Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gjermani “forcon” shkollën e artit “Bauhaus” para zgjedhjeve ku pritet triumf i AfD-së

Bauhaus

Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila e ka përshkruar “Bauhaus” si një “devijim të gabuar të modernitetit”, nuk përmendet me emër në manifest. Megjithatë, dokumenti mund të shihet si një përgjigje ndaj agjendës kulturore të partisë së ekstremit të djathtë. AfD-ja mund të dalë si grupimi më i madh në parlamentin e landit Saxony-Anhalt pas zgjedhjeve të 6 shtatorit

“Manifesti i Bauhaus 2026“, i publikuar më 20 gusht, u iniciua nga ministri i Shtetit për Kulturën në Gjermani, Wolfram Weimer.

“Së bashku, po e bëjmë të qartë se duam ta forcojmë ‘Bauhaus’ dhe parimet e tij, duke i mbrojtur ato nga çdo formë sulmi antidemokratik”, ka thënë politikani i pavarur për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.

Në deklaratën shoqëruese të manifestit thuhet se synon të shërbejë si një angazhim kulturor dhe socio-politik ndaj parimeve që e kanë bërë shkollën e artit “Bauhaus”, e cila funksionoi nga viti 1919 deri më 1933, një ikonë kulturore globale. Këto parime përfshijnë lirinë e mendimit artistik, hapjen ndaj ideve të reja, lidhjen ndërmjet disiplinave të ndryshme, si dhe besimin se inovacioni kulturor mund të japë një kontribut të rëndësishëm në një shoqëri demokratike.

Me rastin e publikimit të manifestit, Weimer ka thënë: “’Bauhaus’ dëshmon fuqinë novatore që lind kur arti, mjeshtëria artizanale, dizajni dhe teknologjia bashkohen. Ai përfaqëson krijimtarinë dhe shkëmbimin, guximin dhe hapjen ndaj ideve të reja”. Sipas tij, këto vlera mbeten edhe sot një burim i rëndësishëm frymëzimi: “Mund të jemi krenarë për këtë”.

Ndër nënshkruesit e manifestit janë: Këshilli Gjerman i Kulturës, Komisioni Gjerman për UNESCO-n, Konferenca e Ipeshkvijve Gjermane, Kisha Ungjillore në Gjermani, Shoqata e Qyteteve Gjermane, Shoqata Gjermane e Muzeve, Akademia e Arteve, Konfederata Gjermane e Zejeve dhe Fondacioni Gjerman për Artin e Humbur.

Edhe Bryan Adams kthen kohën prapa me hitet e katër dekadave Kulturë Bryan Adams kthen kohën prapa me hitet e katër dekadave

“Bauhaus” u themelua në Weimar në vitin 1919 nga arkitekti Walter Gropius dhe artistë të tjerë, si një shkollë arti dhe dizajni. Më vonë u zhvendos në Dessau dhe përfundimisht në Berlin. Kur themeloi shkollën, Gropius i përcaktoi synimet e saj në “Manifestin e Bauhaus”. Në vitin 1933, institucioni prestigjioz u detyrua të mbyllej nën presionin e nazistëve. “Bauhaus” dhe objektet e tij në Weimar, Dessau dhe Bernau janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1996.
Ndikimi ndërkombëtar i “Bauhaus” nuk bazohet vetëm në gjuhën e tij moderne të dizajnit dhe qasjen avangardiste, shkruhet në manifestin e ri. Ai buron gjithashtu nga gjeneza e vet, që edhe sot mbetet një model: guximi për të ndjekur ide të guximshme, besimi në lirinë e mendimit artistik dhe bindja se vetëm një shoqëri e hapur mund të nxisë ripërtëritjen kulturore.

Nënshkruesit synojnë gjithashtu të mbrojnë vetë lëvizjen “Bauhaus” nga kritikat populiste: “Institucionet e ‘Bauhaus’ duhet të forcohen; liria e tyre krijuese dhe hapja e tyre shoqërore duhet të njihen si shembullore dhe ato duhet të mbrohen nga çdo sulm antidemokratik“, shkruhet në manifest.
Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila e ka përshkruar “Bauhaus” si një “devijim të gabuar të modernitetit”, nuk përmendet me emër në manifest. Megjithatë, dokumenti mund të shihet si një përgjigje ndaj agjendës kulturore të partisë së ekstremit të djathtë.

AfD-ja mund të dalë si grupimi më i madh në parlamentin e landit Saxony-Anhalt pas zgjedhjeve të 6 shtatorit. Partia thotë se dëshiron të promovojë një “politikë kulturore patriotike”, duke mbështetur kryesisht artin që “kontribuon në zhvillimin e identitetit gjerman”.

AfD-ja planifikon gjithashtu të zëvendësojë fushatën aktuale të imazhit të Saksoni-Anhaltit, “#moderndenken” (të menduarit modern), me “#deutschdenken” (të menduarit gjerman). Në manifestin e saj aktual elektoral, partia thotë se “Bauhaus” gjithmonë ka kërkuar të shmangë çdo gjurmë të “rrënjëve kombëtare”.

Nënshkruesit e “Manifestit të Bauhaus 2026“ mbajnë qëndrim të kundërt. 

Edhe Inspektorati ndalon punimet para Bibliotekës Kombëtare Kulturë Inspektorati ndalon punimet para Bibliotekës Kombëtare

“Pikërisht në një kohë kur grupimet politike të skajeve po fitojnë forcë dhe po mbrojnë regresin në vend të përparimit, kemi nevojë për shtysën socio-politike të pionierëve të ‘Bauhaus’”, deklarojnë ata.

Ata i referohen gjithashtu përndjekjes së “Bauhaus” nën regjimin nazist. 

“Shembulli i ‘Bauhaus’ dhe armiqësia me të cilën u përball ai nga regjimi nazist na kujton se kultura e kujtesës nuk është një vështrim nostalgjik drejt së kaluarës, por një parakusht për vetëkuptimin demokratik”. 

Manifesti thekson se institucionet kulturore që ruajnë kujtesën dhe ofrojnë hapësira për debat konstruktiv duhet, për këtë arsye, të mbështeten. Autonomia e artistëve dhe e institucioneve kulturore, thuhet në të, është një parakusht themelor për një demokraci të gjallë.

Edhe Shteti hesht përballë Komunës së Prishtinës që punon pa leje afër monumenteve Kulturë Shteti hesht përballë Komunës së Prishtinës që punon pa leje afër monumenteve

“Bauhaus” mbështetet në idenë e bashkimit të ideve krijuese, eksperimentimit të guximshëm, mjeshtërisë së nivelit të lartë dhe inovacionit teknologjik, shkruhet në manifest. Ai përfaqëson gjithashtu hapjen dhe ripërtëritjen, shkëmbimin dhe krijimin e rrjeteve.

“Kjo hapje është një forcë e madhe e kulturës gjermane dhe e pasuron Gjermaninë”, shprehen mbështetësit e manifestit. “Ne e kundërshtojmë nacionalizmin që është armiqësor ndaj kulturës”.