Kulturë

“Jeta dhe bota e artit” – rrëfimi inspirues e unik i Blerim Luzhës

Blerim Luzha: “Gjithmonë kam dashur të lë një trashëgimi familjare, informata apo rrëfime mbi jetën time dhe përjetimet që i kam pasur gjatë kësaj periudhe kohore. Shpresoj që rrëfimi im intrigon të gjithë ata që kanë dëshirë për të mësuar mbi ngjarjet e asaj kohe dhe përjetimet e një artisti, i cili me gjithë sfidat, kryesisht politike, megjithatë ia doli t'i realizojë disa ëndrra...”
 

Ka qenë maji i vitit 2020, kohë pandemie kur artisti Blerim Luzha do te vendoste ta shkruante tregimin mbi jetën dhe veprën e tij. Por monografia që e ka sjellë tash Luzha (86) është më shumë sesa një tregim në vetë të parë. Është rrëfim inspirues për një njeri që i ndjek ëndrrat e i realizon ato. Dëshmi e figurave të tilla që lënë gjurmë në ndërgjegjen shoqërore

Monografia “Jeta ime dhe bota e artit” është rrëfimi kronologjik i jetës dhe veprimtarisë së artistit Blerim Luzha. Një lloj ditari që nis me familjen, fëmijërinë, shkollimin e krijimtarinë e tij artistike. Aty janë edhe rrëfimet më personale si prapaskena të rrugëtimit drejt profesionit e pasionit.

Rrëfimi për trungun e familjes dhe dedikimi i veçantë për anëtarët, është fillimi i librit voluminoz. Zhvillimet e jetës së tij i prek që nga momenti kur profesori Eqrem Çabej ia kishte vënë emrin. Fëmijërinë e përshkruan të mbushur me përpjekje, entuziazëm, dëshpërime e vuajtje. Përshkruan kushtet e vështira të jetesës e problemet politike të familjes së tij.