Filharmonia e Beogradit do të aterrojë në Tiranë e bashkë me të edhe ikona botërore e dirigjimit, Zubin Mehta. Agjenda artistike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit parashikon në datën 22 qershor ngjarjen artistike me pjesëmarrjen e artistëve të famshëm. Njëri nga dirigjentët më të famshëm në nivel ndërkombëtar do të jetë në kryeqytetin e Shqipërisë për të drejtuar gala-koncertin, kanë raportuar të enjten mediat në Shqipëri bazuar në njoftimin e TKOB-së. Mehta, 87-vjeçar, ka ende aktivitet të ngjeshur artistik dhe ka shkelur në skenat më prestigjioze anekënd botës.
“Kjo është hera e parë që dirigjenti me famë ndërkombëtare vjen në Shqipëri, por publiku shqiptar e njeh përmes dirigjimit të koncertit të Vjenë,s si dhe bashkëpunimit me tre tenorët: Pavarotti, Domingo e Carreras”, ka shkruar Agjencia Telegrafike Shqiptare
Koncertin në Tiranë, Filharmonia e Beogradit e ka afishuar edhe në ueb-faqen e vet. Aty shkruhet se në koncert do të interpretohet “Simfonia nr. 7” në A-dur, op. 92 e Ludwig van Beethovenit dhe “Simfonia fantastike” op. 14 e Hektor Berliozit.
Zubin Mehta është bërë i famshëm për ekspresivitetin në podium, si dhe për interpretimin që i bën repertorit operistik, për këtë ka marrë tituj të shumtë. Karriera e tij mori hov qëkur drejtoi Filarmoninë Mbretërore të Liverpoolit, në moshën 21-vjeçare dhe më pas filloi të zëvendësonte gjithë dirigjentët më me emër. Ai u bë dirigjenti më i ri që ka drejtuar ndonjëherë një orkestër filharmonike në Amerikën e Veriut. Që prej vitit 1981 ai mban titullin “dirigjent i përjetshëm” nga Orkestra Filarmonike e Izraelit. Tituj të tillë si “dirigjent nderi” i janë dhënë Zubin Mehtas nga orkestrat e të gjitha kontinenteve. Prej vitit 1978, për 13 vjet ushtroi funksionin e drejtorit muzikor të Filharmonisë së New Yorkut.
Galaja e 22-qershorit vjen në kuadër të platformës “Ballkani i hapur” dhe lidhet me festimet e 100-vjetorit të Orkestrës Filharmonike të Beogradit.
Në fushën e kulturës, Shqipëria e Serbia kanë lidhur disa marrëveshje bashkëpunimi. Në tetorin e vjetshëm “La bohème” të Puccinit në Teatrin Kombëtar të Serbisë do të kishte mysafir special tenorin shqiptar nga Teatri i Operës dhe Baletit të Shqipërisë, Denis Skura, në rolin e Rudolfit, tok me baritonin Marjan Jovanoski nga Maqedonia e Veriut, edhe ky mysafir në kryeqytetin e Serbisë. “La bohème” ishte rezultat i protokollit të bashkëpunimit midis Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut në kuadër të platformës “Teatri Open Balkan”.
Filharmonia e Beogradit bashkë me Mehtan të njëjtin koncert do ta mbajnë dy ditë pas Tiranës edhe në Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.