Kulturë

Gegnisht e toskërisht vetëm pas viteve 1300

 

E pashkruar për pjesën më të madhe të historisë, gjuha shqipe ende vazhdon të trazojë me “sfinksin” e saj për shumë nga momentet kryesore gjatë historisë mijëravjeçare. Me stadin e saj të kryehershëm para se në hambarin e vet të pranonte prurjet e para nga greqishtja e latinishtja, “Pre-Proto-Albanian” është veçse një nocion i cili bën sens në truallin e hamendësimeve. Për shqipen, me një staturë të ravijëzueshme, mund të flitet vetëm në mesjetën e hershme, tekqë gjuhëtarët i referohen asaj si “Proto-Albanian”. Ky ishte një stad gjuhësor gjatë të cilit ende nuk ishin hetuar ndarjet brenda truallit të saj që tevona, në një proces të ndërliqshëm historik, përftuan dy hapësira dialektore: gegnishtja në veri të Shkumbinit, dhe toskërishtja në jug. Duke i përmbledhur problemet e trashëguara ndër breza të tërë albanologësh, gjuhëtari dhe indoevropianisti holandez, Michiel de Vaan ka ofruar disa përgjigje të mundshme për shpërbërjen e “shqipes së përbashkët” dhe ravijëzimin e dy dialekteve kryesore

Një reklamë e një ndërmarrje ndërtimore diku në Komunën e Shtërpcës i ka bërë përshtypje holandezit, Michiel de Vaan. Për sytë e vëmendshëm të një albanologu, seç kishte një dallim të vockël. Në njërën shkruante “Cilësi të çdo shtrese”, kurse në tjetrën “Cilësi të gjdo shtrese”. Në llupën e një ustahu të gjuhës, në këto dy parashtrime tekstuale nuk bëhet fjalë vetëm për një palatal në rastin e parë dhe një afrikat në të dytin, por edhe për veçantitë dialektore të të folmeve shqipe në Kosovë.

Kjo shkëputje përvoje personale ka shërbyer për gjuhëtarin dhe indoevropianistin holandez, Michiel de Vaan si hyrje për ligjëratën e tij “Fonetika historike dhe ndarja dialektore mes gegnishtes dhe toskërishtes” të mbajtur paraditen e së mërkurës në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.