Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

DAM-i feston për muzikë me duon e violonçelistëve

Festivali i muzikës DAM, sivjet në fundqershor e fillimkorrik solli edhe një edicion të pasur, të 17-tin me radhë. Por, jo çdo gjë ka përfunduar. Në atë që e ka titulluar “Post DAM”, ka rezervuar një datë të veçantë, njashtu sikurse edhe duon e violonçelistëve dhe koncertin. Të shtunën, 1 tetori - Dita Ndërkombëtare e Muzikës, do të festohet me Aurélien Sabouret, violonçelistin e parë të Operës së Parisit dhe Vlorent Xhafajn, violonçelistin e mirënjohur shqiptar. Vendi: Modelariumi i Arkitekturës në Prishtinë.

Në njoftimin për koncert paralajmërohet mbrëmje e veçantë. Do të nisë me interpretimin e “Sonata op 5, nr. 6” të kompozitorit italian, Francesco Geminiani. Më pas dy violonçelistët, Sabouret dhe Xhafaj, do të vazhdojnë me “Sonatën op. 4 në A-dur”, ku do të sjellin tingujt e muzikës klasike të kompozitorit dhe violonçelistit të mirënjohur italian, Luigi Boccherini. Në program është edhe Sonata e famshme për dy violonçela nga opera 308, “The Battle of Agincourt” e kompozitorit francez Olivier Greif, ndërsa pas kësaj do të sjellin një interpretim të një tjetër sonate të Francesco Geminianin. Krejt në fund dyshja do të kthehet në skenë në interpretimin e “Sonatës nr. 10” të francezit Jean - Baptiste Barrière.

Violonçelisti shqiptar, i cili ka qenë pjesë e disa prej orkestrave më të njohura evropiane, Vlorent Xhafaj, është shprehur i gëzuar që do ta ndajë skenën me Sabouretin.

“Kënaqësi të luaj nesër me mikun dhe kolegun Aurelien Sabouret për DAM Festival në Prishtinë të shtunën e datës 1 tetor. Dy violonçela pa shoqërim”, ka shkruar Xhafaj në profilin e tij në Facebook.

Prej vitit 2008 Aurélien Sabouret është violonçelisti kryesor i Orkestrës së Operës Nacionale të Parisit. Ai u diplomua në CNSMDP, ku studioi violonçelin në klasën e Jean-Marie Gamard. Sipas biografisë së tij, ai përsosi aftësitë e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Universitetin e Bostonit dhe në Festivalin Tanglewoodit, nën drejtimin e violonçelistit Andrès Diaz, pianistit Emmanuel Ax dhe anëtarëve të kuartetit Juilliard. Në vitin 1999 fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “Heida Hermann&quot”; në Danbury, Connecticut. I pasionuar pas muzikës së dhomës, Aurélien Sabouret është anëtar i kuartetit “Via Nova”.

Edhe Duo virtuoze fut publikun në rrugëtim magjik gjatë lojës me violonçel Kulturë Duo virtuoze fut publikun në rrugëtim magjik gjatë lojës me violonçel

Ndërkaq, violonçelisti shqiptar Vlorent Xhafaj studimet për violonçel i ka nisur qysh në moshën 6-vjeçare. Kur ishte 16-vjeç fitoi çmimin e parë në konkursin “Talentët e rinj” ndërsa disa javë më pas shkoi në Francë, duke vazhduar studimet nën drejtimin e V. Marin-Queyras në Konservatorin Rajonal të Parisit ku u diplomua në vitin 2003. Më 2004 u pranua në klasën e Anne Gastinel në Conservatoire National Supérieur de Musique et de Danse de Lyon, ku përfundoi studimet master. Ishte anëtar i orkestrave rinore më të mira në botë, si Orkestra Simfonike e Paqësorit, Orkestra e Festivalit të Schleswig-Holstein, Orkestra Rinore e Festivalit të Lucernit, si violonçelist primar në 2007 dhe 2009, duke luajtur me dirigjentë si Valery Gergiev, Pierre Boulez, Esa-Pekka Salonen e të tjerë. “Bashkëpunëtorët e tij të muzikës së dhomës në skenë përfshijnë emra si: Tedi Papavrami, Boris Brovtsyn dhe Francois-Frederic Guy, ndër shumë të tjerë”, shkruhet në biografinë që e ka përcjellë Festivali DAM.

Koncerti i dyshes në Prishtinë është mbështetur nga Ambasada e Francës në Prishtinë dhe njëherësh vjen si program mysafir në kuadër të “Clarinet Podium”.