Kulturë

Thirrja për kthimin e artefakteve nga Serbia me fushatë reprizë

Descriptive Text

Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, institucionet qendrore në Kosovë e shënuan edhe me thirrjen për kthimin e artefakteve nga Serbia. Ka qenë reprizë aktivitetesh e ngjarjesh të disa vjetëve më parë, që deri më tash nuk ka çuar fort peshë. Përderisa në Kosovë hapen ekspozita me imazhe me artefakte, në Serbi artefaktet e Kosovës promovohen edhe për politikë të brendshme, e ka raste kur një pjesë e tyre është futur para nja 15 vjetësh edhe në Kosovë, në komuna me shumicë serbe

Muzeu Kombëtar i Kosovës nga oborri i këtij institucioni i ka bërë thirrje Serbisë që t’i kthejë eksponatet që ia ka marrë gjatë viteve 1998 dhe 1999. Ky institucion e ka reprizuar këtë thirrje për disa herë nëpërmjet një ekspozite dhe ceremonie që janë mbajtur në prani të zyrtarëve të institucioneve kulturore e arsimore të Kosovës.

Nëpërmjet ekspozitës “Return us home” (Kthenani në shtëpi), Ministria e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Këtij aktiviteti qendror për shënimin e kësaj dite, të mërkurën, i ka paraprirë një punëtori nëpërmjet së cilës është bërë e ditur se shteti është duke punuar për një program kombëtar të muzeve në Kosovë. Realisht MKRS-ja ka njoftuar për “prezantim të programit”, por ende nuk ka program të gatshëm, megjithëse, sipas këtij institucioni, të mërkurën është punuar një draft. Sivjet tema e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve ishte “Fuqia e Muzeve”.

Image
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se dita e mërkurë është mbyllur me një aktivitet jo edhe aq të këndshëm, pasi edhe njëherë është shënuar mungesa e madhe e pjesës më të vlefshme të koleksionit muzeor të Kosovës

Kërkesa e përsëritur me të njëjtin skenar

Në vitet ’90 profesionistë nga Serbia bashkë me ata që shërbenin në atë që ishte Muzeu i Prishtinës kishin bërë matje të hapësirave ekspozuese të atij që tash është Muzeu Kombëtar i Kosovës. Kishin konceptuar një ekspozitë të përhershme në këtë institucion.

Por ekspozitës së përhershme të Muzeut Kombëtar të Kosovës do t’i paraprinte një ekspozitë e përkohshme e eksponateve në Beograd. Vitrinat e punuara për ekspozitën e pakohshme në Beograd, të paktën sipas planit publik, do të vinin bashkë me eksponate në Prishtinë. Por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Tash e 23 vjet shteti serb në kundërshtim me reversët dhe konventat ndërkombëtare, të paktën zyrtarisht, mban 1247 eksponate të Kosovës, të cilat paraqesin kulturën e kësaj treve këtu e 8 mijë vjet më parë.

Me ekspozita të përkohshme, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Ministria e Kulturës tash e 20 vjet kërkojnë kthimin e eksponateve.

“Kthehu” titullohej ekspozita me imazhe të eksponateve që mungojnë, e cila u hap më 2002 në Muze si thirrje për kthimin e këtyre artefakteve. Aktivitetet e tilla vazhduan me ekspozitën “Kosova antike” në vitin 2004 e atë “Edhe unë dua të kthehem në shtëpi tani” në vitin 2009.

Ngjashëm institucionet kanë vepruar edhe të mërkurën gjatë shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, e cila shënohet qysh prej vitit 1977 me një vendim të Këshilli Ndërkombëtar të Muzeve.

Zyrtarisht janë 676 eksponate arkeologjike e 571 të tjera etnografike, të cilat mbahen në Muzeun Kombëtar në Beograd e atë Etnografik të këtij qyteti. Imazhet e rreth 700 prej tyre qëndrojnë në ekspozitën “Return us home” në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Renditja e imazheve nuk është bërë sipas praktikave muzeore, ku ekspozita nis nga ana e djathë të artefaktet më të vjetra. Janë përzër kohët, por të njëjta mbeten veprimet e institucioneve në raport me punën për ta kthyer thesarin muzeor në vendin e origjinës.

Përderisa Kosova mban ekspozita me imazhe, në vitin 2008 disa prej eksponateve, Serbia para rreth 15 vjetësh i kishte sjellë edhe në Kosovë, për ekspozita në komuna me shumicë serbe.

E në Beograd, jo rrallë hap ekspozita me to. Njëra prej tyre qe edhe ajo e pesë vjetëve më parë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë. Titullohej “Trashëgimia artistike serbe në Kosovë e Metohi: Identiteti, rëndësia, rrezikimi”. Qe ekspozitë e cila bëri bujë dhe mesatarisht do të vizitohej prej një mijë vetave në ditë. Akademia serbe e hapi atë që “t’ia kujtojë publikut vendës e atij botëror që populli serb jeton në Kosovë e Metohi tash më shumë se një mijë vjet dhe prej kohës së Stefan Nemanjes e deri më sot pandërprerë kultivon krijimtarinë e shumanshme artistike”.

Image
Punëtoria për Programin Kombëtar të Muzeve në Kosovë me të cilin synohet fuqizimi i institucioneve muzeore

Padrejtësisht në Serbi

Arkeologia Zana Rama, njëherësh anëtare e Këshillit Drejtues të MKK-së, ka moderuar aktivitetin e po ashtu ka mbajtur atë që, sipas njoftimit, ishte “fjala përmbajtjesore e ngjarjes”. Ajo ka thënë se eksponatet e Kosovës vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Beograd.

Ka treguar se zyrtarisht tashmë e 23 vjet fondit etnologjik dhe arkeologjik të Republikës së Kosovës i mungojnë 1247 eksponate. Ka thënë se nga ato 676 janë artefakte arkeologjike të thesarit arkeologjik të Kosovës, të cilat u prezantuan në ekspozitën e hapur në Galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Beograd në fund të shkurtit të vitit 1999.

“571 eksponate të koleksionit etnografik u prezantuan në ekspozitën e titulluar ‘Stolitë dhe qëndisjet me ari’”, ka thënë Rama. Ka përmendur se i vetmi artefakt i kthyer është “Hyjnesha në Fron” nga ish-kryeadministratori i Kosovës, Michael Steiner, në maj të vitit 2002. Ky artefakt është pjesë e ekspozitës me imazhe.

“Ndonëse në bazë të marrëveshjes së institucioneve të të dyja vendeve, këto eksponate janë paraparë të qëndrojnë për afat të shkurtër në Serbi, ato ende vazhdojnë të mbahen në Muzeun Kombëtar në Beograd dhe atë Etnografik të Beogradit”, ka thënë Rama.

Ajo ka përmendur disa aktivitete të Muzeut Kombëtar të Kosovës si thirrje për kthim të eksponateve. Rama ka kujtuar po ashtu edhe letrat që vitin e kaluar, Muzeu Kombëtar të Kosovës ia kishte drejtuar Muzeut Kombëtar në Beograd, atij Etnografik dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Beograd. Në letër propozohej krijimin i një grupoi punues për përpilimin e draft-planit për kthimin e artefakteve.

Vetë ministrja e Kulturës në Serbi, Maja Gojkoviq, shkresat i kishte komentuar si “provokim të rrezikshëm për trashëgiminë kulturore”.

“Institucionet kompetente të Beogradit kanë obligim kthimin e eksponateve bazuar në marrëveshje midis institucioneve të Kosovës dhe Serbisë për ekspozitën e përkohshme, bazuar në Konventën e UNESCO- së vitit 1970...”, ka thënë Rama. Në emër të MKK-së ka shfrytëzuar rastin që të bëjë thirrje “për kthimin e eksponateve edhe për përkrahje si në nivel qendror dhe ndërkombëtar për kthimin e eksponateve të trashëgimisë kulturore që mbahen peng në Serbi”.

Por thirrja të paktën në ambiente e Lapidariumit është dëgjuar vetëm nga punonjësit institucionalë të MKRS-së, pak përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe një punonjëse kulturore të Ambasadës Italiane në Kosovë, e cila njëherësh është mësimdhënëse e italishtes në kuadër të programeve të Ambasadës.

Qasje profesionale dhe politike

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka përmendur shkresën që institucioni të cilin ai e udhëheq ia ka dërguar edhe Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve në korrik të vitit të kaluar. Nëpërmjet asaj shkrese ishte kërkuar që në forumet e ICOM-it të ngrihej çështja e artefakteve e po ashtu edhe t’i bëhet presion Serbisë për kthimin e eksponateve.

“Do të vazhdojmë me kërkesa të kësaj natyre edhe në të ardhmen deri në kthim të artefakteve”, ka thënë Leci.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se dita e mërkurë është mbyllur me një aktivitet jo edhe aq të këndshëm, pasi edhe njëherë është shënuar mungesa e madhe e pjesës më të vlefshme të koleksionit muzeor të Kosovës.

“Disponimin nuk e kemi negativ e as nuk jemi dorëzuar, por kemi vullnet të madh së bashku me miqtë tonë ndërkombëtarë, në mënyrë që këtë mision të përbashkët ta përmbyllim në një të ardhme të afërt”, ka thënë ministri Çeku. Sipas ministrit Çeku, institucionet janë duke punuar në disa drejtime sa i përket kthimit të eksponateve.

“Qasja jonë është edhe profesionale, por edhe politike që nëpërmjet proceseve politike, koleksioni të kthehet në vendin e origjinës”, ka thënë ai. Sipas Çekut, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që me aktivitete publike e jopublike ta vazhdojë këtë betejë dhe t’i shfrytëzojë mundësitë për arritjen e misionit që ka përpara.

Programi kombëtar i muzeve

Paraprakisht për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, paraditen e së mërkurës, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka folur për atë që e ka quajtur “prezantim të Programin Kombëtar të Muzeve në Kosovë”. Sipas tij, kjo nismë që synon fuqizimin e institucioneve të muzeve dhe zhvillimin e një vizioni të përbashkët për ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e veprimtarisë krijuese nga e kaluara, si dhe edukimin e gjeneratave të reja për rolin e tyre. Ka treguar se në kuadër të programit gjatë viteve 2022-2023, janë paraparë hapa konkretë që do të kontribuojnë në krijimin e një baze legjislative, programore dhe kapitale për zhvillimin e muzeve në territorin e Republikës së Kosovës. Kosova deri tash ka pasur vetëm disa grupe punuese e drafte-projektligjesh për muze, por një ligj i tillë duket larg.

“Si hap i parë ka filluar rregullimi i bazës ligjore në fushën e kulturës, ku përfshihen dhe trajtohen edhe muzetë. Në këtë kontekst, së bashku me ekipin punues të profesionistëve nga kjo fushë, kemi filluar me studimin e gjendjes ekzistuese të fushës së muzeve në Kosovë. Pas përfundimit të këtij studimi, së bashku do të përcaktohemi për vizionin e institucioneve të muzeve tona, për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri”, ka thënë ai. Sipas ministrit, Kosova ka shumë muze, por që publiku ka pak informacione për këto institucione. Ka thënë se është krijuar një grup punues për këtë program, por do të ketë përfshirje edhe të profesionistëve të tjerë. Pa ceremonisë ku shkurt kanë folur edhe kryetarja e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi, e drejtori i Muzeut, Ajet Leci, disa nga të pranishmit kanë mbajtur një punëtori. Me tre prej të cilëve ka folur gazeta para punëtorisë – dy profesorë universitarë e dy punonjës muzeorë – nuk e kanë ditur se për çka do të mbahet punëtoria. Por sipas ministrit të Kulturës, puna ka qenë e frytshme.

“Ishte punëtori ku bashkë me profesionistë dhe zyrtarët tonë konsoliduam një draft të programit”, ka thënë ministri Çeku në mbrëmje.