga puna e logos së 100 vjetorit të pavarësisë [së Shqipërisë], pra është një avancim i punës duke ndërhyrë në punën time dhe ia dhënë mundësinë për dedikime të ndryshme. Unë ia përshtat stilit tim punën time ashtu qysh kërkohet. Me rëndësi është që autorësinë e bartë Zeni Ballazhi”, ka thënë ai për Koha.net.

Sipas tij, plagjiaturë konsiderohet kur merret puna e një autori tjetër, dhe jo siç ka ndodhur në këtë rast.