Kulturë

Orkestra Frymore e FSK-së dhe Filharmonia “marshojnë” me muzikë

Orkestra Frymore e FSK-së dhe Filharmonia janë bërë një në shpalosjen e kompozimeve solemne, kolonave zanore të filmit, e deri te ariet operistike. Kanë jehuar edhe tingujt me melos shqip (Foto: Arben Llapashtica)
 

Nëpërmjet tingujve është rrëfyer një ngjarje lirie që nxit ndjenjën e krenarisë e që zgjon dhimbjen e kujtimet për të kaluarën. Duket se mesazhet vijnë nga secila notë dhe kjo është edhe fuqia e artit muzikor. Ka qenë dirigjenti skocez, Dario Salvi, ai që i ka dhënë urdhra “armatës” së muzikantëve në një rrëfim muzikor në Ditën e Forcës

Nuk do të kishte ngjarje më të përshtatshme sesa koncerti i përbashkët i Orkestrës Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës për ta shënuar Ditën e Forcës. Nën dirigjimin e skocezit Dario Salvi, formacioni ka sjellë repertorin botëror të veprave solemne. Me to janë gërshetuar edhe kompozimet shqipe. Të hënën mbrëma historia është sjellë nëpërmjet tingujve, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Anëtarët e dy orkestrave dallohen lehtë. Disa kanë qenë me uniforma ushtarake, të tjerë në të zeza. Por në tingull janë bërë një. Loja e tyre mjeshtërore e zhvillimi i pjesëve muzikore ka bërë të tingëllojnë si trupë e vetme. Programi i larmishëm, shumicën e veprave i ka pasur premierë. Që nga kompozimet solemne, kolonat zanore të filmit, e deri tek ariet operistike e kanë pasuruar programin me të cilin është shënuar Dita e Forcës.