Kulturë

“Sunny Hill Festival”: Skena në pritje të yjeve për spektaklin botëror

Hyrja është krejt afër pishinës së “Gërmisë”. Prej aty e deri te skena kryesore, hapësira është shndërruar në një ambient të hapur koncertesh
 

Skena është gati, përgatitjet po ashtu, e sonte pritet hapja e portave dhe ndezja e spektaklit. Dua Lipa është ylli i natës së parë të “Sunny Hill Festival”, për t’ua lënë vendin yjeve të tjerë në tri netët e radhës. “Fryma” e krijuar bashkë me shpjegimet e organizatorëve, japin gjasa reale për një përjetim unik në “Gërmi” të Prishtinës. Njëzet mijë veta për çdo natë, janë përllogaritjet paraprake

Qyteti tashmë është “veshur” me festivalin më të madh jo vetëm në Kosovë, “Sunny Hill”. Nëpërmjet një ecjeje të shpejtë në zonën e parë të kryeqytetit, vërehet fryma e një alamet ngjarjeje. E me pak koncentrim shihet interesimi masiv për të qenë pjesë e maratonës katërditore.

Përtej posterëve, në bulevardin qendror, sa vjen e rritet radha e njerëzve, që presin për t’i shndërruar biletat në shirit dore në mënyrë që të kalojnë portat e festivalit.