Kulturë

Artisti kinez arrestohet për “fyerje” ndaj skulpturave të diktatorit

Vëllezërit Gao janë të njohur për skulpturat e tyre provokuese, të cilat kritikojnë themeluesin e Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Dun dhe regjimin e tij

Vëllezërit Gao janë të njohur për skulpturat e tyre provokuese, të cilat kritikojnë themeluesin e Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Dun dhe regjimin e tij

Sherri i veprës që kritikon themeluesin e Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Dun, dhe regjimin e tij, autoritetet kineze kanë arrestuar artistin Gao Zhen. Mashtrimi ose fyerja e “heronjve dhe martirëve” revolucionarë të Kinës u bë vepër kriminale në vitin 2021, si pjesë e një kodi penal të sapondryshuar, nën një fushatë të liderit të Kinës, Xi Jinping. Dënohet me burgim deri në tre vjet

Artisti disident kinez Gao Zhen është arrestuar me dyshimin për “fyerje të heronjve dhe martirëve revolucionarë”, ka njoftuar vëllai i tij dhe partneri artistik Gao Qiang.

Vëllezërit Gao janë të njohur për skulpturat e tyre provokuese, të cilat kritikojnë themeluesin e Republikës Popullore të Kinës, Mao Ce Dun, dhe regjimin e tij.

Gao Zhen u largua nga Kina dy vjet më parë për të jetuar përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara, por kishte qenë për vizitë te familja në Kinë kur u kap nga autoritetet në provincën Hebei, ka thënë vëllai i tij në një postim në Facebook.

Autoritetet kineze nuk u janë përgjigjur pretendimeve të Gao Qiang, i cili ka thënë se rreth 30 oficerë policie bastisën studion e artit të vëllezërve në Sanhe City më 26 gusht.

Ai ka shtuar se ata kishin konfiskuar disa vepra arti përveç ndalimit të Gaos.

Prej viteve ‘80, vëllezërit kanë marrë vlerësime ndërkombëtare për vepra të tilla si “Faji i Maos”, një statujë prej bronzi e ish-diktatorit komunist i gjunjëzuar e i penduar.

Vepra të tjera përfshijnë “Ekzekutimi i Krishtit”, një statujë që përshkruan Jezusin përballë një skuadre pushkatimi të Maos, dhe Miss Mao, një koleksion statujash të Maos me gjoks të madh dhe hundë të dalë.

Mao Ce Duni, i quajtur shpesh Kryetar Mao, ndihmoi në themelimin e Kinës komuniste në vitin 1949 dhe e udhëhoqi atë në një periudhe të trazuar në vitet 1960 dhe 1970 të njohur si Revolucioni Kulturor, në të cilin besohet se kanë vdekur më shumë se një milion njerëz.

Gjatë kësaj periudhe, babai i vëllezërve Gao u etiketua si armik i klasës dhe u tërhoq zvarrë në një vend që nuk ishte “burg, jo stacion policie, por diçka tjetër”, ku ai vdiq, kishte deklaruar Gao Zhen për “The New York Times” në vitin 2009. 

Mashtrimi ose fyerja e “heronjve dhe martirëve” revolucionarë të Kinës u bë vepër kriminale në vitin 2021, si pjesë e një kodi penal të sapondryshuar, nën një fushatë të liderit të Kinës, Xi Jinping. Dënohet me burgim deri në tre vjet.

Për pjesën më të madhe të karrierës së tij, Gao kishte mundur t’i shpëtonte ndëshkimit serioz nga autoritetet kineze, shpesh duke zgjedhur të mbante ekspozita sekrete ose vetëm me ftesë.

Megjithatë, në vitin 2022, Gao Zhen vendosi të emigrojë në New York, ku ai mori leje-qëndrimi të përhershëm.

Kjo për shkak se djali i tij, i cili është një shtetas amerikan, po mbushte moshën për të vijuar shkollën dhe gjithashtu për shkak të “mjedisit të përkeqësuar në Kinë”, kishte deklaruar vëllai i tij Gao Qiang.
Disa artistë dhe krijues të shquar kinezë kanë shkruar letër të hapur duke iu bërë thirrje autoriteteve ta lirojnë Gaon.

“Sot, departamenti i policisë Sanhe duket se i sheh veprat artistike të Gao Zhen si dëshmi të krimit, duke përsëritur persekutimin e Revolucionit Kulturor”, shkruhet në letër.  Byroja e sigurisë publike Sanhe deri më tani ka refuzuar të komentojë këtë çështje.