Kulturë

Ministria me 300 mijë euro i kthehet projektit të Shtëpisë së Xhafer Devës

Descriptive Text

Për projektin që ka bërë bujë në fillim të këtij viti, institucioni më i lartë i kulturës ka planifikuar 300 mijë euro për vitin 2023. Kjo e dhënë e Ligjit mbi ndarjet buxhetore tregon se MKRS-ja e ka ndërmend që të investojë vetë në ndërtesën që gjendet në Mitrovicë. Këtë zotim e kishte dhënë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Në shkurt të këtij viti, kur gjithçka ishte gati që të nisnin konservimi dhe restaurimi, situata qe alarmuar, kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin”

Ministria e Kulturës planifikon që vitin e ardhshëm t’i kthehet restaurimit të Shtëpisë së Xhafer Devës. Për projektin që ka bërë bujë në fillim të këtij viti, institucioni më i lartë i kulturës ka planifikuar 300 mijë euro për vitin 2023. Kjo e dhënë e Ligjit mbi ndarjet buxhetore tregon se MKRS-ja e ka ndërmend që të investojë vetë në ndërtesën që gjendet në Mitrovicë. Këtë zotim e kishte dhënë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Në shkurt të këtij viti, kur gjithçka ishte gati që të nisnin konservimi dhe restaurimi, situata qe alarmuar në shkurt, kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”. Në ditën e 8-të të shkurtit Zyra e BE-së në Kosovë bashkë me atë të UNDP-së kishin dalë me një deklaratë të përbashkët duke bërë të ditur pezullimin e projektit. E MKRS-ja kishte paralajmëruar se do të presë një kohë, por do ta zbatojë projektin vetë nëse partnerët ndërkombëtarë heqin dorë. Para se çështja të shndërrohej në telash të madh, shkaku i veprimtarisë së ish-pronarit të ndërtesës ikonike, MKRS-ja po bashkëpunonte për restaurim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe UNDP-në. Këto dy institucione ndërkombëtare nuk kanë bërë hapa të tjerë pos pezullimit.

E në MKRS gjërat kanë lëvizur. Për sivjet ky institucion kishte planifikuar 100 mijë euro, e të cilat nuk janë shpenzuar. E për vitin që vjen, janë 300 mijë në Ligjin për buxhetin e vitit 2023, tashmë të miratuar.

“Do të presim edhe pak kohë dhe nëse Zyra e BE-së dhe UNDP-ja nuk japin sinjale që do ta vazhdojnë projektin, atë do ta zbatojmë vetë. Për këtë arsye edhe është ndarë buxheti”, ka thënë një zyrtar i informuar mirë brenda Ministrisë së Kulturës. KOHA ka provuar që të hënën të marrë edhe informacion zyrtar në MKRS, por nuk ka qenë e mundur. E hëna qe edhe ditë pushimi në institucionet publike shkaku i Krishtlindjes.

Në mars të këtij viti, një muaj pas pezullimit të procesit, Ministria e Kulturës kishte thënë se janë duke zhvilluar konsultime me bashkëpunëtorët e projektit për të marrë një vendim se si do të veprohet.

“Ministria e Kulturës është e përkushtuar që të sigurojë të gjitha kushtet e domosdoshme për të vazhduar këtë proces bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, kishte thënë Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Zyra e BE-së në Kosovë dhe UNDP-ja më 8 shkurt kanë bërë të ditur se kishin pezulluar projektin.

“UNDP-ja së bashku me BE-në kanë pezulluar punën në lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuar haptazi të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet përkatëse”, shkruhet në deklaratën e UNDP-së dhe të BE-së.

Ish-pronari i Shtëpisë, Xhafer Deva, qe ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944, në kuadër të Këshillit të Regjencës. Deva është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë, që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë. Por Shtëpia, ish-pronar i së cilës qe Xhafer Deva, mbrohet me ligj si trashëgimi arkitekturore. E ndërtuar në vitin 1930, ndërtesa solli frymë të arkitekturës evropiane në Mitrovicë. Pas restaurimit llogaritet të jetë qendër kulturore dhe seli e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë. BE-ja me MKRS-në ishin bashkëfinancuese, kurse UNDP-ja zbatuese e projektit.

Qeveria më 9 shkurt qe shprehur e vendosur për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës, kur bëri të ditur se nuk do tërhiqej nga investimi në një prej monumenteve më reprezentative, jo veç në Mitrovicë.

Në një konferencë për media, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se diskutimi i hapur ka burimin në Serbi.

“Debati i ditëve të fundit ka origjinën në Serbi dhe është shumë e qartë”, kishte thënë Çeku. Me këtë u ishte referuar deklaratave të ministres së Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq, e cila kishte bërë thirrje që të ndalej projekti shkaku i figurës së Xhafer Devës.

“Paradoksalisht një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit ose duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë. Është narracion i gënjeshtërt që vjen nga Serbia, sepse faktet historike janë kokëforta dhe qartësisht s’janë në anën e Serbisë”, kishte komentuar ministri Çeku thirrjen e homologes së tij në Serbi. Sipas tij, monumenti i mbrojtur, që në Listën e Trashëgimisë Kulturore formalisht figuron me emrin Shtëpia e Xhafer Devës, është monument me pronësi publike. Kishte shpjeguar se gjatë historisë së saj ka pasur funksione të shumta publike, përfshirë Shtëpinë e Shëndetit apo funksione të tjera.

Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015 Shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018, ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.

MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti.