Kulturë

Alarm i rremë për bombë e protestë në prag të “Mirëdita...” në Beograd

Ekspozitës “Gjithë lotët tanë” të mërkurën pasdite në “NGO Hub” në Beograd i ka paraprirë alarmi i rremë për bombë, e gjatë ditës para objektit ka protestuar Rinia e Partisë Demokratike të Serbisë që kundërshton festivalin “Mirëdita, Dobar dan!”, i cili hapet zyrtarisht sot (e enjte) (Foto: Mirëdita, Dobar dan/FB)
 

Alarmi i rremë për bombë i ka paraprirë hapjes së “Gjithë lotët tanë” të mërkurën pasdite në “NGO Hub” në Beograd. Para vernisazhit të kësaj ekspozite – e cila vjen një ditë para nisjes së edicionit të nëntë të festivalit “Mirdita, Dobar dan!” – objekti është zbrazur prej vizitorëve, njësitë policore kanë kryer kontrolle, teksa kanë konstatuar se s’ka mjet shpërthyes.

Se do të ketë kësi alarmi, ishte paralajmëruar edhe në faqe grupesh djathtiste serbe nëpër rrjete sociale. Kanë qenë po kësi grupesh që gjatë ditës kanë protestuar kundër festivalit, i cili për synim ka prezantimin e ngjarjeve kulturore nga Kosova në kryeqytetin serb. “Mirdita – laku noć” (Mirëdita, Natën e mirë!) e ka quajtur protestën Rinia e Partisë Demokratike të Serbisë.