Kulturë

“Drita” thyen traditën në triumfin e dashurisë

Është një poemë e fuqishme për betejën shpirtërore midis dashurisë, hakmarrjes e faljes. “Drita” me skenar e regji të Daniel Kruglikov, me Florist Bajgorën, Arta Dobroshin e Genc Jakupin në role kryesore, i jep zë natyrës së njeriut që mund të keqen brenda vetes. Është një shprehje e shpirtit që hidhet jashtë në imazh dhe gjithkush e merr ndryshe dhe kjo është e bukura e artit”, ka thënë aktorja Arta Dobroshi

Pengimi i rrjedhës së gjakmarrjes dhe dhimbja e pashërueshme që lë në shpirtin e njeriut vdekja e njerëzve të afërm, është tema që trajtohet në filmin “Drita” i dhënë premierë regjionale, në ditën e dytë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFest”.

“Kino Armata” ka qenë plot të mërkurën mbrëma, ende pa u ndezur projektori për “Dritën”, i cili hapet me leximin e një letre që Flamuri (Genc Jakupi) e kishte shkruar kur kishte qenë 12-13 vjeç, “para se të ndodhnin masakrat”. Letra lexohet nga Drita (Arta Dobroshi) dhe ka formën e monologut. Teksa i drejtohet Flamurit duke thënë se kishte gjetur një letër që ai e kishte shkruar si i vogël, Drita shikon drejt e në syrin e kamerës duke krijuar një lidhje të atillë me publikun sikur komunikon me të. Derisa ajo lexon dy faqe letër, në të cilën shpërfaqet dashuria dhe shpresa e një të riu për jetën, herë pas here zëri i saj shoqërohet me imazhe të luftës së Kosovës dhe kampeve që ishin krijuar nga shpërnguljet e shumta të asaj kohe. Vetëm në fund, pas gati pesë minutash, kamera merr një pamje më të gjerë dhe publiku arrin ta shohë autorin e asaj letre dhe njeriun të cilit i drejtohet Drita, Flamurin.

Revolta ndaj normës, shpëtimi i vetvetes

Filmi rrëfehet nga perspektiva e Flamurit, burrit të Dritës. Në 80 minuta sa zgjat filmi, ai ka vetëm dy-tri skena kur flet drejtpërdrejt. Krejt pjesa tjetër rrëfehet në formën e narratorit, teksa ekrani shfaq pamje të ndryshme, dëgjohet zëri i tij duke rrëfyer historinë e së kaluarës së tij.

Por ky rrëfim nuk ndjek rrjedhën kronologjike. Vjen në formë të retrospektive. Së pari shfaqen ca momente lumturie midis çiftit Drita dhe Flamur, ikja e tij në Amerikë dhe pastaj Flamuri i cili vuan humbjen e Dritës. Regjisori nuk zgjedh të tregojë menjëherë shkakun e vdekjes së Dritës, por e lë publikun që si fillim të ndjejë vuajtjen, mërzinë dhe luftën e Flamurit me vetveten. E tërë kjo jepet nëpërmjet aktrimit mjeshtëror të Genc Jakupit i cili arrin të përçojë te publiku dhembjen dhe monotoninë që lë pas vdekja e një njeriut të dashur si dhe dilemat e një të riu shqiptar i cili luhatet përballë cytjes për gjakmarrje. Në një anë, atij i gufon gjaku për të marrë hakun e gruas së tij, e në anën tjetër është mu Drita “që përmes ëndrrave” e pengon ta bëjë atë.

Vetëm diku nga gjysma e filmit, në skenë shfaqen personazhi i vetëm negativ, Dreni i portretizuar nga aktori, Florist Bajgora. Është djali që ka hyrë në burg për shkak se ka tentuar të vjedhë në shtëpinë e Flamurit. Gjatë kohës sa ishte në burg vëllai i tij i vetëm bën vetëvrasje dhe për këtë ai e fajëson Flamurin. Për të marrë hak ndaj tij, vret Dritën.

Nga këtu nis e shtjellohet tema e gjakmarrjes. Po aty nis edhe përndjekja e Drenit. Rrjedha e ngjarje merr kthesë me kapjen e tij. Pasi e zë diku në mal, Flamuri ia fut Drenit tytën e pushkës në gojë, por zgjedh të mos e vrasë duke bërë një thyerje të traditës.. Në atë moment ai e kupton se vrasja e Dritës nuk ia ka shëruar dhimbjet për vëllanë e vdekur dhe ajo madje vetëm se e ka rritur intensitetin e saj. Këtë e kupton edhe Flamuri i cili vendos që Drenit t’i japë një pasaportë të rrejshme për të ikur në Amerikë duke dashur që së paku njëri të shërohet nga vuajtjet.

Flamuri humb Dritën, por nuk pranon ta humbë edhe veten. Ai revoltohet ndaj normës kanunore.

Arta Dobroshi: Filmi, si një pikturë që secili e sheh ndryshe

Image

Arta Dobroshi në rolin e Dritës


“Drita” përçon mesazhin se vuajtjet e humbjes së një njeriu të dashur nuk i shëron vdekja e një njeriu tjetër. Personazhi kryesor i filmit, Flamur, vendos ta ndalë rrjedhën e gjakut dhe të pajtohet me humbjen e gruas së tij.

“Më duket se i gjithë filmi është për faljen dhe faktin që falja është një gjë shume rëndësishme. Ndoshta në fund të filmi dikush mund ta ketë mendimin se tema e tij ka të bëjë me gjakmarrjen, por jo, mesazhi i tij është definitivisht falja dhe vazhdimi i jetës përpara”, ka thënë aktorja e njohur, Arta Dobroshi, në konferencë për media një ditë pas shfaqjes së filmit.

Dobroshi e cila përveç aktore ka qenë edhe pjesë e ekipit të producentëve të këtij filmi, ka treguar edhe për mënyrën se si është realizuar “Drita” dhe kontributin që aktorët dhe producentët kanë dhënë në formësimin e këtij filmi.

“Filmi është shumë shpirtëror ndoshta shumë gjëra edhe nuk do të mund t’ju shpjegoja sepse ai është shkruar në atë mënyrë nga regjisori. Më së pari e ka shkruar regjisori, Danieli (Kruglikov) dhe pastaj ka qenë edhe Shkumbin Jakupi si producent kryesor edhe pastaj jemi edhe ne producentët e tjerë që jemi inkuadruar dhe gjatë kohës kemi pasur shumë hyrje lidhur me atë se çka do të ketë në film”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë Dobroshi ka dhënë edhe një shembull skene të këtij filmi në të cilën ka kontribuuar vetë me idenë e saj, të cilën regjisori ruso-amerikan, Daniel Kruglikov e kishte pranuar.

“Për shembull në fillim skena kur unë jap monolog dhe i shohim imazhet e refugjatëve kur ne kemi dalë prej Kosovës, ka qenë ide imja. Teksa po e lexonim skenarin dhe po bënim prova, mua më ka ardhur ideja dhe i kam thënë Danielit: ‘Shikojë këtë video. Po e kam një ndjenjë që kjo duhet të jetë në fillim, së bashku me këtë monolog’ dhe më pas ai e ka pranuar këtë ide dhe unë jam shumë falënderuese për këtë”, ka shpjeguar Dobroshi, emër i shquar në skenën ndërkombëtare, veçmas me “Heshtjen e Lornës” të vëllezërve Dardenne, i cili rol më 2008 e çoi në Festivalin e Filmit në Cannes.

Ndërkaq, lidhur me dy paralelet e forta që tërheq ky film, midis dhimbjes që shkakton vdekja e njerëzve të afërm dhe gjakmarrjes, Dobroshi ka thënë se kuptimi i tyre duhet të jetë individual dhe i veçantë për secilin që e shikon atë.

“T’i inspirohesh për të bërë një film, për ta hedhur jashtë atë që e ke brenda pastaj publiku mund ta marrë ashtu si të dojë. Nuk është që filmi dëshiron ta tregojë një mesazh që ti patjetër duhesh ta marrësh. Është një shprehje e shpirtit që hidhet jashtë në imazh dhe gjithkush e merr ndryshe dhe kjo është e bukura e artit. Sikurse një pikturë që secili e sheh ndryshe”, ka thënë ajo para publikut.

Premiera e filmit “Drita” ishte dhënë në Festivalin e Filmit në Zürich të vitit 2019, ndërsa në Kosovë si pasojë e pandemisë vjen tek tash. Megjithatë, kjo shtysë kishte bërë që Dobroshi vetëm se ta vlerësonte edhe më shumë këtë film.

“Po unë shpresoj vetëm të mirën e filmit. E gjithë bota ka pasur njëfarë ndaljeje të aktiviteteve që ka bërë që të jemi më falënderues për gjërat që i kemi bërë dhe tash për shembull kur erdha këtu ishte një ndjenjë shumë e bukur. Ndoshta do ta përjetoja ndryshe po të mos ishte pandemia. Tani falënderohemi shumë më shumë faktit që është shfaqur filmi dhe është njëfarë luksi edhe të bëhet një film. Të paktën kështu e ndjej”, ka thënë Dobroshi.

Aktori Florist Bajgora nuk e ka cilësuar edhe aq të vështirë aktrimin e tij si personazhi i vetëm negativ në film.

“Jeta e Drenit përbëhet prej shumë situatave në të cilat kalon një pjesë e madhe e shoqërisë sonë dhe është një karakter mjaft i njohur për ne”, ka thënë ai për KOHËN.

E impresionuar nga ky film kishte mbetur gjermania, Mia Wolfrum, e cila ka ardhur për herë të parë në Kosovë dhe nuk dinte edhe aq shumë për historinë e këtij vendi.

“Filmi ishte shume interesant sepse kjo ishte hera ime e parë në Kosovë dhe mësova diçka për historinë dhe ishte impresionuese, sepse nga aty pamë një tjetër pikëvështrim dhe disa skena të tij më pëlqyen jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Wolfrum.

Ndryshe nga kjo, një shikueseje tjetër të filmit i kishin penguar skenat e ngadalshme ndonëse pavarësisht kësaj ajo e ka vlerësuar e fundit e tij.

”Aktrimi natyralist më pëlqen shumë por ndoshta do ta kisha përshpejtuar pak filmin. Kishte një temë shumë interesante sepse edhe sot dihet që pjesa e urrejtjes nuk na lënë ende të zhvillohemi aq sa duhet. Megjithatë, aty u tha një fjalë shumë e mirë që edhe nëse e bën veprimin edhe nëse nuk e bën, ndjenjën e mërzisë e urrejtjes nuk mund t’ia heqë vrasja e tjetrit”, është shprehur Rozi Kryeziu.

Në këtë film luajnë edhe aktorë të tjerë të njohur si Armond Morina, dhe Ilire Vinca të cilët portretizojnë prindërit e Dritës. Producentë të filmit janë Shkumbin Jakupi, Armond Morina dhe Genc Jakupi, ndërsa producent ekzekutiv është regjisori britanik, fituesi i shumë çmimeve ndërkombëtare, Steve Mcqueen, i njohur për filmat “12 Years a Slave”, “Shame”, “Hunger” e të tjerë.

Në edicionin e katërmbëdhjetë të “Prifest”, “Drita”, konkurron në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë Global në të cilin garojnë edhe tre filma të tjerë: “Klodike” nga Maryna Er Gorbach, Ukrainë/Turqi, “Darkroom” nga Lukas Maier, Kanada dhe “Geborgtes Weiss” nga Sebastian Ko, Gjermani.