Kulturë

Polemikat për Xhafer Devën pezullojnë projektin, rrezikohet monumenti

Nëse monumenti gati njëshekullor ka vlera, ka qenë temë dytësore në vlugun e debatit për Xhafer Devën si bashkëpunëtor i nazistëve. Paradite Ministria e Kulturës ka dalë e vendosur për restaurimin e objektit për vlerat arkitektonike. Pasdite ka heshtur. BE-ja dhe UNDP-ja para katër ditësh, po ashtu, mbronin qëndrimin për restaurim, duke e ndarë monumentin nga ish-pronari. Të martën pasdite e kanë pezulluar projektin. Monumenti, ashtu sikurse dy dekadat e fundit, sërish hyn në kapitullin e rrezikimit

Reagimet e atyre që sipas disa profesionistëve të trashëgimisë kulturore kanë nisur një debat të kotë, kanë dhënë rezultat: UNDP-ja dhe BE-ja kanë pezulluar punën për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës. Qasja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë si bashkëfinancuese e projektit dhe UNDP-së si implemtuese, ka ndërruar edhe në raport me vetë qëndrimet e këtyre institucioneve. Fiks para katër ditësh dyshja ishte e prerë: ndanin historinë e ish-pronarit, Xhafer Deva, në raport me vlerat monumentale të Shtëpisë dhe funksionin që do të ketë ajo.

Të martën në debat është përfshirë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka mbrojtur restaurimin.

BE-ja dhe UNDP-ja për katër ditë - dy qëndrime

Një ditë pas reagimeve që u prinë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe ministrja e Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq, UNDP-ja dhe BE-ja kanë pezulluar punën për implementimin e projektit restaurues.

“UNDP së bashku me BE-në kanë pezulluar punën në lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuar haptazi të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet përkatëse”, shkruhet në deklaratën e përbashkët. Restaurimi planifikohej të bëhej në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndërkomunitar dhe kohezionin social”. Projekti i hartuar nga “CHwB Kosova” bashkëfinancohej nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe të BE-së dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndërkaq, implementimi do të bëhej nga UNDP-ja.

BE-ja së bashku me UNDP-në nëpërmjet deklaratës së të martës kanë thënë se synimi i projektit ka qenë gjithmonë të bashkojë komunitetet dhe të kontribuojë në kohezionin social, duke përdorur trashëgiminë kulturore si instrument për dialog ndërkomunitar dhe duke rivendosur trashëgiminë kulturore në shfrytëzim të komuniteteve.

“UNDP dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhje të sinqertë për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar përmes njoftimit për fillimin e punimeve, por duke mos e cekur sfondin historik të Xhafer Devës”, shkruhet në deklaratë. Aty UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e tyre të shumta, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe fanatizmit ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme.

“Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin, dhe të luftojmë dezinformimin”, shkruhet në deklaratën e 8 shkurtit.

Por këto dy institucione kishin tjetër qasje në raport me restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës më 4 shkurt. Asokohe së bashku me Ministrinë e Kulturës kishin lëshuar një deklaratë.

“Ruajtja dhe rehabilitimi i trashëgimisë kulturore dhe fetare nxitet nga nevoja për të siguruar ekzistencën e saj për pasardhësit, duke u fokusuar në vlerat arkitekturore të vendeve të tilla. Për sfond, Shtëpia, e vendosur në qendër të Mitrovicës, është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë”, shkruhej në deklaratë.

Aty sqarohej se që nga viti 1945, ndërtesa ka qenë në pronësi publike dhe përdoret si qendër shëndetësore, strehë për familjet e pastreha, jetimore, dhe në një moment të caktuar ka shërbyer si ndërtesë komunale.

“Objekti i përket stilit modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë, me dekorime të shumta të jashtme, tipike për stilin e saj. Shtëpia është në listën e përkohshme të objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë”, shkruhej në deklaratë.

Viola von Cramon në linjë me ambasadorin e Gjermanisë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të martën ka reaguar. Qëndrimi i saj është në vijë me atë të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë.

“Rasti i Shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicën e Jugut personalisht më shqetëson. Zbardhja e së shkuarës dhe shtrembërimi i fakteve për bashkëpunëtorin/protagonistin e njohur nazist të Divizionit të 21-të SS ‘Skënderbeu’ nuk guxon të bëhet”, ka shkruar Von Cramon në Twitter. Ajo më tej ka shtuar se nuk duhet të ketë vend për revizionizëm historik të Luftës së Dytë Botërore.

“Nuk duhet të ketë vend për revizionizmin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe mohimin e Holokaustit . Në vend të kësaj, kjo duhet të përdoret si një mundësi për t'u marrë me të kaluarën dhe për të lejuar që të gjitha komunitetet e Kosovës të bashkohen për të krijuar narrativen dhe të vërtetën e përbashkët që është përfshirëse, dhe bazuar në fakte për bashkëpunëtorët vendës nazist dhe kryerjen e krimeve të luftës kundër hebrenjve, serbëve, shqiptarëve dhe të tjerëve nga Divizioni SS Skënderbeu dhe milicia e Devës”, ka përfunduar Von Cramon.

Ngjashëm me të kishte reaguar të hënën edhe ambasadori Jorn Rohde.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të Shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skenderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës. Mbro faktet”, kishte shkruar Rohde.

Ndalje të restaurimit kishte kërkuar ministrja e Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq.

Ish-pronari i Shtëpisë, Xhafer Deva, qe ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944 në kuadër të Këshillit të Regjencës. Deva është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë. Por Shtëpia e vitit 1930, ish-pronar i së cilës qe Xhafer Deva, mbrohet me ligj si trashëgimi arkitekturore. Është prej shtëpive monumentale të qytetit, por edhe në rrafsh vendi. Kishte sjellë frymë evropiane të arkitekturës në Kosovë. Është ndërtuar nga arkitektë e punonjës austriakë.

Image

Ministri Çeku: Zhvendosja e debatit për personalitetin, dëmton mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar paraditen e së martës, para se UNDP-ja dhe BE-ja të pezullonin punën në projekt.

Ai ka thënë se restaurimi i monumenteve bëhet për t'i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash.

“Përpjekja për ta zhvendosur debatin në rrafshin e narracionit mbi personalitetin përkatës historik dëmton rëndë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për më keq, kjo qasje legjitimon dhunën ndaj arkitekturës dhe artefaktit. Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para së gjithash nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Çeku në Facebook. Ka thënë se monumenti është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne evropiane.

“Është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit. Është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si ‘Shtëpia e Xhafer Devës’, edhe pse kryesisht ka pasur përdorim publik, përfshi si shtëpi shëndeti. Prandaj nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht”, ka thënë ai. Ka sqaruar kronologjinë e përpjekjeve që të restaurohet ndërtesa. Ka treguar se pas restaurimit, monumenti është planifikuar t'i shërbejë komunitetit, dhe përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeor dhe ngjarje të tjera kulturore.

“Në atë galeri mund të ekspozohen fotografi e dëshmi mbi të kaluarën e Xhafer Devës apo ndonjë personaliteti tjetër historik (i pëlqeu dikujt apo jo), apo mbi historitë e hebrenjve që u shpërngulën në Kosovë e Ballkan për t'i shpëtuar Holokaustit. Hapësira muzeore mund t'i dedikohet vrasjeve gjatë Luftës së dytë Botërore”, ka shkruar ai. Sipas Çekut, e kaluara e personalitetit përkatës nuk mund të jetë faktor përcaktues nëse ai monument e meriton të restaurohet. Në këtë rast ka shtuar se monumenti i restauruar le të shërbejë edhe si hapësirë e ballafaqimit me të kaluarën, ku mund të dokumentohet dhe ekspozohet edhe ana e errët e historisë sonë.

“Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë”, ka shkruar, midis të tjerash, Çeku. Në mbrëmje ai nuk ka pasur përgjigje për KOHËN sa i përket pezullimit të projektit nga ana e UNDP-së dhe BE-së.

Weller: Ky është debat koti

Ekspertja ndërkombëtare e trashëgimisë kulturore e ligjëruese në Universitetin e Cambridges, Nora Weller, e ka vlerësuar debatin e nisur si të panevojshëm.

“Ky është debat koti”, ka thënë ajo. Diskutimet në mënyrën se si po bëhen i ka përshkruar si humbje kohe.

“Ka hyrë në nivelin politik, si zakonisht që ndodh në Kosovë në mes një ambasadori të huaj i cili e ka ngritur debatin në nivel komplet të gabuar, ndërkaq komuniteti lokal dhe njerëzit që jetojnë në afërsi të atij objekti nuk merren parasysh fare”, ka thënë ajo. Sipas saj, nevojat e komunitetit lokal nuk janë marrë parasysh nga asnjëra palë. Këtë e ka parë si gabimin e parë.

“Ai (ambasadori gjerman v.j.) duke thënë se me restaurimin e kësaj shtëpie po shtrembërohet e vërteta që ka ndodhur me hebrenjtë, e akuzon faktikisht shoqërinë e Kosovës në përgjegjësi si shoqëri antisemite, gjë që nuk është e vërtetë”, ka thënë Weller. Në këtë rast ka shtuar se të gjithë e dinë se populli i Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore ka shpëtuar mijëra hebrenj.

“Këto deklarata të ambasadorit janë të pabaza. Ambasadorit duhet t’i dërgohet një shkresë e rreptë nga Qeveria e Kosovës apo ndonjë organizatë. Reagimi i tij është i dëmshëm dhe i panevojshëm”, ka thënë Weller. E ka vlerësuar si të drejtë restaurimin e Shtëpisë dhe faktin se projekti parasheh që ndërtesa të jetë seli e një institucioni të trashëgimisë kulturore e edhe qendër kulturore. Ka thënë se kjo shtëpi do të bëhet një qendër që përçon vlera kulturore edukative e shkencore në komunitetin e përgjithshëm në Kosovë. “Kjo është ide e mirë dhe është diçka që duhet të bëhet”, ka thënë ajo.

Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015, Shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018, ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.

MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti. Për sivjet ka paraparë 100 mijë euro. Krejt projekti i ri financiarisht peshon 300 mijë euro.