Kulturë

“Kalaveshi Arts” nga treshja e Kosovës në Connecticut të ShBA-së

Drita Choy me dy vajzat e saj, Saranda e Njomza Kalaveshi, artin e kanë pasion. Kanë realizuar disa vepra e ato zënë vend në galerinë “Kalaveshi Arts”, që e kanë hapur në Avon. Me dëshirën për të sjellë një perspektivë të re në Connecticut, treshja tani po pret me padurim të shohë fytyra të reja të ndalojnë dhe të mësojnë diçka të re

Shkëmbinjtë e kuq dhe vjollcë shtrihen nën muzg me kaktusët përgjatë fushave të larta të shkretëtirës. Dhe të çara të thella të gërmuara në formacionet e gurëve ranorë – mjedisi ikonik natyror i New Mexicos – krijojnë skenën për pikturën e papërpunuar në akrilik të artistes shqiptare Saranda Kalaveshi, me portretin e saj në të kaluarën dhe të tashmen tashme, të cilën ajo e quajti “Healing”.

Kjo vepër që ishte realizuar gjatë karantinës kur ajo jetonte New Mexico është e njëjta në kompozim me atë që ndodhet tani në galerinë e saj të re të artit që ajo ka hapur me nënën dhe motrën e saj në Avon, Connecticut të ShBA-së.

“Shumë nga ato që kam kaluar gjatë kohës sime në New Mexico dhe në karantinë janë ato që më frymëzuan për t’i vendosur këto imazhe në kanavacë”, ka thënë artistja autodidakte Kalaveshi, bashkëpronare e “Kalaveshi Arts”. “Në këtë ekspozitë të parë shumë njerëz jo vetëm do të shohin pamjet vizuale të jugperëndimit, por do të shohin edhe atë që kemi kaluar dhe kush jemi”.

Me origjinë nga Kosova, një vend i vogël në Evropën Juglindore, Kalaveshi u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2010 dhe u vendos në New Mexico, disa vjet më vone iu bashkua nëna e saj Drita Choy dhe pas një dekade edhe motra e saj. Përfundimisht të gjitha gjetën veten duke u zhvendosur në Connecticut dhe duke hapur “Kalaveshi Arts” në fillim të këtij muaji, e cila është një hapësirë ku ato realizojnë artin e tyre, për të qenë së bashku si familje dhe për të zbuluar udhëtimet e tyre personale si artiste për publikun.

“Për mua puna ime fillimisht ishte diçka që nuk kisha ndërmend ta ekspozoja apo ta shisja”, ka thënë ajo. “Shumë nga këto vepra, veçanërisht puna ime më personale, dolën nga nevoja. Thjesht duhej ta bëja. Më duhej ta bëja në atë moment”

“Kalaveshi Arts” është një hapësirë ​​që ofron pikturat e vogla dhe të mëdha të Kalaveshit si “Earthling” dhe “Stayin’ Alive”, kompozime portretesh të motrës së saj të cilat fokusohen kryesisht në kultura të ndryshme, si Egjipti i lashtë, duke përdorur media të përziera si ngjyra akrilike, rruaza, shkëlqim, fije dhe gjethe të arta për të kapur veshjet dhe jo fytyrat njerëzore.

“Jam e magjepsur nga veshjet që veshin njerëzit, veshjet që përfaqësojnë kohën dhe kulturën e tyre”, ka thënë Njomza Kalaveshi, piktore dhe bashkëpronare e “Kalaveshi Arts”.

Me një histori të gjatë të jetës në trazira politike nga mesi deri në fund të viteve '90 dhe duke filluar bizneset, si një dyqan këpucësh dhe një restorant për të mbështetur vajzat e saj, Drita Choy rizbuloi dashurinë e saj për artin pasi u zhvendos në Shtetet e Bashkuara se si “jeta nuk më kishte dhënë një mundësi për ta eksploruar atë”. Tani veprat e saj të mëdha të qeramikës dhe pikturat abstrakte janë të ekspozuara brenda “Kalaveshi Arts”.

Image
Drita Choy dhe vajzat e saj, Njomza Kalaveshi dhe Saranda Kalaveshi

Kështu, kur treshja Kalaveshi gjeti vitrinën e bardhë në “Simsbury Road”, u bind se kjo do të ishte galeria e tyre ku mund të realizonin ëndrrat e tyre.

“Në galeritë dhe muzetë që kam vizituar në Connecticut, kam parë shumë vepra arti të bukura që janë klasike dhe kapin shumë peizazhe dhe kafshë”, ka thënë Saranda Kalaveshi. “Ajo si ndihesh është mënyra se si pikturon dhe shumë prej koleksionit tim shfaq lakuriqësi në atë që disa do ta quajnë të rrezikshëm, por ka një histori brenda këtyre veprave që mund të të tërheqë vëmendjen”.

Në “Healing” të Saranda Kalaveshit, i përbërë nga dy autoportrete në mes të shkretëtirës, ​​vetja e saj e së ardhmes përdor gjilpërën e hollë nga kaktusi dhe flokët e saj për të qepur zemrën e të shkuarës së saj. “Ne jemi të vetmit me të vërtetë të aftë për të riparuar dhe përmirësuar veten”, ka thënë ajo.

Me dëshirën për të sjellë një perspektivë të re në Connecticut, treshja tani po pret me padurim të shohë fytyra të reja të ndalojnë dhe të mësojnë diçka të re.

“Secila nga veprat tona nuk gjendet zakonisht këtu dhe ofron diçka të ndryshme nga e cila mund të mësojnë të gjithë”, thotë Kalaveshi. “Ka diçka për të gjithë, na vizitoni”.

Marrë nga “Hartford Courant”. Përktheu: Enis Bytyqi


Arti që lindi gjatë pandemisë

Një studio dhe galeri e re arti u hap në “Riverdale Farms” të shtunën, më 25 nëntor. Galeria është në pronësi të një familjeje artistësh, Drita Choy dhe vajzat e saj, Njomza dhe Saranda Kalaveshi, me origjinë nga Kosova, të cilat së fundmi u shpërngulën në këtë zonë nga New Mexico.

Ekspozita e hapjes paraqet vepra arti të krijuara në mënyrë të pavarur dhe në bashkëpunim midis tri artisteve. Ato u ribashkuan gjatë pandemisë COVID-19 pasi kishin jetuar të ndara për një dekadë dhe brenda pak muajsh nga bashkëjetesa dhe krijimi i artit në ditët e vështira të karantinës lindi “Kalaveshi Arts”. Dhe kështu është e përshtatshme që veprat e artit të kuruara për ekspozitën e hapjes të jenë ato që shënojnë fillimin e këtij kapitulli të ri në jetën e tyre. Krijuar me një shumëllojshmëri të gjerë mediumesh, vepra abstrakte eksperimentale e Dritës, portretet e ndërlikuara dekorative të Njomzës dhe autoportretet surrealiste të Sarandës në shkretëtirë, janë të gjitha të lidhura së bashku nga paleta shumëngjyrëshe, e ndikuar fort nga arti jugperëndimor.

Në të ardhmen e afërt “Kalaveshi Arts” do të ofrojë edhe kurse private dhe është e hapur për bashkëpunime të ardhshme me artistë të tjerë nga kjo zonë.

Marrë nga patch.com