Kulturë

“NEVER SAY NEVER” universalizon thënien e Demaçit për liri e barazi

“’NEVER SAY NEVER’ është gjithashtu një thirrje për të mos hequr dorë nga drejtësia, liria dhe pavarësia. Drejtësia për një popull të shtypur dhe lufta për liri dhe barazi duhet të jenë themelore dhe vepra do të jetë një monument që proklamon këtë dhe do të jetë një thirrje e vërtetë për një gjë të tillë”, është shpjegimi që ka dhënë Alban Muja për veprën e tij e cila ka zënë vend në sheshin “Adem Demaçi”
 

“Kurrë mos thuaj kurrë”, deklarata e famshme e Adem Demaçit në një studio televizive në Beograd më 1998, prej së martës është shndërruar në vepër arti në hyrje-daljen jugore të kryeqytetit, pikërisht në sheshin që mban edhe emrin e tij. Ajo përthekohet si thirrje universale për liri e barazi, shndërrohet në nderim jo vetëm për Demaçin. “Kemi menduar se është një vepër që u dedikohet të gjithë të burgosurve politikë. Demaçi luftonte për pavarësinë dhe lirinë të cilën e gëzojmë sot”, ka thënë Alban Muja, autor i veprës

Adem Demaçi citohet shpesh kur përmendet rezistenca e shqiptarëve të Kosovës kundër ish-Jugosllavisë e Serbisë. Shkrimtari i ri i cili do të bëhej simbol i kundërshtimit të regjimit jugosllav, kaloi gati tri dekada të jetës së tij në burg. Qe prej idealistëve që lirinë nuk e shihte si diçka që duhet ta kenë veç shqiptarët, por edhe serbët e mbarë shoqëritë e tjera.

Në një prej debateve televizive do t’i binte të përballej me politikanin serb Vuk Drashkoviq, zëvendëskryeministër i ish-Jugosllavisë e ministër i Punëve të Jashtme i atij që ishte Unioni Serbi – Mal i Zi.