Për herë të parë për publikun në Prishtinë, “DAM Festi” e ka sjellë Fedor Rudin, koncert-mjeshtër në Orkestrën e Operës Shtetërore të Vjenës dhe në Filharmoninë e Vjenës. Virtuoziteti i tij në violinë është plotësuar me lojën e pianistit të shumë çmimeve, Boris Kusnezow. Eleganca në lëvizje shkon krahas me saktësinë në lojë. E gjithë kjo i ka dhënë mundësinë publikut në sallë që nga “Sonatina në D-Dur” e Franz Schubertit e deri te vepra e fundit të zhyten në harmoninë e tingujve
Violina ishte instrumenti i parë me të cilin ishte marrë seriozisht kompozitori austriak Franz Schubert. Si nxënës e kishte pasur një ndjeshmëri të madhe ndaj këtij instrumenti. Kjo dashuri sikur fanitet në kompozimin e veprës së tij “Sonatina në D-Dur Op. 137/1” e kompozuar nga ai. Me tinguj vjenez të kësaj vepre, “DAM Festi” nisi mbrëmjen gala, duke ia kthyer publikut magjinë e koncerteve. Për këtë ka zgjedhur emra të dëshmuar të muzikës klasike.
Për herë të parë për publikun në Prishtinë e ka sjellë Fedor Rudin, koncert-mjeshtër në Orkestrën e Operës Shtetërore të Vjenës dhe në Filharmoninë e Vjenës. Virtuoziteti i tij në violinë është plotësuar me lojën e pianistit të shumë çmimeve, Boris Kusnezow. Eleganca në lëvizje shkon krahas me saktësinë në lojë. E gjithë kjo i ka dhënë mundësinë publikut në sallë që nga “Sonatina në D-Dur” e Franz Schubertit e deri te vepra e fundit të zhytet në harmoninë e tingujve. Në një asi loje kur vepra nis e mbaron natyrshëm, duke dëshmuar edhe komunikimin artistik të dyshes që për herë të parë ka ardhur në Prishtinë. Një atmosferë e tillë e koncertit i kishte munguar jo vetëm publikut, por edhe vetë violinistit dhe dirigjentit ruso-francez, Fedor Rudin.
“Është vizita ime e parë në Kosovë. Jam i lumtur që më në fund jam këtu, sepse kemi folur për disa muaj dhe nuk dinim nëse do të realizohej për arsye që tashmë ne të gjithë i dimë. Shpresoj që herën tjetër të mund të performojmë për sallën plot”, ka thënë Rudin, mes entuziazmit pas përshëndetjeve dhe përgëzimeve nga muzikantët kosovarë dhe i lumtur që me publikun në Prishtinë pati mundësinë të komunikojë nga salla.
Rudin është një nga mysafirët më të shpeshtë në disa nga festivalet muzikore më prestigjioze në botë. Shquhet si një nga artistët më të veçantë dhe më të gjithanshëm të brezit të sotëm. Aftësitë e tij janë dëshmuar edhe në një orë e gjysmë program sa ka interpretuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Për t’ia arritur qëllimit që të realizojnë një mbrëmje virtuoze të pasur, dyshja ka zgjedhur vepra të njohura e që nuk janë dëgjuar edhe aq, qoftë në koncerte të mëdha në botë. Edhe në “DAM Fest” kanë sjellë vepra që pak kompozitorë ia mësyjnë për t’i përcjellë në skenë. Njëra prej tyre ka qenë “Sonata për violinë dhe piano Op,5” e Jan Vaclav Vorisekut. Vepra e kompozitorit çek ka ngjyrime të Bethoveenit e Schubertit dhe konsiderohet goxha poetike. Dyshja që bashkë ka shkelur edhe në skena të tjera, në Prishtinë, e ka zotëruar veprën që konsiderohet goxha kërkuese.
“Ne e kemi zbuluar vetë këtë kompozitor dhe këtë vepër, dhe është një sonatë shumë kërkuese, për nga stili është në mes të Bethoveenit dhe Schubertit, por në të njëjtën kohë shumë virtuoze. Nuk është virtuoze vetëm për nga shpejtësia dhe efektet, por edhe për nga kompozimi, në atë mënyrë që nëse nuk e kontrollon atë ndihesh i zhveshur në këtë vepër”, ka treguar Rubin për KOHËN.
Në pjesën e dytë të koncertit, instrumentistët kanë kaluar në vepra të romantizmit të vonë. “Sonata për violinë në H-mol” e Ottorino Respighit ka qenë po ashtu në mesin e veprave që publiku nuk ka mundësi t’i dëgjojë shpesh. Si një vallëzim muzikor është transmetuar vepra “5 valle rurale Op. 106” e kompozitorit finlandez, Jean Sibeliues. Karriera e tij rri në skaj të përfundimit të romantizmit dhe në prag të muzikës moderne. Kompozitori që ishte edhe vetë violinist përmes këtij kompozimi e ka hapur një shteg të vështirë të interpretimit në violinë. Përmes saj, ai ka vendosur shumë ngjyrime të cilat koncert-mjeshtëri Rubin i ndien sa herë që e interpreton.
“Në këto valle ka fytyra të ndryshme të Sibelius, në këtë vepër ka shumë humor dhe dritë, një aspekt tjetër i rëndësishëm që kompozitori, edhe pse është violinist, vepra nuk është e rehatshme për t’u luajtur nga një violinist. Sikur nuk ta merr mendja që e ka shkruar një violinist”, ka thënë Rubin për KOHËN.
{gallery}
Një motivim tutje për koncertet e tij e ka gjetur në Prishtinë edhe pianisti nga Moska që karrierën e zhvillon në Gjermani, Boris Kusnezow. Ka veçuar energjinë që transmeton “freski”. Është shprehur i lumtur që në këtë atmosferë të barttë lojën e tij pianistike.
“Jemi shumë të lumtur që pas shumë kohësh me pandemi, muzika mund të komunikojë me publikun në sallë (sado që i vogël të jetë ai) dhe kjo neve na dha shumë mbështetje dhe inspirim për më tutje. Për të dy ka qenë hera e parë në Prishtinë dhe jemi të lumtur që e kemi shijuar këtë qytet dhe këta njerëz të mrekullueshëm. Për publikun kemi sjellë vepra jo shumë të zakonshme, që jo shpesh dëgjohen në sallë. Kemi dashur që këto vepra të padëgjuara të arrijnë publikun”, ka shpjeguar Kusnezow për KOHËN.
Edicionin e gjashtëmbëdhjetë, festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” e ka nisur me një format hibrid, por që përmes koncertit gala ia kthyer emocionet publikut.
Profesoresha Besa Luzha ishte ndier e lumtur që koncertin e dy emrave të njohur në muzikën klasike ka pasur mundësi t’i dëgjojë nga salla.
“Pas koncerteve ‘online’, u gëzova shumë që këta muzikantë na sollën një program të jashtëzakonshëm dhe një kapërcim gradual nëpër stile të ndryshme përmes veprave që edhe nuk i kemi dëgjuar. Ishte një atmosferë shumë e bukur”, ka thënë ajo.
Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM”, i paraparë të fillojë në fund të gushtit, është shtyrë për shkak të masave me pandeminë. Pas këtij koncerti gala, “DAM”-i do të bashkohet me publikun në fund të nëntorit për ta vazhduar programin.
“Edicioni do të rikthehet në nëntor si rezultat i masave që janë në fuqi. Kishim disa koncerte të cilat me marrëveshje me artistët i kemi shtyrë dhe si koncerti me këta dy solistë, që si rezultat i agjendës së ngjeshur duhej të ndodhte sot ose të shtyhet në një afat të pacaktuar. Jemi mërzitur pak pasi që prezenca e publikut është e kufizuar, por jemi me shpresën që ky program të kthehet në edicionet e ardhshme”, ka thënë drejtoresha e “DAM”-it, Rreze Kryeziu-Breznica.
Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” do të shpalosë programin prej 22 deri më 26 nëntor me synimin për t’i fuqizuar muzikantët vendorë dhe të rajonit.