Kulturë

Imazhet e natyrës shqiptare në objektivin e Arian Mavriqit shpalosen në Kopenhagë

Arian Mavriqi ekspozita ne Kopenhage

Ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Kopenhagë janë mbushur me imazhe të natyrës shqiptare. Për të shënuar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ky institucion shqiptar bashkë me Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë kanë hapur ekspozitë me fotografitë e Arian Mavriqit.

Fotografi i njohur i botës së egër ndër trojet shqiptare, por edhe përtej tyre, ka dërguar copëza të gjeografisë së Kosovës e të Shqipërisë në kryeqytetin danez.

Në fjalën e saj, ambasadorja Elida Petoshati ka folur për 28 Nëntorin, për rrugën e mundimshme drejt pavarësisë, si edhe për arritjet e rëndësishme të botës shqiptare në këtë 110-vjetor.

“Nuk ishte i lehtë rrugëtimi i Ismail Qemalit, as i 40 firmëtarëve të Pavarësisë. Nuk ishte aspak i lehtë as rrugëtimi i Isa Boletinit. Nuk ishte i lehtë as rrugëtimi i qindra e mijërave shqiptarëve të ndritur nëpër botë që e shtruan me luftë, gjak e përpjekje të panumërta Aktin e Madh të Pavarësisë”, ka thënë ajo. Sipas saj, shqiptarët e Bukureshtit, ata të Misirit, Stambollit, Amerikës e gjetkë renditen në altarin e nderit të kombit shqiptar, sepse përgatitën me patriotizëm të pashoq të ardhmen e Shqipërisë e të kombit tonë.

“Ata sfiduan robërinë dhe ndërtuan një atdhe shpirtëror larg trojeve kombëtare, atdheun e germave shqipe, atë të gjuhës sonë të mrekullueshme, të shkollave, të shtypshkronjave, revistave e botimeve, të farkëtimit të ndërgjegjes kombëtare që ndezën për së largu pishtarin e rezistencës dhe të ngadhënjimit mbi errësirën”, ka thënë ambasadorja e Shqipërisë. Sipas saj, askush prej këtyre heronjve nuk e pati rrugëtimin të lehtë, por pavarësisht pengesave, sakrifica e tyre titanike e drejtoi timonin e historisë sonë drejt “Ballkonit të Pavarësisë”, në Vlorën e 28 Nëntorit të vitit 1912.

Ajo ka vlerësuar hapjen e ekspozitës si një simbolikë kuptimplotë për të kremtuar një ditë kaq të veçantë për mbarë kombin shqiptar, ndërsa këto ditë e deri më 30 nëntor në Tiranë e në qytete të ndryshme të vendit po mbahet Java e Kulturës Shqipëri-Kosovë.

Duke iu referuar ekspozitës, sipas mediave shqiptare, ambasadorja nënvizoi se natyra e magjishme nuk është thjesht relievi ynë gjeografik.

Natyra shqiptare është relievi ynë historik, relievi shpirtëror e kulturor ku kemi ndërtuar vlerat e lirisë, kemi formësuar dinjitetin e trashëgiminë tonë të pasur, kemi përkundur ëndrrat e aspiratat për të ardhmen, aty ku kemi të gjalla simbolet tona kombëtare. Na takon të gjithëve së bashku ta ruajmë e pasurojmë, në mënyrë të qëndrueshme, për t`ia trashëguar brezave”, ka thënë ajo.

Në përshëndetjen e tij, drejtuesi i Konsullatës së Republikës së Kosovës, Valdrin Grainca, ka folur për rëndësinë e ngjarjes historike të Ditës së Flamurit Kombëtar. Ai ka folur edhe për vlerat e ekspozitës së fotografit Arian Mavriqi.

Duke theksuar lidhjen e ngushtë të këtij fotografi me natyrën, nënvizoi si vlerë të shtuar ndjeshmërinë dhe rëndësinë që të gjithë së bashku duhet t`i kushtojmë njohjes dhe ruajtjes së natyrës, mjedisit e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij potenciali në të dyja vendet tona.

E Mavriqi ka treguar se aktualisht është i angazhuar jo vetëm për ngritjen dhe pasurimin e arkivit fotografik, por edhe për shoqërimin e tij me një bazë të dhënash të detajuara mbi emërtime dhe fakte shkencore. Këtë punë ai po e vijon në bashkëpunim të ngushtë me profesionistë shqiptarë të secilës fushë, për të cilët përcolli vlerësim dhe mirënjohje të thellë.