Kulturë

“DokuFest” ndihmon viktimat e tërmetit me art kinematografik

Nismat për ta ndihmuar popullin turk e sirian kanë marrë hov derisa gjithandej po shpërndahen pamjet rrëqethëse të të shpëtuarve e shifrat e frikshme për viktimat në Turqi e Siri si pasojë e tërmetit shkatërrues. Në vend, krahas ekipeve të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kontribut në këtë drejtim do të japë edhe “DokuFest”, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër. Dyert e “DokuKino” do të hapen kësaj here me qëllim humanitar dhe ekrani i kinemasë do të jetë jo veç hapësirë ku publiku do të shohë filma.

“DokuFest” i është përgjigjur thirrjes së popullit turk e sirian për ndihmë. Dyert e kinemasë “DokuKino” në Prizren do të hapen sot (e martë) me filma vendorë, prej tyre edhe dokumentari i turkut Cem Kaya. Jo shpesh ekrani i kësaj kinemaje ndizet për arsye të tilla, por edhe të mërkurën dhe të enjten, çmimi i “biletës” hyrëse do të variojë nga dëshira për të ndihmuar.

Nga “DokuFest” është bërë e ditur se të gjitha të ardhurat nga kontributi i publikut do të shkojnë për organizatën bamirëse “World Central Kitchen” e cila ofron ushqime në përgjigje të krizave shoqërore e klimatike.

“DokuFest” ka bërë thirrje për solidaritet me të prekurit e tërmetit. “Mendoj se është e rëndësishme të tregojmë solidaritet, aq sa mundemi. Menduam që në suazat tona, në ato që bëjmë, të shfaqim disa filma, të tërheqim vëmendjen dhe të njëjtën kohë të mbledhim fonde, sado që të mblidhen dhe t’i dërgojmë për shpërndarje nëpërmjet ushqimit. Ne shpresojmë që do të ketë interesim për solidaritet, kjo ka qenë ideja ku për tri ditë me radhë do të shfaqen filma”, është shprehur drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari.

Nurkollari ka treguar se biletat nuk do të jenë në shitje, por do ta lënë secilin të ofrojë kontributin e tyre me mundësitë dhe vullnetin që kanë.

“Është akt solidariteti andaj ne do ta vëmë një kuti, pa e kufizuar shumën. Çdokush që vjen do ta lusim të ndajë diçka, mundet edhe të mos dhurojë asgjë. Është çështje solidariteti. Të gjitha shfaqjet e filmave do të jepen në ‘DokuKino’ me nga një termin”, ka thënë ai më tej.

Të martën dhe të mërkurën do të jepet filmi “Love, Deutschmark & Death” i turkut Cem Kaya, që është i titruar në shqip. Filmi përcjell historinë e muzikës së pavarur dhe të panjohur të emigrantëve turq dhe fëmijëve e nipave të tyre në Gjermani. Ai vjen si dokumentar eseistik frymëzues dhe plot ritëm që e shpie shikuesin në një univers verbues të llojllojshmërisë muzikore.

Të enjten do të jepen filmat e metrazhit të shkurtër vendorë, disa prej të cilëve janë prodhuar në shkollën filmike “Future is Here” në kuadër të “DokuFest”. “Në Mes” nga Samir Karahoda përcjell nëpërmjet 14 minutave historinë e vëllezërve që jetojnë jashtë shteti tek ndërtojnë shtëpi identike për të shprehur barazinë dhe unitetin në familje. Një portret i prekshëm i familjeve që, për nevoja ekonomike, pjesën më të madhe të jetës e kalojnë të ndarë dhe në kultura të ndryshme. Një tjetër film i Karahodës që do të shfaqet për qëllime bamirësie është edhe “Pa Vend”, që paraqet ambicien e mbajtjes gjallë të sportit në Kosovën e pasluftës. Dy lojtarë vendas bredhin nga një vend i panjohur në tjetrin tek mbajnë me vete rekuizitën e vetme të mbetur të klubit: tavolinat e tyre.

“Dedi” me regji të Blendi Haxhibeqirit do të shfaqet gjithashtu të enjten. Ditari paraqitet në filmin 13-minutësh të Haxhibeqirit si pasuria e vetme për të mos i harruar kurrë momentet më të bukura të jetës. Ajo është gjurma më e bukur e Dedit dhe ngjarje që jetojnë përgjithmonë. Përfshin çdo udhëtim të shkruar me kujdes të veçantë dhe plot dashuri. Filmi “Time” i Endri Malokut i përshtatet edhe qëllimit të shfaqjes së filmave. I pasqyruar nga një 96-vjeçar, paraqet shpëtimin e njerëzve nga përmbytja, jetën dhe perceptimin e vërtetë të kohës. Shfaqja e filmave do të fillojë në orën 19:00.

Të hënën, kur u bë një javë qëkur në Turqi u regjistrua tërmeti prej 7.8 shkallë të Rihterit, është raportuar se numri i viktimave në Turqi dhe Siri ka shkuar në mbi 36 mijë. Autoritetet kërkuese turke dhe ato ndërkombëtare po i vazhdojnë kërkimet e njerëzve që mbetën të bllokuar në rrënoja.