Kulturë

Opera me “Flautin magjik” jetëson triumfin e dashurisë

“Fyelli...” nis e vazhdon me një mister. E vetmja rrugë për ta zgjedhur atë është dashuria (Foto: Mrina Godanca)
 

Në premierën e dytë të shfaqjes operistike, Opera e Kosovës ka sjellë “Fyellin magjik” të Mozartit, një përrallë që gjen triumfin e dashurisë. Në bashkëpunim me interpretues nga Shqipëria, kjo shfaqje ia ka dëshmuar institucionit të ri operistik se publikun e ka gjetur tashmë

Përralla plot emocion e Paminës dhe Taminos e zhvendos publikun në një ambient magjik. Është ajo histori që për kurorë mban një emër të fuqishëm të muzikës klasike, siç është “Flauti magjik” nga Mozarti. Ajo nis e bëhet më e fuqishme kur historia e dy të rinjve gërshetohet me një pamje të pyllit dhe të mbretërisë. E arrin kulmin kur solistët e thyejnë interpretimin me dialogë. Flasin, aktrojnë, e nëpërmjet komunikimit mes vete komunikojnë me publikun.

Përmbledhja e gjithë kësaj përralle është realitet i realizuar nga studentët nga Shqipëria, për të cilët Opera e Kosovës u bë nikoqire mbrëmjen e së enjtes. Paraqitja e dytë me operë e institucionit të themeluar në verën e vitit 2021 solli me mjeshtëri dy aktet e operës së njohur në bashkëpunim me produksionin artistik “Dragoi Blu” të Tiranës, me pjesëmarrjen e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e të Ansamblit Popullor, si dhe solistëve të rinj, studentë në Universitetin e Arteve të Tiranës.