Kulturë

Britania do t’ia kthejë Turqisë artefaktin “Koka e Erosit” pasi e mbajti 141 vjet

Muzeu “Victoria & Albert” e përshkroi kthimin e artefaktit si “një partneritet kulturor” me Agjencinë qeveritare turke që mbikëqyr kulturën dhe turizmin. Marrëveshja e huas, e cila do të zgjasë për një periudhë prej gjashtë vjetësh, pranon pronësinë e përbashkët midis Qeverisë turke dhe Muzeut të Mbretërisë së Bashkuar, i cili është institucion shtetëror

(ArtNews) – Muzeu “Victoria dhe Albert” i Londrës do të kthejë në Turqi një kokë mermeri të hyjnisë greke Eros që u nda nga një sarkofag që daton në shekullin e 3-të të erës sonë. Lëvizja zgjidh një luftë gati njëshekullore për të rikthyer artefaktin.

Muzeu “Victoria & Albert” e përshkroi kthimin e artefaktit si “një partneritet kulturor” me Agjencinë qeveritare turke që mbikëqyr kulturën dhe turizmin. Marrëveshja e huas, e cila do të zgjasë për një periudhë prej gjashtë vjetësh, pranon pronësinë e përbashkët midis Qeverisë turke dhe Muzeut të Mbretërisë së Bashkuar, i cili është institucion shtetëror.

Fragmenti i Erosit është marrë më 1882 nga Charles Wilson, një zyrtar ushtarak britanik gjatë një qëndrimi në Anadoll, kur ai zbuloi një sarkofag romak në provincën Karaman të Turqisë Qendrore. Wilson më pas huazoi kokën në “Victoria & Albert”, i cili atëherë njihej si muzeu “South Kensington”. Iu dhurua Muzeut në vitin 1933 pas vdekjes së tij.

“Victoria & Albart” diskutoi kthimin e kokës në Turqi në këmbim të një antikiteti bizantin. Drejtori i atëhershëm i Muzeut, Eric Maclagan, shprehu hapur shqetësimin për pasojat e mundshme të një marrëveshjeje të tillë kthimi sa u përket artefakteve të tjera të mbajtura në muzetë britanikë.

Megjithatë, në vitin 1934, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar autorizoi kthimin e kokës së mermerit në Turqi. Për të parë nëse koka e mermerit ishte vërtet nga sarkofagu origjinal, “V&A” fillimisht siguroi një kopje për ekspertët në Turqi. Koka e mermerit vazhdoi të mbahej në ruajtje në Londër deri në fund të shekullit të 20-të.

Në vitin 2005 bisedat rreth kthimit të skulpturës u rishfaqën kur Qeveria e Turqisë bëri thirrje që artefakti origjinal të rikthehej përfundimisht. Kuratori i “Victoria & Albert”, Paul Williamson, ka thënë se muzeu ishte i gatshëm ta dërgonte kokën përsëri në Turqi me hua më afatgjatë. Negociatat rinisen edhe një herë në vitin 2010.

Si pjesë e marrëveshjes konservuesit e kanë ribashkuar kokën në sarkofagun “Sidamara” nga i cili është marrë më shumë se një shekull më parë. Monumenti tani është i ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Stambollit.

Foilegj: Fragmenti i Erosit është marrë më 1882 nga Charles Wilson, një zyrtar ushtarak britanik gjatë një qëndrimi në Anadoll, kur ai zbuloi një sarkofag romak në provincën Karaman të Turqisë Qendrore. Wilson më pas huazoi kokën në “Victoria & Albert”, i cili atëherë njihej si muzeu “South Kensington”. Iu dhurua Muzeut në vitin 1933 pas vdekjes së tij