Një kolonë njerëzish të veshur me kostume të llojllojshme tradicionale kishte marrë teposhtën nga “Bregu i Diellit” për te katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë. Kjo kolonë, e paparë ndonjëherë nëpër rrugët e Prishtinës dhe e cila herë pas here shoqërohej nga ritmi i daulleve dhe instrumenteve të tjera muzikore, bënte që shumë njerëz të kthenin kokën e t’i shikonin, e ndonjëri prej tyre madje nxirrte nga xhepi edhe telefonin dhe bënte ndonjë video.
Këta të rinj nga shtete të ndryshme kanë ardhur në Kosovë për të përfaqësuar vallëzimin tradicional të vendit të tyre, në festivalin më të ri në Prishtinë, “New Born”. Sllovakia, Polonia, Turqia, Bullgaria dhe Argjentina janë midis shteteve pjesëmarrëse në hapjen e edicionit të parë të këtij festivali.
Pjesëmarrësit të cilët janë sistemuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë defiluan me kostumet e tyre tradicionale nga aty, të katedralja “Nënë Terezë” te “NEWBORN”, sheshi “Zahir Pajaziti” dhe në fund në sheshin “Skënderbeu”, ku dhanë edhe performancat e tyre.
Për t’i shikuar të gjitha këto vallëzime, të cilat shumë njerëz i shihnin për herë të parë, ishin mbledhur shumë njerëz të cilët kanë formuar një rreth përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës.
I pari që nisi vallëzimin ishte ansambli nga Turqia, “Idemm Maksem Folklor”. Ndonëse në Kosovë nga ky grup folkloristik kishin ardhur edhe djem edhe vajza, pika e realizuar në sheshin “Skënderbeu” u interpretua vetëm nga burrat. Pesë burra i hodhën krahët njëri- tjetrit dhe nisën vallëzimin i cili shquhej nga notat orientaliste. Ajo që u vërejt më së shumti ishte loja që këta pesë burra bënin me këmbët e tyre. Ata uleshin, ngriheshin, hidhnin këmbët lart e pastaj i përplasnin për toke, me ç’rast krijonin ritëm i cili vinte nga taket e çizmeve të cilat i kishin veshur ata. Kostumet e tyre karakterizoheshin nga çizme lëkurë të zeza, këmisha të bardha, jelek e pantallona të zinj, si dhe kapuç të zi. Nën bark, mbi rrobat e zeza ata kishin një rrip të zi lëkure e me një pjesë të përbërë nga argjendi, ndërsa në pjesën e sipërme, mbi gjoks, kishin të varur disa zinxhirë që përplaseshin ndërmjet vete sa herë që burrat dridhnin trupin, dhe lëshonin një ritëm që harmonizohej me lëvizjet e tyre.
Pas Turqisë, skena iu lëshua grupit nga Krakova i Polonisë, “Slowianki”. Ndryshe nga valltarët paraprakë, këta vunë në skenë një lojë e cila realizohej mes çiftesh. Grupi i cili përbëhej nga gjashtëmbëdhjetë veta, gjashtë vajza dhe gjashtë djem, bënte lëvizje rrethore ku herë pas here çiftet ndërronin partnerët, ndaheshin e pastaj bashkoheshin përsëri. Gjatë performancës valltarët lëshonin brohoritma të cila iu përshtateshin lëvizjeve të tyre. Grupi nga Polonia u shoqërua edhe nga disa këngëtarë e instrumentistë të cilët po ashtu ishin të veshur me rroba tradicionale. Rrobat e vajzave përbëheshin nga çizme të gjata lëkure, fustane të gjera ngjyrash të ndryshme, të cilët, kur vajzat hidheshin përpjetë, krijonin një rreth përgjatë belit të tyre. Në pjesën e sipërme kishin këmisha të bardha krahgjera dhe jelekë që u përshtateshin fustaneve, ndërsa flokët ishin të gjatë, të zezë, bistakë dhe secila prej tyre mbante në kokë një kordele.
Ngjashëm me to edhe djemtë kishin të veshur çizme të gjata lëkure, ndërsa kishin veshur pantallona me katrore pembe dhe bardhë. Mbi pantallona kishin veshur fustanet që nuk ishin aq të gjera sa të vajzave. Në pjesën e sipërme, mbi këmishën e bardhë krahëgjerë, kishin jelekë me ngjyrë të kaltër të mbyllët, sikurse fustani. Në kokë secili prej tyre mbante një kapele të kuqe, prej ku ngrihej një pendël ngjyrë e gjelbër. Në fund të performncës, për shkak të sharmit dhe koordinimit tepër të saktë, grupi u përshëndet me shumë duartrokitje.
Menjëherë pas tyre, në pllakat e sheshit u dëgjuan hapat e grupi “The Folklore Magic of Mezda” nga Bullgaria. Ky grup i cili përbëhej nga tridhjetë e dy veta performoi një vallëzim i cili në radhë të parë shquhej nga shpejtësia e lëvizjes. Vajzat qëndronin të ndara në dy grupe e po ashtu edhe djemtë. Pas pak ato u grumbulluan në mes, ndërsa djemtë rrinin anash dhe luanin lojën sikur i ngacmonin ato. Më vonë vajzat ua rrëmbenin kapelat meshkujve dhe iknin duke kërcyer me to në dorë. Në fund kapelat iu ktheheshin burrave dhe të gjithë bëheshin bashkë për ta përfunduar vallëzimin.
Ajo që binte më së shumti në sy, dhe të cilën e theksuan disa herë edhe njerëzit nga publiku, ishte ngjashmëria që kostumet tradicionale të burrave bullgarë kishin me ato të shqiptarëve. Ata kishin ca pantallona që iu ngjanin shumë tirqve si nga ngjyra ashtu edhe nga forma e materiali. Dallim përbënte vetëm një dizajn i punuar me ngjyrë të zezë, i cili përfshinte tërë pjesën e parme poshtë gjurit. Ajo që i ofronte me kostumin shqiptar ishte edhe kapela e cila ishte shumë e ngjashme me plisin vetëm se ishte paksa më e gjatë. Në bel kishin vendosur një shall të zi ndërsa larte këmishë me mëngë të gjëra, e dizajne ngjyrë të kuqe si dhe jelekë të zi.
Vajzat bullgare dalloheshin nga fustanet fund e krye të kaltra, këmisha e bardhë me qëndisje të kuqe, si dhe shamitë e lidhura përreth ballit, po ashtu ngjyre të kuqe.
Atëherë kur terri veçse kishte mbuluar sheshin e Prishtinës, të cilit i mungonin dritat, në skenë doli ansambli nga Bratisllava e Sllovakisë, “Folklorny subor Ekonom”. Pas lëvizjeve shumë të shpejta të rumunëve, hapat e valltarëve sllovakë u dukën edhe më të ngadalshëm se që ishin në të vërtetë. Grupi i përbërë prej tetë vetash dha një performancë e cila, po ashtu, u realizua në një lojë që krijohej mes çifteve. Vallëzimi i tyre karakterizohej nga lëvizja e shamive nga ana e vajzave. Të ndara nga meshkujt ato mbanin në dorë shaminë që e dridhnin pa pushim duke bërë lëvizje të vazhdueshme herë lartë- poshtë, herë duke u sjellë në rreth.
Kostumi i meshkujve karakterizohej nga pantallonat e gjera të bardha dhe këmisha po ashtu të bardha e të gjera, të cilat përfshinin edhe disa dizajne ngjyrë të kuqë. Përveç kësaj, ata kishin edhe jelekë të kuq, ndërsa ndryshe nga të gjithë, në kokë mbanin kapele të zeza të rrafshëta e me anësore tej për tej.
Në anën tjetër, vajzat kishin veshur fustane të gjata ngjyrë të kaltër dhe këmisha të gjera ngjyrë të bardhë e me dizjane në dy anët e krahëve.
Grupi vallëzues nga Argjentina ishte i fundit që doli në skenë. Përmes vallëzimit të tyre ata sollën ritmin latin, ndërsa përmes kostumeve shumëngjyrëshe sollën bukurinë e kulturës së tyre.
Vallëzimin e nisën përmes goditjeve të daulleve dhe kërcitjes që e realizonin me goditjen e takave në tokë. Më pas, po ky grup i përbërë prej shtatë vetash vazhdoi me një ritëm tjetër i cili krijohej me rrotullimin e ca litarëve, në majën e të cilëve kishte nga një top, i cili sa herë përplasej në tokë, lëshonte një tingull. Varësisht nga shpejtësia dhe mënyra se si ata i rrotullonin këta litarë, krijoheshin edhe notat dhe ritmet e muzikës.
Pas përfundimit të tyre, në skenë doli një tjetër grup argjentinas i përbërë nga disa çifte. Ata vallëzuan sipas ritmit të muzikës së tyre tradicionale i cili shoqërohej nga një grup tjetër muzikantësh e instrumentistësh të cilët këndonin në gjuhën spanjolle.
Vajzat kishin veshur fustane ngjyrash të ndryshme, të cilët shquheshin nga gjerësia, ndërsa djemtë nga pantallona të zeza te gjera dhe jelekë të kuqe.
Drejtoresha e këtij festivali, Zymrije Grajqevci, e cila njëherësh është edhe përfaqësuese e FIDAF Kosovo, ka thënë se ky festival në radhë të parë ka dashur të sjellë një larushi të vallëzimeve tradicionale vendesh të ndryshme.
“Qëllimi i festivalit ka qenë që të sjellim sa më shumë kultura të botës, laramani kostumesh e muzikash dhe tradita shtetesh të ndryshme”, ka shpjeguar Grajqevci
Në ditët në vazhdim festivali “New Born” do të vazhdojë rrugëtimin edhe nëpër qytete të tjera të Kosovës si: Prizren, Ferizaj, Vitit, Obiliq etj. Përmbyllja e tij do të bëhet më 16 të këtij muaji, ku pas një gare do të bëhet ndarja e çmimeve.
“Në datat 15 dhe 16 do të jetë edhe gara ku do të vijnë juria nga Federata e Vallëzimit (FIDAF) në të cilën e përfaqësoj unë Kosovën. Kosova është anëtare e kësaj federate dhe ne jemi në pritje që të certifikohemi nga kjo federatë, që shteti ynë të hyjë në kalendarin botëror të festivaleve”, ka thënë Grajqevci
Tutje Grajqevci ka theksuar edhe problemin që shkaktoi mungesa e dritave në sheshin “Skënderbeu” gjatë kohës kur performuan artistët.
“Sonte plani ka qenë pakëz më ndryshe, por do të doja ta theksoja faktin e mosndriçimit të sheshit ‘Skënderbeu’ i cili është një shesh të cilin ne do të mundohemi sa ma shumë ta prezantojmë. Unë nuk mundem as ta mendoj se pse ka ndodhur kjo gjë”, ka thënë ajo plot dëshpërim.
Lidhur me pjesëmarrjen dhe mikpritjen që i është bërë në këtë festival, valltarja nga Argjentina, Sofia Floris, u shpreh shumë e kënaqur.
“Ne jemi shumë të entuziazmuar që jemi këtu. Kjo është hera jonë e parë në Kosovë dhe në këtë festival. Kosova është e mrekullueshme dhe njerëzit janë të jashtëzakonshëm. Ne jemi shumë të emocionuar për garën brenda këtij festivali”, ka thënë Floris.
Një gjë të ngjashme e ka potencuar edhe artisti nga Turqia i cili disa herë e përmendi mikpritjen e jashtëzakonshme që iu ishte bërë prej se kishin mbërritur në Kosovë.
“Prej se kam ardhur gjithçka ka qenë shumë e bukur, si vendi, njerëzit, mikpritja ka qenë shumë e ngrohtë nga ta. Mbi të gjitha, njerëzit janë shumë të mirë. Uroj që në Kosovë do të ndodhin edhe shumë e shumë gjëra të bukura sikurse ky festival, sepse na ka sjellë pozitivitet dhe energji shumë të mirë”, ka thënë Yunus Sabri Biber, drejtor i “Idemm Maksem Folklor” nga Turqia.