Kulturë

“Vend i pafiksuar, Koha e paqartë” fikson kujtesën e Prishtinës

Ekspozita e Vigan Nimanit qëndron midis dokumentimit të së kaluarës dhe rifreskimit të së tashmes në “Kino Armata”. Por arkivimi artistik e kujtesa kulturore nuk kanë veç një stacion. Shtrihet edhe në dy adresa të tjera, e që janë shfaqja e pikturave në hotelin “Grand” dhe hapja e dyerve të ateliesë së artistit për bisedë me kuratoren Seda Yildiz

Thotë të mos ketë pasur qëllim të caktuar pos të pikturojë dhe një gjë e tillë për fotografin e piktorin, Vigan Nimani, nuk qëndron vetëm brenda pasionit e lirisë krijuese. Peneli i tij pasqyron dromca historike të strukturuara mes së kaluarës e së tashmes, dokumentimit artistik nëpërmjet urbanes e arkitekturës dhe krijimit të kujtesës kulturore.

“Vend i pafiksuar, Koha e paqartë”, qëndron mes këtyre tri shtyllave, e cila hapjen e pati mbrëmjen e së enjtes në “Kino Armata”. Por rrugëtimi ekspozues nuk ka një stacion. Shtrihet edhe në dy adresa të tjera, e që janë shfaqja e pikturave ekspozuese në hotelin “Grand” dhe bisedë e hapur me kuratoren Seda Yildiz në studion e tij, në ditën e tretë të ekspozitës, të shtunën.

Nimani kështu dëshmon se pikërisht qëllimi i tij është shpërfaqje e dimensioneve multidisiplinare artistike. Piktorin, fotografin e muzikantin brenda vetes i shfaq në një ombrellë për publikun. E nis pikërisht në vendin ku punon, e të cilin edhe e ka pikturuar. Në çdo kthesë të “Kino Armatës” e deri te skena krejt në fund ka diçka për të ekspozuar.

Sinonim i 25 pikturave është Prishtina dhe historia që ngërthen në vete. Kryeqytetin pa lum e portretizon me imazhe e copëza që janë të marra nga fotografitë që ai ka dhe që i ka gjetur nëpër librat e ish-Jugosllavisë. Kështu e shpërfaq arkitekturën e viteve ’60 e ‘70, duke kthyer vëmendjen te kompleksiteti i tyre përmes rifreskimit të kujtesës kolektive. Këtë e bën në një kënd të përzgjedhur, që herë rastis të jetë një zyrë, korridor, pamje e jashtme e herë detaj tejet i vogël që kur analizohet ngërthen rrëfim brenda saj.

Por nuk i lë anash as njerëzoren e natyrën. Detajet vërehen që janë mjeshtëria e tij, teksa duart, hijet, qëndrimet janë ana që tenton të nxjerrë në pah, e që dalin tejet hijerëndë. Të njëjtën e bën edhe me detajet e tjera që janë karakteristikë e shtëpive shqiptare, e që krijon njëfarë familjariteti me publikun.

Destinimi fillestar ishte që publikut në natën e parë ekspozuese të mos i fliste veç me ngjyra, por edhe me tinguj. Në planifikim ishte performimi i drejtpërdrejtë i tij, madje për këtë edhe skena ishte gati. Mirëpo, vdekja e një familjareje të ngushtë e bëri që këtë ide ta kthejë në prezencë të xhiruar muzikore. Në skenë mungon debutimi, por jo edhe gjurmët e muzikës elektronike e eksperimentale të cilat i ka krijuar pikërisht në po atë lokacion.

Image
Në çdo kthesë të “Kino Armatës” e deri te skena krejt në fund, ka diçka për të ekspozuar

“Unë i zgjedh imazhet e ndryshme, pa përsëritje (në mënyrë që) me pasë variacion sa më të gjerë. Me pasë pak njerëz, natyrë e arkitekturë. Më së shumti më tërheq arkitektura e viteve ‘60-‘70”, thotë Nimani i cili u gjeti shteg publikimit të veprave të tij që nga 2015-a.

Që ka lidhje emocionale të veçantë me Prishtinën kjo tashmë është e ditur, po njësoj si delikatesa e paraqitjes së historisë brenda mureve të objekteve.

“Më pëlqen edhe ndoshta pse jam rritur në Prishtinë, pas vitit 2000 ajo arkitekturë ka filluar të zhduket dhe ndoshta ajo është njëra nga arsyet. Është edhe çështje estetike pse më pëlqen”, thotë ai, teksa për përzgjedhjen e “Kino Armatës” dhe hotelit “Grand” si dy pika ekspozuese thotë të kenë lënë gjurmë edhe në pikturat e tij.

“Ekspozita është në tri pjesë, këtu janë 25 punime. Në ‘Grand’ hotel janë 17 dhe në atelienë time është veç vizitë për njerëzit që duan ta vizitojnë dhe ta shohin metodikën e punës sime”, thotë ai duke i hapur dyert për artdashësit. “Kjo muzikë është që e kam bërë unë me shokët e mi, e cila është bërë e incizuar në ‘Kino Armata’, është elektronike dhe eksperimentale dhe bazohet në improvizim. Është muzikë aksidentale, këtë praktikë e bëjmë me disa shokë tash e dhjetë vjet. E kemi bërë më parë në disa vende të tjera, tash e bëjmë në ‘Kino Armata’”, rrëfen anëtari i bendit “Tetris”.

Kuratorja me origjinë turke, e cila po vazhdon aktivitetin e saj artistik në Hamburg, Seda Yildiz, tregon se takimi me Nimanin para gati katër vjetësh e bëri që atëherë të interesohej për bashkëpunim. “Sepse e shijoj punën e tij”, thotë ajo.

Image
Sinonim i 25 pikturave është Prishtina dhe historia që ngërthen në vete. Kryeqytetin pa lum e portretizon me imazhe e copëza që janë të marra nga fotografitë që ai ka dhe që i ka gjetur nëpër librat e ish-Jugosllavisë

“Puna e tij më duket shumë interesante, Vigani realizon shumë instalacione nga Prishtina. Fokusohet tek arkitektura dhe transformimet urbane. Pavarësisht që është i njohur si piktor, është edhe fotograf i objekteve, madje edhe të atyre të cilat nuk janë më në qytet. Këtë praktikë artistike e shoh të lidhur ngushtë me aspektin arkivistik”, thotë Yildiz.

Sipas saj, e rëndësishme ka qenë edhe shfaqja e pikturave e vizatimeve në letër të Nimanit, të cilat janë si pikënisje për ato të përmasave më të mëdha. “Ka qenë e rëndësishme edhe të krijojmë një hapësirë për të përfshirë edhe muzikën që ai e bën, sepse këtë e shoh si interesim e qasje multidisiplinare”, shton ajo.

Emërtimi “Vend i pafiksuar, Koha e paqartë” është përmbledhje e transformimit kulturor e urban të kryeqytetit, të cilën e shohin si një lokomotivë kohore që ec mes së shkuarës e së tashmes.

“Vend i pafiksuar’ i referohet Prishtinës si qytet që ka konsistencë të të ndërtuarit e ndryshimeve. Por për këto ndryshime s’flasim vetëm në aspektin e objekteve, por edhe si ndërlidhje me jetën dhe memorien kulturore. ‘Kohë e paqartë’ i referohet së kaluarës e së tashmes dhe pozicionimit që duhet të bëhet mes tyre”, përfundon ajo.

Kuratorja, emri i së cilës lidhet ngushtë me veprat eksperimentale, e vlerëson rezistencën që Nimani e shtyn përpara me “memorien e qytetit”.

“Kjo është e lidhur edhe me të tashmen, për shkak që është edhe rifreskim i perspektivës për të kaluarën”, shprehet Yildiz.

Por përtej perspektivës vendore e kohore, ekspozita “Vend i pafiksuar, Koha e paqartë” për ish-drejtorin e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, është edhe një lloj rikujtimi për imazhin e familjarit të ndjerë.

“Megjithëse ekspozita e ka emrin vend i pafiksuar dhe koha e paqartë, për mua vendi është i fiksuar dhe koha është e qartë për arsye se kur i shoh veprat e Vigan Nimanit më kujtohet saktësisht një periudhë kohore kur kam kaluar kohë të mira e të ndryshme me gjyshin tim të ndjerë, të cilin disi e shoh në veprat”, thotë ai me nostalgji.

Tutje Berisha shton se përtej pjesës personale, ekspozitën e vlerëson edhe si pasqyrë e “jetës sociale, kulturore, ekonomike e politike të qytetarëve apo komuniteteve të ndryshme që kanë bashkëjetuar në një mënyrë shumë të mirë gjatë asaj periudhe kohore në Prishtinë”.

“Hoteli ‘Grand’” është nikoqir i pikturave me përmasa më të vogla, të punuara kryesisht në dru, si pika e dytë e stacionimit ekspozues. Ndërkaq në atelie, dyert do t’i hapen publikut për ta njohur Nimanin përmes diskutimit me kuratoren dhe veprat e tij përmes gjithë shpalosjes krijuese që posedon atje.